7.2 C
Prizren
E shtunë, 1 Shkurt, 2025

Diego Simeone dhe Atletico Madrid-i festojnë 10 vite histori së bashku

Trajneri argjentinas, Diego Simeone, u ul për herë të parë në stolin e spanjollëve të Atletico Madrid-it më 23 dhjetor të vitit 2011. Që nga ajo kohë ai i ka udhëhequr ata drejt majave më të larta të futbollit evropian.

Në karrierën si futbollist, Simeone ka luajtur në dy periudha të ndryshme për Atletico-n. Përgjatë viteve 1994-97 u aktivizua në 98 takime, ku shënoi 21 gola. U rikhtye në 2003 dhe luajti deri në 2005, duke arritur 36 paraqitje dhe dy gola.

Pasi mbylli aventurën si futbollist me skuadrën argjentinase të Racing Club në vitin 2006 ai filloi punë si trajner në klub për pak muaj.

Më pas do të kalonte te Estudiantes-i, River Plate, San Lorenzo, Catania, për t’u rikthyer përsëri te Racing-u dhe më pas te Atletico.

Simeone ishte lojtar me Atletico-n, kur ata fituan titullin e nëntë dhe të fundit në La Liga në sezonin 1995/96, para se të fitonin dy tituj të tjerë nën drejtimin e argjentinasit (2013/14 dhe 2020/21).

Nga shumëkush, Simeone njihet si njeriu që transformoi Atletico-n në një superfuqi të futbollit evropian. Jo më kot, ai është dhe trajneri më i paguar në Evropë, me pagë rreth 28 milionë paund në sezon, si dhe ka dorë të lirë në merkaton e klubit.

51-vjeçari e ka dërguar Atletico-n në dy finale të UEFA Champions League, por pa mundur të ngrejë trofeun.

Të dy finalet i ka humbur përballë rivalëve të kryeqytetit, Real Madrid-it. Një herë në kohë shtesë me rezultatin 4-1 (2014) dhe një herë tjetër me penallti 5-3 (2016).

Në total, janë tetë trofe të fituar nga Simeone në këto 10 vite që drejton spanjollët. Dy trofe të La Liga-s, një Kupë dhe një Superkupë të Spanjës, dy UEFA Europa League dhe dy Superkupa të Europës.

Janë plot 551 ndeshje në të gjitha kompeticionet zyrtare, ku Simeone ka udhëhequr Atletico-n. 327 fitore, 127 barazime dhe 98 humbje. 924 gola të shënuar dhe 440 të pësuar. Mesatarja e pikëve për ndeshje është 2.01.

Kapiteni Jorge Koke, është lojtari më i përdorur nga trajneri argjentinas përgjatë kësaj kohe. Mesfushori është aktivizuar në 486 ndeshje.

Më pas vijnë Diego Godin-i me 344 ndeshje, Saul Niguez-i me 340 ndeshje, Gabi me 329 ndeshje dhe Jan Oblak-u me 327 ndeshje.

Real Madrid-i është klubi me të cilin është përballur më shumë. Në total janë 35 ndeshje, ku numëron nëntë fitore, 11 barazime dhe 15 humbje.

Getafe është skuadra e vetme në La Liga, me të cilët Aletico është përballur 20 herë dhe nuk ka marrë asnjë humbje. 17 fitore dhe tre barazime.

Jose Luis Mendilibar-i dhe Ernesto Valverde janë dy trajnerët me të cilët është ndeshur më shumë në La Liga Simeone, nga 17 herë.

Me Mendilibar-in numëron 13 fitore, tre barazime dhe një humbje. Me Valverde-n numëron nëntë fitore, pesë barazime dhe tre humbje.

Aktualisht, Atletico e Simeone-s renditet e pesta në La Liga me 15 pikë larg kreut. Gjithashtu ata janë në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës dhe në raundin e të 16-ve në Champions League ku do të përballen me Manchester United.

/Albanianpost.com

Më Shumë

Policia shqiptoi 1514 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1514 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Policia i shqipton mbi 1 mijë e 700 tiketa trafiku për 24-orë

Policia e Kosovës në 24-orët e fundit ka shqiptuar 1 mijë e 779 tiketa trafiku. Në raportin e policisë thuhet se kanë ndodhur 38 aksidente,...

Lajmet e Fundit