7.8 C
Prizren
E martë, 26 Nëntor, 2024

Ca vargje për Dorën

Dora-dIstria-1Në Firencen e vitit 1881, Dora D’istria mbante në duar e emocionuar një letër. E kishte kaluar aq shumë ndër duar, sa kishte mësuar përmendësh çdo rresht të saj. Ishin vitet e fundit të jetës së gruas rumune, e cila pas përfundimit të martesës me Carin rus, u kthye në një nga figurat më me ndikim në Europën Qendrore. E tërhequr nga komunikimi, duke e parë si formën për të ndryshuar histori, apo situata, Dora përdori penën e saj për t’u shkruar burrave me ndikim në atë periudhë. Letrat e saj nuk ishin letra zemre. Në to nuk kishte as romanca për udhëtime gjatë mbrëmjes për në Francë, por shqetësime, këshilla dhe dëshira për të sjellë një erë të re në Europë. Shqipëria hyri në mendjen e kësaj gruaje, që u josh që në kontaktin e parë nga ky vend. Duket sikur e gjithë Rilinda Kombëtare u projektua prej saj, nëse shohim komunikimet që ka pasur me emra të njohur të kësaj

lëvizjeje si Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitro, etj. Forca e saj ndihet sidomos gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit. Ndaj kur hapi porosinë që At Leonardo de Martin kishte lënë në vilën e saj në Firence, u emocionua. Atin e mirë ajo e lidhte gjithnjë me Shqipërinë. Një penë e punuar në filigran, ku ishte gdhendur emri i saj, dhe një poezi e 300 vajzave të Mirditës kushtuar saj, ishte më shumë se një surprizë për Dorën. Në to shprehej gjithë mirënjohja ndaj përkushtimit që ajo kishte pasur për çështjen shqiptare, por dhe një adhurim për modelin që ajo kishte ofruar për to me punën dhe sjelljen e saj. Kjo letër do ta prekte thellë Dorën, do ta çonte në kujtime tek ato portrete vajzash me aq shumë jetë që i kishte parë dikur. Ajo e dinte se në sytë e tyre ishte shpresa për një jetë të re, që duhet të çelte sa më parë në vendin përtej Adriatikut.

“Ati im i shtrenjtë. Kam marrë në duar një penë të bukur nga shqiptaret e mia të dashura, që një ditë do doja shumë t’i përqafoja. Do të bëhem e fortë që këtë penë ta përdor deri në frymën e fundit, për të mbrojtur nderin dhe të drejtat e Shqipërisë, i cili tashmë është dhe atdheu im”, do t’i shkruante Dora, At Leonardo de Martin. Ky gjest i vajzave shqiptare do të ishte më shumë se një frymëzim për gruan që i kishte dhënë aq shumë vendit të tyre.

Kjo poezi dhe kjo penë janë ruajtur prej vitesh në Arkivin e Shtetit. Bashkë me materiale të tjera për Dora D’istrian, ato do të ekspozohen të martën në Muzeun Historik Kombëtar, në një mbrëmje kushtuar Dorës. Duke u nisur nga këto detaje, historianë dhe kërkues shkencorë do të vijnë në një bisedë ndryshe mbi rolin e Dora D’istrias në historinë shqiptare. At Leonardo de Martini ka jetuar gjatë në veriun e Shqipërisë. Teksa do të kthehej në vendin e tij Firence, një grup vajzash i kërkuan të merrte me vete një dhuratë të shenjtë që ato kishin përgatitur për Dorën. Ai e kishte njoftuar për dhuratën para se ajo ta merrte në duar. Letrat mes tyre janë të shumta. Në një prej tyre, teksa i tregon për një ekskursion që Dora ka pasur nëpër Itali, Dora i thotë se ka gjetur disa poezi të tij kaq të bukura. “Gjeta disa poezi tuajat të bukura, si dhe letrën tuaj. Kështu po nxitoj t’ju shkruaj, që ju mirëpres me kënaqësi dhe do jem shumë e nderuar të marr penën që vajzat e vogla shqiptare më kanë nisur. Do të keni gjithnjë mbështetjen time ati im”, i shkruan ajo.

