36.8 C
Prizren
E martë, 16 Korrik, 2024

Dëshmia e pazakontë e trafikantit shqiptar: Kam kaluar 6 mijë persona me varka drejt Britanisë, biznesi kurrë s’ka qenë më mirë

Problemi i emigracionit të jashtëligjshëm drejt Britanisë së Madhe, me varka lundrimi, përmes kanalit të La Manche, ka qenë kryefjalë e politikës së jashtme evropiane në vitin e fundit.

Por, edhe më tronditës bëhet fakti se këto kalime, kryheshin përmes reklamave të publikuara në median sociale Tik Tok dhe për më tepër, jo pak herë, ata të cilët ishin përgjegjës për këtë, reklamonin veten me fanatizëm në platforma të ndryshme.

Guximi, ka arritur deri aty, sa të flitet edhe në media, krejtësisht hapur, mbi këto tema.

Një trafikant shqiptar, ka thënë për britaniken Daily Express se biznesi “kurrë nuk ka qenë më mirë” dhe se “përfitimet e kalimeve të jashtëligjshme drejt Britanisë kanë sjellë të ardhura të mëdha”.

Ai e identifikon veten si Dini, pa e treguar emrin e vërtetë dhe kalimet e shqiptarëve në mënyrë të jashtëligjshme drejt ishullit, i ka për mburrje.

Ai pohoi se në ditët e ngarkuara, mes 200 dhe 500 emigrantë nga shteti ballkanik e kontaktojnë atë për të rregulluar udhëtime të paligjshme në Britani.

Klientët e tij mbeten të pashqetësuar nga përpjekjet e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të “ndaluar varkat e vogla”, me Britaninë që mbetet destinacioni i vetëm që ai ofron.

Tërheqja kryesore, thotë Dini, është perceptimi se Britania është e pasur dhe shuma të mëdha mund të fitohen nga puna, veçanërisht për ata që dëshirojnë të punojnë në fermat e kanabisit.

“Të gjithë njerëzit duan Anglinë sepse Anglia ka para”, tha ai. “Ata vijnë sepse duan të punojnë në shtëpitë e drogës [fermat e kanabisit] ose të kenë familje atje”.

“Unë kurrë nuk e kam numëruar numrin por është i lartë, ndoshta 6 mijë vitin e kaluar,” shtoi ai.

Kështu, pavarësisht marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për ndalimin e trafikimit, e cila e ka ulur ndjeshëm numrin e personave që kalojnë ilegalisht kufirin, reflektohet se ka ende interes të lartë për të marrë rrugën detare të Kanalit dhe për të kaluar në një tokë të re të premtuar, atë të Anglisë. Albanian Post

Më Shumë

Lajmet e Fundit