8.4 C
Prizren
E mërkurë, 12 Nëntor, 2025

Ceremoniali shtetëror i rivarrimit të eshtrave të Hasan Prishtinës

Arkiva e Shtetit ka publikuar sot disa nga fotot që ruhen në Fototekën e Arkivit Qendror Shtetëror, dhe paraqesin ceremonialin shtetëror të rivarrimit të eshtrave të Hasan Prishtinës në Kukës më 6 dhjetor 1977.

Sot përkujtohet dita kur Hasan Prishtina ndërroi jetë në Selanik, pas një atentati.

Ai ishte tri herë deputet në parlamentin osman. Bashkë me Ismail Qemalin ishte ndër nismëtarët e Kryengritjes së Përgjithshme Kundërosmane, e më pas ministër i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Postimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave

#SiSot ndërroi jetë në Selanik, pas një atentati, Hasan Prishtina.

Hasan Prishtina lindi në Vushtri të Kosovës më 1873. Kreu Gjimnazin Francez në Selanik dhe shkollën e lartë të administratës osmane “Mylkije” në Stamboll.

Ishte tri herë deputet në parlamentin osman. Bashkë me Ismail Qemalin ishte ndër nismëtarët e Kryengritjes së Përgjithshme Kundërosmane, e më pas ministër i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Më 1913 ishte ndër organizatorët e kryengritjes kundërserbe të shtatorit, kurse më 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.

Më 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në Këshillin Kombëtar dhe u ngarkua nga Këshilli i Lartë për të ndërtuar qeverinë më 7 dhjetor 1921. Në periudhën 1922-23 u shqua si një nga figurat e opozitës në Shqipëri, kurse më 1924, teksa udhëhiqte lëvizjen e armatosur kaçake në Kosovë kundër sundimit serb, mori pjesë edhe në përgatitjen e Revolucionit të Qershorit në Shqipëri.

U kthye në Tiranë më 1924, por u largua më 1925, për të jetuar në mërgim, deri në vdekje. Gjatë gjithë jetës punoi e luftoi për Kosovën e lirë e të bashkuar me Shqipërinë, duke kundërshtuar fort dhe hapur qoftë politikat serbe, qoftë qëndrimet miqësore të Ahmet Zogut me Serbinë.

Më 1931, bashkë me organizatën “Bashkimi Kombëtar”, mori pjesë në organizimin e atentatit kundër A. Zogut në Vjenë. Kurse vetë H. Prishtinës iu bënë katër atentate, u burgos dy herë, dhe u dënua gjashtë herë me vdekje (një herë nga xhonturqit, një herë nga Esad Pashë Toptani, një herë nga qeveria serbe dhe tri herë nga Ahmet Zogu).

Atentati i fundit iu krye më 14 gusht 1933 në Selanik të Greqisë.

Dorasi ishte Ibrahim Çelo, i cili pohoi para policisë se vrasjen e kreu për një shumë parash, të cilën viktima nuk ia dha. Në gazetat lokale vrasja u konsideura si “sherr mes shqiptarësh”, por në shtypin perëndimor u aludua për larje hesapesh mes armiqve të vjetër, Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës.

Pas atentatit, Hasan Prishtina u varros në varrezat e Selanikut, nga ku u soll në Shqipëri më 1977, për t’u rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Kukësit, vendndodhja më e afërt gjeografike me vendlindjen e tij.

Fotografitë që sjellim këtu ruhen në Fototekën e Arkivit Qendror Shtetëror, dhe paraqesin ceremonialin shtetëror të rivarrimit të eshtrave të Hasan Prishtinës në Kukës më 6 dhjetor 1977.

Eshtrat e patriotit të shquar ekspozohen në shtrat topi në Sheshin Skënderbej, transportohen në Kukës, ku kryhet ceremonia zyrtare e nderimit me fjalime dhe homazhe dhe, më pas, vendosen në banesën e deritanishme.

Më Shumë

Policia në Prizren i çon në stacion dy komisionerë që u kapën mes vete

Dy persona në Korishë të Prizrenit janë shoqëruar në Polici. Policia ka bërë të ditur se të dy personat janë shoqëruar në stacionin policor pas...

Vëllezërit Morina kishin nga dy plumba në trup, flet mjeku i Urgjencës në Malishevë

Mjeku i Urgjencës në Komunën e Malishevës, Festim Sylejmani, ka dhënë detaje të reja mbi vrasjen e dyfishtë që ndodhi sot në fshatin Gollubovc...

Lajmet e Fundit