14.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Drejtësia e çalë, plagë e rëndë për Kosovën

Ndër plagët më të mëdha që vazhdojnë ta përcjellin vendin tonë është pikërisht edhe mungesa e një drejtësie efikase, të paanshme dhe të pandikuar nga nëntoka, politika e parapolitika. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe, të cilët kanë sugjeruar se ky është një tregues se këtij sistemi të drejtësisë i duhen reforma substanciale që nga gjyqësori, prokuroritë etj., që njëherë e mirë të funksionojnë vetëm shteti ligjor dhe përgjegjësia para ligjit dhe së drejtës për të gjithë njësoj, por edhe ndarja e drejtësisë në mënyrë të dinjitetshme dhe me etikë profesionale e ligjore. Ndaj në këtë drejtim është ngritur edhe pyetja se a është sëmurë edhe shoqëria nga mosefikasiteti i gjyqësorit një shoqëri që “pajtohet” në heshtje me mosfunksionim e mossundim të ligjit, por edhe me mosluftim të korrupsionit e krimit të organizuar?

Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se një drejtësi efikase, e paanshme, dhe e pandikuar nga nëntoka e nga politika dhe parapolitika, e cila tek ne mungon që nga paslufta e deri më sot, do të ishte një predispozitë e një sistemi të drejtësisë me integritet dhe të një drejtësie çfarë i duhet shtetit tonë për të funksionuar shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit, në të kundërtën, sipas tij, edhe për sa kohë të sundojë në këtë sistem të drejtë- sisë kapja dhe ndikimi i politikës dhe parapolitikës, atëherë këto hallka të shtetit ligjor, siç tha, janë larg standardit evropian, e ku sikur në Evropë drejtësia dhe shteti ligjor funksionojnë të pavarur dhe të pandikuar nga politika, shkruan gazeta Kosova Sot.

Duhen reforma substanciale

Sipas Kelmendit, kësisoj aty sundojnë vetëm e drejta ligjore dhe sundimi i ligjit për të gjithë qytetarët baras dhe për rrjedhojë kështu vijnë në shprehje vetëm sundimi i ligjit dhe përgjegjësia para drejtësisë e ligjit.

“Kështu pashmangshëm atëherë edhe do të ngrihej edhe besimi i qytetarëve ndaj drejtë- sisë, e që në rastin e drejtësisë kosovare ky besim i qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë ka humbur bukur shumë, mbase pikërisht për shkak të mosefikasitetit të kësaj drejtësie që të jetë e pandikuar nga politika dhe parapolitika, por edhe të jetë e paanshme dhe me integritet profesional në ndarjen e drejtësisë për qytetarët”, potencoi ai.”Ndërsa, në anën tjetër, shoqëria jonë jo se është pajtuar me këtë gjendje të pashpresë, por mbase nuk ka besim gjithaq tek drejtësia, pra asaj i është shpërfillur besimi dhe ky është një tregues se këtij sistemi të drejtësisë në vend i duhen reforma substanciale që nga gjyqësori, prokuroritë etj., që njëherë e mirë të funksionojnë vetëm shteti ligjor dhe përgjegjësia para ligjit dhe të drejtës për të gjithë baras, por edhe ndarja e drejtësisë në mënyrë të dinjitetshme dhe me etikë profesionale e ligjore”, është shprehur Kelmendi.

Shoqëria ende e pafuqishme për të reaguar

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se barabarësia para ligjit nuk po ndodh, ani pse ajo është obligim kushtetues, pasi dy nene të Kushtetutës e predikojnë barazinë e qytetarëve para ligjit, derisa, sipas tij, për këtë edhe pasiviteti shoqëror mbase është një rrethanë ndikuese, sepse siç tha në shoqëri disi është bërë një letargji, jo vetëm pasive, por letargjike deri në amnezi, e përgjumur, ngase sikur nuk ka aktivizim qytetar, po ashtu as relacion qytetar në kuptimin e realizimit të drejtave që thjesht secili qytetar të mos pres me vite e dekada për t’ju realizuar një e drejtë.

“Por ja që thjesht kemi një shoqëri po them amorfe dhe një shoqëri letargjike, e cila nuk reagon, është mjaft e vuajtur dhe përvuajtur, pasi ka përjetuar lloj-lloj tragjedish, edhe gjenocid, edhe trauma nga pushtuesit, në këtë rast nga armiku serb dhe tashmë thjesht në një mënyrë apo tjetër është pasivizuar, por do duhej që shoqëria gjithsesi të jetë shumë pro aktive në kuptimin e realizimit të të drejtave të tyre, që ato të realizohen në mënyrë më efikase, por në anën tjetër edhe institucionet mbi të gjitha do duheshin domosdoshmërisht ta bëjnë punën e tyre që të kenë më shumë përgjegjësi ndaj qytetarit dhe më shumë të them efikasitet në kuptimin e realizimit të të drejtave, në këtë rast edhe nga institucionet gjyqësore, por edhe ato të tjerat”, ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” profesori Mazllum Baraliu.

Më Shumë

Moti sot: I vranët dhe vende-vende me riga shiu, temperaturat deri në 21 gradë Celsius

Gjatë ditës së sotme, moti në Kosovë do të jetë i vranët dhe vende-vende me riga shiu. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do...

Moti sot i vranët dhe me intervale me diell

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Sipas këtij instituti, temperaturat maksimale të...

Lajmet e Fundit