10.6 C
Prizren
E martë, 18 Nëntor, 2025

“DokuFest” – urë lidhëse për nxitjen e mendimit kritik nëpërmjet filmave

Kur shkollat u mbyllën dhe nisi mësimi online, stafi i programit edukativ të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, udhëhequr nga departamenti i “DokuLab”, iu përveshën punës. E bënë të qasshme 100 për qind platformën e tyre online. Ishte një lehtësim për mësimdhënësit që për shkak të pandemisë u ballafaquan me sfidat e mësimdhënies në distancë. Atyre iu bë më e lehtë qasja në filmat e prodhuar nga “DokuFesti”. Qëllimi ishte i thjeshtë: përdorimi i mjeteve audiovizuale për zhvillimin e mendimit kritik, diçka që ka filluar që të zbatohet me intensitet dy vjetët e fundit. Në këtë formë mësimdhënësit përmes platformës online mund të kenë qasje në mbi 30 filma dokumentarë. E këtë mundësi janë duke e shfrytëzuar disa shkolla.

Drejtori i “DokuLab”, Eroll Bilibani, ka thënë se “DokuFest” shërben si lehtësues në këtë proces, duke siguruar filma dokumentarë që ndihmojnë në zhvillimin e kompetencave të nxënësve, me një kujdes të veçantë në zhvillimin e mendimit kritik dhe analitik. Ai ka treguar se gjatë gjithë kësaj periudhe të pandemisë ata kanë organizuar sesione të rregullta të shfaqjes së filmave në shkolla, duke përdorur filmat e prodhuar përmes Qendrës së Prodhimit të Filmit Dokumentar “DokuFest”, sikurse edhe filmat e tjerë që janë siguruar nga produksionet e njohura ndërkombëtare.

Në mesin e filmave që janë të qasshëm në platformën online është edhe filmi dokumentar “Kosova Trans” nga Albrim Isufi. Filmi sjell rrëfimin për një transgjinore 18-vjeçare në Kosovë dhe rrugëtimin, betejat e transformimin e saj. Debati për këtë film përqendrohet në pranimin dhe të drejtat e komunitetit LGBTI në Kosovë. Në platformë është edhe filmi dokumentar “Burrë”, nën regji të Dafina Dakës, koncepti i të cilit është ngritja e vetëdijes ndaj maskulinitetit toksik, e që çon në pasoja emocionale, siç janë depresioni, agresioni, vetëvlerësimi i ulët, demotivimi e konfuzioni në vendimmarrje sidomos në zgjedhjen e karrierës. Filmi nxit diskutime mbi stereotipizimin gjinor dhe rreziqet e të pasurit punë me specifika gjinore. Në mesin e filmave që janë të qasshëm është edhe filmi “Nën duvak” nga Entela Hoxha, që përqendrohet në martesat e hershme, e “Ergys” nga Rina Celina, që nxit diskutim për rëndësinë e aspektit ekonomik për lumturinë.

Bilibani ka thënë së kjo metodologji, e cila u mundëson mësimdhënësve përdorimin e mjeteve audiovizuale për mësimdhënie dhe mësimnxënie më të mirë, ka gjetur zbatim në një numër të konsiderueshëm të shkollave anembanë Kosovës. Saktësisht në shkolla të mesme të larta në Komunat e Prizrenit, Gjakovës, Lipjanit, Gjilanit, Ferizajt, Suharekës e Podujevës./Koha Ditore

Më Shumë

Mbrëmje europiane basketbolli në Prizren – Bashkimi nesër e pret Pallacanestro Reggiana-n

Pas fitores bindëse ndaj Cibonës (89:69), Bashkimi mban gjallë shpresat për kalim të grupit në FIBA Europe Cup, raporton PrizrenPress. Nesër (e mërkurë), prej orës...

Pas shfaqjes së arinjve në fshat, shkolla në Bellobrad kërkon masa sigurie nga policia

Shkolla ‘Sezai Surroi’ në Bellobrad të Dragashit ka dërguar një kërkesë zyrtare drejt Policisë së Kosovës për ndërmarrjen e masave të menjëhershme të sigurisë...

Lajmet e Fundit