5.7 C
Prizren
E hënë, 24 Shkurt, 2025

Dënimi me burgim i zëvendësohet në gjobë të akuzuarit për sulmin ndaj mjekut në Kijevë të Malishevës

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, e ka dënuar me tre muaj burgim, të akuzuarin për lëndim të lehtë trupor, Mahmut Hoxhaj.

Por, me kërkesën e të akuzuarit ky dënim i është zëvendësuar në gjobë në shumë prej 800 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit, Lulzim Paçarizi, dënimin me gjobë, i akuzuari Hoxhaj është i obliguar ta paguaj në afat prej 15 ditësh, nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, në të kundërtën do t’i zëvendësohet dënimi me burg prej tre muajsh.

I akuzuari është obliguar që ta paguaj edhe shumën e shpenzimeve procedurale në shumën prej 70 euro.

Ndërsa, i dëmtuari, Ardit Kryeziu, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

Në seancën e mbajtur më 28 shkurt 2019, i akuzuari Mahmut Hoxhaj, e kishte pranuar fajësinë, për akuzën që i vihej në barrë.

Në këtë rast për të njëjtën vepër penale akuzohej edhe Albert Hoxhaj, por në seancën fillestare, të mbajtur më 4 tetor 2018, me aktvendim të Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, është veçuar procedura penale ndaj tij, me arsye se në bazë të verifikimit të vendndodhjes së tij, nga Stacioni Policor në Malishevë, i njëjti gjendet jashtë vendit, përkatësisht në Itali.

Sipas aktakuzës së ngritur më 25 prill 2016, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Albert dhe Mahmut Hoxhaj akuzohen se më 08 dhjetor 2015 në fshatin Kijevë, Komuna e Malishevës i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Ardit Kryeziu, mjek në Shtëpinë e Shëndetit në Kijevë.

Bazuar në aktakuzë, të akuzuarit Hoxhaj duke u koordinuar në mes vete, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme, e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin Kryeziu në vendin e tij të punës, duke e goditur me mjet të fortë metali në krahun e djathtë dhe në shpinë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme.

Me këtë, të akuzuarit Albert Hoxhaj dhe Mahmut Hoxhaj, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” të paraparë me nenin 188, paragraf 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Egli i ulet në gjunjë Gjestit: Më fal

Ditën e sotme Gjesti dhe Egli kanë pasur një debat shumë të ashpër me njëri-tjetrit duke marrë shkas nga situatat e ndodhura së fundmi...

Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së nga Prizreni, Fahri Osi

Ka ndërruar jetë në moshën 53 vjeçare, veterani i UÇK-së nga Prizreni, Fahri Osi. Varrimi i veteranit të ndjerë do të bëhet ditën e hënë...

Lajmet e Fundit