20.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Demarkacioni duhet të rishikohet ose të shtyhet

Njohësi i proceseve politike, Belul Beqaj, ka thënë të martën se zgjidhja më e mirë është shtyrja ose rishikimi i procesit të demarkacionit me Malin e Zi.

Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se opozita nuk do ta pranojë arbitrazhin ndërkombëtar për shkak se ndërkombëtarët janë deklaruar paraprakisht pro kësaj marrëveshje.

“Realisht zgjidhja më e mundshme që ka gjasë për të ndodhur (krahas shtyrjes) është rishikimi dhe rivlerësimi i tërë procesit, ngaqë opozita nuk besoj se mund ta pranojë arbitrazhin ndërkombëtar për shkak se ndërkombëtarët janë deklaruar paraprakisht pro kësaj marrëveshje. Nga kjo rezulton se ndikimi i tyre në mënyrë implicite do të bartet edhe në Gjykatën Ndërkombëtare, pavarësisht se gjykata prezumohet politikisht e paanshme”, ka deklaruar Beqaj.

Sipas tij, tash deputetët do ta kenë më të lehtë për ta refuzuar marrëveshjen e demarkacionit ngaqë argumenteve kundër saj po i shtohet edhe argumenti i koncesioneve të Listës Serbe.

“Në fakt, pas arsyetimit të kryeministrit pse e ka tërhequr marrëveshjen për demarkacionin nga mbledhja e fundit e Parlamentit, jo vetëm te deputetët e opozitës, por edhe te deputetët mbështetës, nëse tek ata ka mbetur pak ndërgjegje politike, do të kenë më lehtë për ta refuzuar marrëveshjen ngase dilemave dhe argumenteve të shumta kundër marrëveshjes po i shtohet edhe argumenti i koncesioneve të Listës Serbe, pavarësisht se a është apo jo e vërtetë”, është shprehur Beqaj.

Ai ka vlerësuar se nuk do të jetë e habitshme nëse opozita do ta refuzojë thirrjen për takim të kryeministrit Isa Mustafa ndonëse, sipas Beqajt, do të ishte racionale të takoheshin.

“Pengesë shumë serioze janë deklaratat e kryeministrit, i cili e thirr opozitën në dialog, duke gjykuar se vlerësimet e komisionit qeveritar janë të pakontestueshme. Nuk do të habiteshim nëse opozita e refuzon këtë thirrje, ndonëse do të ishte racionale të takoheshin”, ka theksuar Beqaj.

Ai ka thënë se nëse nuk kalon demarkacioni duhet të shkohet në zgjedhje të reja, edhe pse, sipas Beqajt, zgjedhjet nuk nënkuptojnë zgjidhje të demarkacionit dhe të asociacionit.

“Qeveria është përgjegjëse edhe nëse kalon, por edhe nëse nuk kalon. Kjo domosdoshmërisht nënkupton zgjedhjet e reja. Ndonëse zgjedhjet e reja nuk nënkuptojnë zgjidhje të këtij dhe problemit të ‘Zajednicës’, por gjithsesi pas zgjedhjeve eventuale, roli i LDK-së do të margjinalizohet shumë”, ka thënë Beqaj. /Epoka e re/

Më Shumë

Moti sot me diell dhe vranësira

Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira, të cilat gjatë ditës pritet të shtohen, ku ka mundësi të sjellin ndonjë reshje të...

Lexojeni kodin 20 pikësh që indianët e Amerikës ia dhuruan njerëzimit

1. Zgjohu bashkë me Diellin. Lutu vetëm dhe shpesh. Shpirti i Madh do të të dëgjojë, vetëm nëse flet. 2. Ji tolerant me njerëzit që...

Lajmet e Fundit