19.8 C
Prizren
E diel, 12 Maj, 2024

Çfarë na tregoi Isa Boletini?

Naser Sertolli

Rivarrimi i eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletini, vuri në pah, sërish dhe sigurisht jo për të fundmen herë, vogëlsinë e burrave të shtetit, shqiptar e kosovar, atyre të mëdhenjve, të gjatëve.

Pasi nuk iu plotësua dëshira për të qenë protagonistët kryesorë të ceremonisë, të cilën do ta shfrytëzonin për kurrgjë tjetër pos për poenë politikë, në këtë kohë zgjedhjesh e uljeje të popullaritetit, dy iniciatorët e idesë së rivarrimit në Vlorë të burrit të madh të Shqypnisë, nuk denjuan, ndonëse ishin të ftuar, t’i japin lamtumirën e fundit atje ku atij do t’i pushonin eshtrat më mirë se kudo tjetër – në Boletinin e tij.

Para nderimit të luftëtarit të madh të pavarësisë së Shqipërisë, dy të apostrofuarit ishin të zënë, me “agjenda të ngjeshura” siç njoftuan zyrat e tyre.

Këto “agjenda”, sidomos për njërin prej tyre, në fakt, ishte justifikim për të mbuluar mospunën prej lideri shtetëror, është mungesë e rrumbullakimit të idealit të Isa Boletinit dhe të burrave të tjerë të mëdhenj e patriotë të para një shekulli dhe e të gjithë atyre që u sakrifikuan, në kohë e në rrethana të ndryshme, për një flamur e një shtet të vetëm.

Pra, rivarrimi i heroit tonë kombëtar është një tregues i qartë se amaneti dhe gjaku i derdhur ndër breza nuk është realizuar.

Këtë më së miri na e shpërfaqi mungesa e ushtrisë tonë në momentin e varrimit të eshtrave të gjeneralit të kohës së pavarësisë së Shqipërisë në pronën e tij, afër kullës ku kishte lindur.

Ndonëse ceremonia e rivarrimit është kërkuar nga familjarët të jetë e karakterit privat dhe joshtetëror, mosprania e forcave tona të armatosura atje, në Boletin, nuk ishte për shkak të kësaj kërkese.

Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ishte të mërkurën në Boletin për t’i bërë nderime të mirëfillta luftëtarit të pashembullt për shkak se këtë e ka kërkuar dhe e ka ndaluar dikush që realisht po vendos e s’po na pyet për dëshirat dhe vullnetin tonë.

Dhe nuk është vetëm ceremonia e rivarrimit të Isa Boletinit ajo për çfarë ne nuk e pamë ushtrinë tonë atje. Në veri të vendit forcën tonë ushtarake nuk do ta shohim përderisa për këtë të mos japë leje Beogradi. E këtë “kompetencë” Serbisë ia kanë dhënë, me vetëdije të plotë, me nënshkrim e me votë këta njerëz, të njëjtit, që ishin e janë në krye të shtetit të Kosovës.

Se sa do të zgjasë kjo situatë nuk është e lehtë të parashikohet. Por, duke pasur parasysh se politikën po e bëjnë njerëz me “bishtin e zënë me derë”, gjasat janë që ushtrinë tonë të mos e shohim të shkelë në atë pjesë vendi edhe goxha kohë.

Pra, rivarrimi i Isa Boletinit ishte një pasqyrë, e cila na tregoi saktësisht fuqinë e shtetit tonë. Na tregoi se ne nuk e kemi ushtruar as nuk e ushtrojmë sovranitetin në tërë territorin e vendit. Dhe kjo dihet në mënyrë të qartë meritë e kujt është.

Mirëpo, pavarësisht mospranisë së drejtuesve institucionalë dhe mungesës së nderimeve ushtarake në Boletin, varri i gjeneralit Isë Boletini do të jetë një gur në themelet e asaj Shqypnisë për të cilën merakosej kur thoshte se “unë jam mirë, kur Shqypnia është mirë”.

Më Shumë

Gjendet një mjet shpërthyes në fshatin Kijevë të Malishevës

Një mjet shpërthyes është gjetur në fshatin Kijevë të Malishevës. Rastin në polici e ka lajmëruar një burrë i cili ka thënë se derisa ishte...

Ngrihen çmimet e prodhimeve bujqësore

Në publikim e ASK-së, i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë, në TM1 2024, indeksi i çmimeve të prodhimeve...

Lajmet e Fundit