17.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Demokracia pa opozitë nuk ka legjitimitet

Skenat e fundit në Kuvendin e Kosovës ku u përdor serish gazi lotsjellës dhe gjuajtja me shishe uji në përpjekje të opozitës për ta penguar pozitën në mbajtjen e një seance, që sipas opozitës duhej mbajtur vetëm për ta plotësuar kapricin e atyre që nga fillimi e injoruan opozitën, nxorën në shesh lakuriq kryeneçësinë e kapriciozitetin e të dy palëve, si dhe arrogancën e frustrimin deri te përdorimi i gjuhës banale dhe në fund futjen e efektiva të sigurisë e policisë në sallë në masë thuaja aq sa ishte numri i deputetëve.

Në këtë situatë tejet tragjikomike pozita zgjodhi ikjen nga opozita për ta mbajtur seancën në një hapësirë tjetër jashtë sallës parlamentare, ku nuk u lejuan deputetët e opozitës. Ky veprim, sipas analistëve të rrjedhave politike, gjithsesi dërgoi mesazhin e keq për demokracinë, sepse pozita u ndie rehat vetëm pa opozitën e rebeluar, duke dërguar sinjalin se mund ta mbajnë pushtetin edhe pa opozitën.

Në anën tjetër e tërë kjo situatë shpërfaqi edhe naivitetin e opozitës, e cila konsideron se ka humbur çdo atu tjetër pos veprimit të dhunshëm për ta penguar pozitën në marrjen e vendimeve, që ajo po i konsideron të dëmshme për popullin dhe sovranitetin e Kosovës.

Në tërë këtë situatë emërues i përbashkët i gjithë asaj që u pa deri më tash është se politika kryeneçe po e zhyt vendin në krizë e kaos, pasi pozita me mospërfillje e detyroi opozitën të marrë një kurs të paudhë dhe avanturier. E keqja më e madhe e kësaj është tendenca që kjo situatë të bartet edhe në rrugë, vlerësojnë analistët duke folur për situatën e fundit politike të krijuar në vend.

Analisti i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, thotë për KosovaLive se vendi vërtetë është futur në një krizë politike dhe institucionale, pavarësisht se këtë nuk e po e pranon pozita, pra lidershipi kosovar.

“Kriza politike dhe institucionale po shihet se ekziston,pavarësisht se lidershipi kosovar nuk po e pranon. Pozita i ka numrat, mirëpo problemi është që pa opozitën nuk ka legjitimitet të plotë në demokraci. Problemi tjetër është se nuk po mund të zhvillohen seancat e Kuvendit të Kosovës dhe pa funksionim të Kuvendit është problem edhe vetë funksionimi i qeverisë”, thotë Maloku.

Maloku mendon se presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është dashur të intervenoi më herët. Ajo nuk është dashur të pres të eskaloi situata deri aty ku pastaj është e vështirë rrugëdalja.

“Sipas mendimit tim presidentja është dashur ta bëjë edhe një tentim të uljes në tavolinë të akterëve politikë dhe gjetjes së një zgjidhje nga kjo situatë dhe pastaj nëse duhet të ndërhyjë faktori ndërkombëtar.

Unë mendoj se e fundit është ndërhyrja e një pale të tretë, sepse pa këtë ndërhyrje nuk mund të ketë zgjidhje këtu për shkak të vet pozicioneve të ngurta që i kanë marrë opozita dhe pozita. Edhe pse te faktori ndërkombëtar ekziston një problem, e ai është se i ka raportet e ngrira me Lëvizjen Vetëvendosje!, pra nuk ka pasur asnjë bisedë ndërmjet kësaj lëvizje dhe faktorit ndërkombëtar”, thekson Maloku.

Maloku nuk ka preferuar t’i komentoi pohimet se megjithatë faktori ndërkombëtar nuk është që nuk po ndërhynë, por ndërhyrja e tij tash për tash duket të jetë e njëanshme, pasi po ia mbanë anën pozitës pa e gjykuar fare tendencën e ekskomunikimit të saj me opozitën.

Sociologu Genc Xërxa deklaron për KosovaLive se inatet mes dy taborëve dhe mungesa e arsyeshmërisë apo nacionalitetit institucional, mbizotërimi emocional dhe euforik duke shikuar interesat e ngushta të grupeve të interesit, duke anashkaluar interesat nacionale, mund ta destabilizojnë gjendjen e brendshme institucionale dhe sociale të vendit. Pra, situatat e këtilla vendin mund ta shpiejnë në një anarki, apo të shkaktojnë destabilizim social.

Ai thotë se e vetmja mënyrë për tu tejkaluar këto dallime është dialogu, komunikimi i sinqertë mes vete duke mos lajthitur popullatën apo shoqërinë. Ndryshe është rrezik që popullatën, e cila edhe ashtu po përballet me gjendje të rëndë ekzistenciale, ekonomike, sociale në vend, ta shpienë drejt çekuilibrimit edhe të rendit shoqëror.

