Derëza e hapur në murin e Lumëbardhit është rrezik i madh për fëmijët e këtij qyteti dhe atyre që e vizitojnë atë, sikurse që janë edhe qentë endacakë. Njëra nga dukuritë shqetësuese në gjithë Kosovën tashmë është bërë problemi i qenve endacakë, bile ka disa komuna që kanë pësuar edhe me raste të viktimave, fëmijë me vdekje, si në Fushë-Kosovë. Këtë shqetësim të ngritur vite më parë e ka edhe qyteti i Prizrenit.
Domosdo se si rast shqetësues është numri i konsideruar i qenve endacakë edhe në sheshin “Shatërvan”, por edhe në pjesë tjera të qytetit, e sidomos në periferi, atje ku edhe qytetarët e pandërgjegjshëm po krijojnë deponi artificiale. Ata po shqetësojnë qytetarët e në veçanti vizitorët e shumtë që vijnë për ta vizituar qytetin e Prizrenit. Imazh jo të këndshëm krijojnë në shesh, duke ulur rejtingun e këtij qyteti historik, i cili konsiderohet si qytet i pastër dhe me pasuri të mëdha trashëgimore.
Fëmijët në panik
Disa nga qytetarët, të cilët çdo ditë po përballen me këto pamje, kërkojmë nga organet kompetente të ndërmarrin diçka në këtë drejtim. Përderisa drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Egzon Elshani, për “Kosova Sot” ka deklaruar se kryeministri ka shpallur gjendje emergjente dhe i ka ndarë 1 milion e gjysmë euro për trajtimin e qenve endacakë dhe ngritjen e strehimoreve në 7 Qendra Rajonale dhe këtë vit me trajtimin e qenve endacakë do të merren kompanitë e zgjedhura nga Qeveria e Kosovës. Mirëpo, këtë problem e kanë ngritur edhe anëtarë të KSBS në Prizren, tregon kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kurse me këtë rast për gazetën “Kosova Sot”, ka folur edhe njëri nga këta anëtar Refet Bushati, i cili ka edhe lokalin e tij në sheshin ‘Shatërvan”. Ai tregon se është esaktë se në mëngjes dhe gjatë tërë ditës këtu në shesh ka qen endacakë. “Mund të them se fëmijëve të shumtë, sidomos gjatë vikendeve u shkaktojnë mjaft frikë këto pamje. Ne kemi diskutuar në KSBS, por tanimë, duke parë se vendimi Qeverisë po vonohet, mirë është që Komuna e Prizrenit të ndërmarrë sa më parë ndonjë veprim që qentë endacakë të largohen së paku nga qendra”, është shprehur ai.
Qytetari Nuhi Zogaj thekson se ajo derë është potencialisht tragjike, sidomos për fëmijët e vegjël, që po qe se bien nga ajo derëz edhe mund të gjejnë vdekjen. Ai shton se tash, si rasti i fundit në Lepenc, kur ka vërshime uji edhe në Lumëbardhë është rrezik i madh për këta fëmijë
“Duhet që sa më parë organet kompetente ta mënjanojnë këtë rrezik”
Në anën tjetër, dera në murin e Lumëbardhit, që gjendet nën Urën e kaltër, mund të jetë një derë me fatalitet, sidomos kjo për fëmijët, të cilët tashmë janë të shumtë dhe që vijnë edhe nga qytetet e tjera për të bërë një vizitë në Prizren. Qytetari Nuhi Zogaj thekson se ajo derë është potencialisht tragjike, sidomos për fëmijët e vegjël, që po qe se bien nga ajo derëz edhe mund të gjejnë vdekjen e sigurt. Ai shton se tash, kur patëm rastin e fundit në Lepenc, kur ka vërshime uji edhe në Lumëbardhë është rrezik i madh për këta fëmijë. Duhet që sa më parë organet kompetente të mënjanojnë këtë rrezik e të mos neglizhohet rasti pa ndonjë arsye, sepse ky problem mund të zgjidhet brenda një ore, që do të shpëtonte jetë. Qytetarët apelojnë nga organet komunale të shtojnë kujdesin që ta zgjidhin problemin e kësaj derëze, sepse jeta njerëzore ka shumë vlerë e të mos tregohen kaq neglizhues.
(Kosova Sot)