Festivali “DokuFest” ka reaguar karshi “dezinformarave të përhapura” së fundmi në mediat sociale dhe në disa prej mediumeve vendore, të cilët hodhën akuza se shfaqja e bujshme e eventit hapës të “DokuNights” ishte e qasshme edhe për personat nën moshën 18-vjeç.
Përmes një statusi të publikuar në llogarinë zyrtare të festivalit në Facebook, organizatorët e “DokuFest” kanë thënë të kenë dyshime mbi përpjekje të caktuara për minimin e misionit të kësaj ngjarjeje kulturore.
Në statusin e publikuar, është riktheksuar se shfaqja që çoi në protesta në Prizren e grupit kanadez, “Peaches”, ishte mbajtur komfort rregullave etike dhe me kufizime të nevojshme, transmeton AlbanianPost.
“Jemi thellësisht të shqetësuar nga përhapja e fundit e dezinformatave që sugjerojnë se koncerti i hapjes së DokuNights ishte i qasshëm për të miturit, si dhe nga retorika nxitëse e urrejtjes që pasoi. Kjo na ka bërë të dyshojmë se ka përpjekje të fshehtë për të minuar misionin tonë për adresimin e të drejtave të njeriut dhe çështjeve sociale përmes artit dhe kulturës”, thuhet në postim.
“Dëshirojmë të vendosim gjërat drejt në lidhje me koncertin e artistes dhe aktivistes për të drejtat e njeriut, ‘Peaches’. Koncerti në fjalë u zhvillua brenda një zone të rrethuar mirë, e kufizuar rreptësisht për të pranishmit 18 vjeç e mbi, vetëm me bileta të blera”, thuhet tutje.
“DokuFest” i ka cilësuar akuzat në fjalë si “të pabaza”, ndërsa kanë shtuar se retorika e rezervuar rezultoi të prodhojë dhunë në protestën e bërë kundër mbajtjes së festivalit.
“Akuzat e pabaza ndaj festivalit tonë, fatkeqësisht kanë bërë jehonë në media, përfshirë ato ndërkombëtare, duke paraqitur një pamje të padëshiruar që keqinterpreton vlerat progresive dhe demokratike të shoqërisë sonë”, shkruhet në postim.
“Është thellësisht shqetësues fakti që retorika nxitëse nga disa figura publike ka eskaluar në dhunë gjatë protestës, siç u pa në rastin e gazetarit të mediumit Nacionale, Vullnet Krasniqi”, u shkrua tutje.
Në emër të festivalit është kërkuar sjellja pranë organeve të rendit dhe ligjit e të gjithë autorëve që kontribuan negativisht në shprehjen e revoltës kundrejt edicionit të sivjetëm.
“Kërkojmë nga autoritetet që të sigurojnë që autorët e këtyre akteve të urrejtjes të sillen para drejtësisë”, shkruan ata tutje.
Për fund, ekipi i “DokuFest” u zotua të qëndrojë i palëkundur, për siç shkruan ata, realizimin e “misionit për promovimin e të drejtave të njeriut”.
“DokuFest është dhe do të jetë gjithmonë një fener për të drejtat e njeriut. Ne mbetemi të palëkundur dhe të sigurt në misionin tonë për të promovuar të drejtat e njeriut dhe barazinë për të gjithë”, u tha për fund në status.
“DokuFest”, nisi me 4 gusht dhe zgjati deri më 12 gusht, derisa tema e këtij viti “I AM AI AM I”, që ka vënë në pah pikërisht marrëdhënien e ngushtë mes njeriut dhe inteligjencës artificiale.Albanian Post