Xërxa vlerëson se anashkalimi i kërkesave të opozitës dhe injorimi ndaj tyre nga institucionet udhëheqëse vetëm mund ta përshkallëzoj situatën në vend.

“Kriza institucionale ekziston, vetëm kush nuk dëshiron ta pranoj apo nuk dëshiron të sheh. Pozita e ka përgjegjësinë për të komunikuar me opozitën, për dialog të sinqertë me opozitën edhe pse lejuan që gjakrat të nxehen në një masë të madhe.

Opozita nuk duhet anashkaluar jo vetëm se përbenë edhe ajo një pjesë të elektoratit dhe zërit të përfaqësimit në vend, por se pa opozitë nuk ka demokraci”, thotë Xërxa.

Ai shton se edhe opozita duhet sofistikuar metodat e protestës dhe të shprehjes së pakënaqësisë, duke mos përdorur metoda që mund të gjenerojnë dhunë dhe dëmtim të shëndetit të deputeteve.

“Opozita gjithsesi duhet të gjejë mënyra të tjera të faktorizimit të saj edhe për shprehje të pakënaqësisë dhe të protestës, edhe për angazhim e përkujdesje që kanë të bëjnë me çështjet madhore kombëtare në vend, sikurse edhe për brengat dhe dyshimet se pozita po bënë veprime kundër interesit kombëtar dhe shtetësisë së Kosovës”, theksoin ai.

Xërxa ka përmendur dobësinë e faktorit vendor që shpeshherë nuk ka ditur të gjejë forcë kompromisi për të siguruar një zgjidhjet pranueshme për çështje të caktuara dhe në të shumtën e rasteve është involvuar faktori ndërkombëtar edhe për çështje që nganjëherë janë dukur tejet banale për faktin se faktori vendor është treguar i padenjë për t’i zgjidhur.

I lutur që t’i komentoi deklaratat e shpeshta të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, se ajo është një faktor uniteti dhe rolin e saj që ajo do të duhej ta kishte menjëherë që në rastin e parë kur nga opozita u bllokua mbajtja e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, Xërxa nuk ka dashur të komentoj, por gjithsesi e ka pranuar se presidentja është vonuar, por edhe kur ndërhyri, sipas tij, nuk solli ndonjë rezultat dhe vetëm sa dëshmoi se ndikimi i saj është mjaftë i brishtë dhe jo aq autoritativ.

Xërxa mendon se ndërhyrja faktorit ndërkombëtare është e padiskutueshme në ofrimin drejt një zgjidhje të pranueshme mes palëve.

“Pra, pritet që këto ditë dy taborret kundërthënëse të ulen me ndërmjetësimin e palës ndërkombëtare dhe të gjejnë një zgjidhje të pranueshme. Shpresojmë të gjinden një zgjidhje më e mirë mes autoriteteve në vend me qellim të ruajtjes së stabilitetit apo rendit institucional dhe social, si dhe atij kushtetues”, nënvizon Xërxa.

Siç ka raportuar KosovaLive kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke u sjellë sikur të ishte një situatë krejt normale, e cila nga të gjithë vlerësohet se është jonormale, të martën caktoi për 2 nëntor seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ndërsa i menjëhershëm ishte reagimi i partive opozitare, të cilat vazhdojnë ta quajë provokim të pozitës caktimin e seancave plenare, por pozita vazhdon të bëhet e shurdhër.

Adonis Tahiri, zyrtar për informim në Lëvizjen Vetëvendosje!, tha për KosovaLive se opozita e bashkuar është shumë e vendosur në qëndrimet dhe kërkesat e saj dhe serish do ta bllokojë mbajtjen e kësaj seance duke mos i zgjedhur mjetet.

“Nuk do të lejojmë zhvillim normal të jetës institucionale pa i tërhequr marrëveshjet e dëmshme për Kosovën, si ato të 25 gushtit të nënshkruara në Bruksel, veçmas atë për Asociacionin e komunave serbe dhe marrëveshjen e nënshkruar një ditë më vonë në Vjenë për demarkacion e kufirit me Malin e Zi.

Pra, ne do të vazhdojmë me çdo kusht të protestojmë brenda Kuvendit, me mjetet dhe metodat tona, deri sa të realizohen këto kërkesa”, theksoi Tahiri. /KosovaLive

Më Shumë

Pasuria e kryetarit të Suharekës e deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionin po vazhdon deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publikë. Pasurinë në këtë agjenci e ka deklaruar edhe kryetari i Komunës...

MKRS në ditën përmbyllëse të festivalit “Hasi Jehon”: Vendtakim kulturor që sjell trashëgiminë e pasur folklorike

Në Gjonaj të Hasit po mbahet (2-4 maj) edicioni i 35-të i Festivalit folklorik “Hasi Jehon 2024”. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një...

Moti sot me shi

Lajmet e Fundit