3.8 C
Prizren
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

‘’Dita e fundit e një të dënuari’’ dhe revolucioni i pendesës

‘’Dita e fundit e një të dënuari’’ është romani që do të na ngrejë mendjen në qiej reflektimi Viktor Hygo. Pena tragjike e të cilit përftoi përjetësinë e Everestit të romantizmit. Lindur më 1802, ai vazhdon të mbetet një prej shkrimtarëve klasikë që ngjeth vizionin e asaj çka quajmë botë dhe jetë tonën, qysh prej shekullit XIX.

Që në rreshtat e parë të romanit, ndeshemi me një mitizim të njeriut. Autori, si duket, mat kohën tonë duke matur kohën e heroit të tij. Ai i referohet të tashmes, duke rrëmuar lutje për një të nesërmen, duke e trajtuar këtë në formë tragjike. Flasim për ditën e fundit të protagonistit. Ç’ndodh në një ditë, kur e di tashmë fatin tënd? Ç’ndodh në mendjen dhe mënyrën e një ridimensioni këndvështrimi përgjatë orëve të fundit?

Gjithçka është thelbi që kemi brenda nesh: ‘’njeriu’’. Hygo, përmes këtij romani kuptimplotë, na udhërrëfen ndërgjegje, pendesë, kuptimësi dhe dhimbje. Depërton në skuta të thella të qenies duke e shpërfaqur në mënyrën më elegante dhe dënimin e personazhit të tij. Nuk toleron!

Pra, një kryevepër e rrallë që nis me ballafaqimin e asaj të vërtete që me përpikmëri tërheq vëmendjen e lexuesit:

‘’I dënuar me vdekje! Po bëhen gati pesë javë që jetoj me këtë mendim. Dikur isha një qenie e lirë… tani jam robëruar… tashmë kam vetëm një mendim, një bindje, një siguri: I dënuar me vdekje. Çfarëdo që të bëj… të lëviz kokën apo të mbyll sytë, futet tinëz nën gjithë format, nga ku mendja ime do të dëshironte t’ia mbathte. Përzihet si një refren i tmerrshëm me gjithë fjalët që më drejtohen, bashkëjeton me mua prapa hekurave të neveritshme të birucës time.’’

Doemos ti ngec në një shteg kurioziteti, kështu që kërkon të dish, a mendon për të nesërmen ky fatkeq dhe mëkatar i kohës? Ashtu në qeli, vetem me të djeshmet e tij. E ndërsa pret avokatin me nevojën e madhe të të shprehurit këtë metamorfozë ndjesish, fillojmë të kuptojmë :

  • Të pret burgimi i përjetshëm me punë të detyruar.
  • Çfarë jeni duke thënë, zotëri?- u përgjigja i revoltuar. Më mirë dënimi me vdekje, sesa puna e detyruar. Po, vdekja është më e mirë!

Ky detaj na përgatit se si manifestohet ndjeshmëria në dykuptimësinë e saj. Hygo na deklaron mosmarrveshjet që kemi me veten nëpërmjet nëntektseve të stilit të zhveshur që lëvron.

I dënuar me vdekje! E po, përse jo? Njerëzit, më kujtohet ta kem lexuar nuk e di se në cilin libër: Të gjithë janë të dënuar me vdekje me disa pezullime të papërcaktuara. Pra , cfarë duhet të kishte kaq ndryshe situata ime? Që nga çasti që m’u komunikua dënimi me vdekje, sa prej personave që mendonin se jetonin gjatë kanë vdekur?

Hygo gjykon, duke i thënë gjërat shkarazi. Fuqia e bërthamës së tij është përjetimi, magjia e dyshimit.

  • Përse të mos e provoj t’i shpreh vetvetes gjithçka të dhunshme dhe të panjohur që po provoj në këtë gjendje prej të braktisuri në të cilën ndodhem? E çfarë është dhimbja fizike përpara dhimbjes morale?

Autori në këtë sprovë të konkretes, rëgëtin heroin duke na vënë në pozitë duale përmes tij.  

Inteligjenca duhet të ligështohet, qaforja e burgut dënon me vdekje. Thuhet se njerëzit duan ta ndajnë përgjysmë detyrimin ndaj qiellit, me atë të xhelatit.

Lutja për falje është një litar që të mban pezull mbi humnerë. Dhe gjatë gjithë kohës mund të dëgjosh kërcëllimën e tij derisa të këputet përfundimisht. Është njëlloj sikur hanxhari gijotinës të qëndrojë pezull gjashtë javë, derisa të bjerë mbi kokën për t’u prerë. Po sikur ta merrja faljen? Të fitoja faljen! Nga kush? Përse dhe si? Është e pamundur të më falin. ‘’ Të bëhem shembull’’!- siç shprehen ata.

Hygo, ky dishepull që përfaqëson një mori fatesh të shekullit XIX , kumton revoltën e shpirtit. Në këtë roman, ai i mëshon ‘’vetëdijes për absurditetin e veprimeve që ne bëjmë’’. Ndërsa personazhi i tij ka në dorë të vërtetën e vet tashmë dhe asgjë nuk e ndihmon të gjejë zgjidhje.

  • E po mirë, mendoj – për cfarë po mendoni?
  • Po mendoj – ia ktheva- se sot nuk do të mendoj më.

E kisha lëshuar veten moskokëcarës, si në ëndrrat e atyre që janë të përgjumur.

Fati është i pashmangshëm, po ashtu dhe vdekja. Dhimbja që fshihet në skutat e shpirtit, e përshkon këtë roman nga fillimi në fund.

Ndërmjet dy shtyllave të ndriçimit të platformës, sapo kisha parë diçka ogurzezë.

Oh! Ishte realiteti…

Ndryshe nga shkrimtarët e tjerë që vdekjen e përdorin për të mallëngjyer lexuesin, Hygo zgjon sensin e gjykimit. Atë sens që në fakt, është kaq koherent dhe sot.  Sepse liria është ajo që çdokush e kërkon: me apo pa faj. /Konica.al/

Më Shumë

Kryetari i ri i OVL-së së UÇK-së në Prizren, Isa Berisha, falënderon delegatët për besimin e dhënë

Kryetari i ri i OVL-së  së UÇK-së në Prizren, Isa Berisha, ka falënderuar delegatët për besimin e dhënë në mënyrë unanime, pas zgjedhjes së...

U mbajt turneu tradicional i shahut ndërmjet Kukësit dhe Prizrenit

Në qytetin e Kukësit u zhvillua edhe këtë vit turneu tradicional i shahut, një ngjarje që përfshin dy ekipe të qyteteve Kukës dhe Prizren. Ky...

Ikja nga vetmia

Lajmet e Fundit