Në një tjetër letër, ajo i tregon për jehonën që ka pasur kjo dhuratë e shqiptareve në shtypin e kohës. Ajo kishte folur me gazeta në Francë, Itali, për të treguar mirënjohjen nga ky gjest i madh. “Gazzetta di Venezia”, 10 qershor, nr. 153 1881 shkruante: “Princesha Dora d’Istria, shkrimtarja e nderuar, princesha Dora d’Istria, që prej shumë vitesh banon mes nesh, i kanë dhuruar nga shteti shqiptar një penë të argjendtë. Qindra vajza kanë thurur këtë dhuratë në shenjë nderimi për të. Kjo penë është e punuar në mënyrë të mrekullueshme në filigran, një industri kjo delikate, ku shqiptarët gjithmonë kanë shkëlqyer. Dhurata ishte e shoqëruar edhe nga një letër, që e lexuar në italisht merr këtë kuptim: Thonë se ti je xhentile, e mirë dhe e bukur… Dora d’Istria ka mbështetur me një elokuencë të veçantë kombin shqiptar: ka mbledhur, ilustruar vendet turistike të atij populli në artikujt e publikuar prej saj. Po këto ditë, Princesha Dora d’Istria ka marrë nga S.M., mbreti i Rumanisë, medaljen e artë të klasit të parë për kontribute të veçanta”. Elena Gjika, e njohur për opinionin publik edhe me pseudonimin e saj letrar Dora D’Istria, ishte shkrimtare, historiane, etnografe, alpiniste, luftëtare e shquar për çlirimin e Shqipërisë dhe emancipimin e saj.

Elena lindi në Bukuresht më 22 janar të vitit 1828. Që në moshën katërmbëdhjetëvjeçare dinte nëntë gjuhë të huaja. Në turin e parë europian me familjen, ajo i habiti oborrtarët e Uilliamit IV të Prusisë, kur përktheu në gjermanisht mbishkrimet latinisht të një artefakti të vjetër, që ishte sjellë në Pallat prej Humboldit. Mrekullia e vogël, siç i thoshin në atë periudhë, dinte përmendësh Homerin në gjermanisht. Elena shkroi mjaft libra që trajtojnë çështje të artit, ekonomisë politike, historisë, filozofisë, folklorit, si dhe tregime, mbresa, përshtypje udhëtimi etj. Veprën e saj të parë e botoi në gjuhën frënge në vitin 1855. Në botimet e saj ajo përdori jo vetëm rumanishten, por edhe gjuhën italiane, gjermane, frënge, latine, greqishten e vjetër dhe moderne, rusishten dhe shqipen. Në nëntë prej veprave të saj ajo merret me jetën e shqiptarëve dhe problemet e tyre. Përmendim ndër to librat: Gratë në Lindje, vëllimi I, 1859; Kombi shqiptar pas këngëve popullore, 1866; Vizatime shqiptare, 1868; Shqiptarët e Rumanisë, Firence 1872. Kultura e saj ishte kozmopolite, megjithëse nga studiuesit shihet si përhapëse e qytetërimit perëndimor në Lindje dhe veprimtare e emancipimit të femrës. Jeta e saj private qe e trazuar. Ajo u martua me princin rus Aleksandër Koltov Massalskij dhe u gjend në Oborrin Perandorak të Carit Nikollai I. Por jeta në pallat nuk ishte për të. Pas ndarjes ajo udhëton në vende të ndryshme deri në SHBA. Me rëndësi është miqësia dhe letërkëmbimi i gjatë që pati me poetin arbëresh Jeronim de Rada. Veprimtaria atdhetare e Elena Gjikës mbërriti deri në Shqipërinë e robëruar.

Rilindësi shqiptar, Zef Jubani, i kushtoi një vjershë të frymëzuar, në shenjë mirënjohje për ndihmën e çmuar që kishte dhënë për çështjen shqiptare. Trashëgimia letrare e Elena Gjikës është e shpërndarë në disa vende: Rumani, Shqipëri, Itali, Zvicër dhe Greqi. Në letërkëmbimet e shumta me De Radën, Kamardën, De Martinon, Mitkon, Jubanin, e tjerë; në takimet me personalitete të larta politike të popujve të tjerë si Garibaldi, në takimet me albanologët e shquar Ksilander, Bop, Han, Shlajhner etj., ajo u bë përfaqësuesja më e shquar e femrës shqiptare në botë. Elena Gjika vdiq në Firence, në vitin 1888. Ajo është konsideruar një ndër femrat më të shquara europiane të shekullit XIX.

Më Shumë

Rrjetat në Suharekë mbeten të paprekura

Ndeshja në mes të Suharekës dhe Ferizajt përfundoi pa fitues. 0:0 ishte rezultati përfundimtar i kësaj loje, të vlefshme për javën e 14-të të...

Themelohet Zyra për Ndihmë Juridike Falas në Rahovec

I pari i Komunës, Smajl Latifi, sot mori pjesë në tryezën për themelimin e Zyrës për Ndihmë Juridike Falas në Rahovec, së bashku me...

Ikja nga vetmia

Lajmet e Fundit