33.4 C
Prizren
E enjte, 28 Gusht, 2025

E ëmbla zeshkane

Kur e kishte shikuar për herë të parë kah po i ndërronte hapat, kishte pasur përshtypjen se para tij po defilonte një manekine, e cila ecte në sfilatë mode. Ecja e saj karakteristike aq shumë ia kishte tërhequr vëmendjen dhe aq shumë i kishte lënë përshtypje, sa që, nga ai moment, kishte filluar ta humbë qetësinë e shpirtit, e të ëndërronte veten e tij, të shndërruar në një qilim të shtruar, mbi të cilin do të shkelte këmba e saj, shkruan në përjetimin e tij, P. K., për Portalin tonë “Kosovarja”.

Zeshkania me ecjen e saj karakteristike jo vetëm që e kishte joshur, por edhe e kishte çmendur me këmbët e saj të bukura. Ato ishin magnet që tërhiqnin jo vetëm shikimin, por edhe tërë qenien e tij dhe e shpërqëndronin të tërin. Madje, ato këmbë të bukura të saj ishin bërë pjesë e pandarë edhe e ëndrrave të tij, që i shfaqeshin posa fillonte të dremitej. Ëndrrat ishin të vetmet bashkëbiseduese me të, sepse vetëm me to guxonte të komunikonte, e vetëm atyre mund t’ua tregonte fshehtësinë. Atyre e askujt tjetër ua shprehte ndjenjat që ushqente ndaj zeshkanes, e vetëm ato mund t’i flisnin për këmbët e bukura të saj. Madje, ato i dëftonin se kah e bartnin ato këmbë gjatë ditës, ku i shtrinte gjatë natës, madje edhe ku i freskonte e ku i depilonte ato…

Nuk i lejohej në asnjë mënyrë të fliste me asnjë njeri rreth takimeve aq të pakta që i kishte me zeshkanen. Madje, as emrin e saj nuk i lejohej ta përmendte në prani të të tjerëve. Dhe, meqë i dukej se po eksplodonte nga bukuria, e kishte emërtuar “bombastikë”. E quante kështu, sepse ajo, vërtet, ishte si lëndë shpërthyese, si granatë që kur shpërthen dridh tokën. Eksplozivja granatonte zemrën e tij të fortë, shkëmbore dhe e bënte copë-copë…

Buzët e ëmbla qershi

Ndonëse granatonte me shkëndijat që dilnin nga shikimi i saj, ata sy të bukur i kishte më të ëmbël se rrushi i Suharekës, nga i cili ishte e rrethuar. Meqë kishte shikim të ëmbël, kjo edhe e kishte shtyrë të mendonte se puthjen e parë t’ia dhuronte syve të saj magjepsë. Por, ndjenjat e kishin tradhtuar, sepse atë puthje ua kishte dhuruar buzëve të saj të ëmbla si qershi Anadrini. Bile, vetë puthjen e parë në buzët e ëmbla ia kishte dhuruar mu pranë bregut të Drinit, aty ku rriten qershitë e ku madhështore paraqiten pamjet përreth lumit, që kishin çarë bregoren përmes për të krijuar legjendën e Urës së Shejtë. Edhe simpatia ndaj zeshkanes që po ia çante zemrën përmes, po tentonte të krijojë legjendën e një dashurie që me zor po realizohej pjesërisht. Kjo dashuri po koincidonte me Urën e Shejtë mbi Drin, e cila thuhet se dikur ditën ndërtohej e natën rrënohej, mu si Kalaja e Rozafës. Dhe, dashuria ndaj zeshkanes sapo merrte hov e po zhvillohej, papritmas po shembej e shkatërrohej, sepse po përshkohej nga një rrymë e ftohtë që po e rrënonte. Kjo po i ndodhte, sepse në shumë raste, mu atëherë kur vullkani që po shpërthente e po nxirrte nga brendia llavën përvëluese të dashurisë, vinte një valë e ftoftë sikur të dilte nga thellësia e ftoftë e Drinit, për ta ftohur, për ta shuar, madje edhe për ta ngrirë atë zjarr vullkanik që kishte filluar. Kjo ftohje e akulltë që po shfaqej kohë pas kohe nga ana e zeshkanes, ishte më se e çuditshme dhe aspak popullore. M’u ajo valë e ftohtë, e cila shfaqej herë pas herë, e kishte vënë në dyshim edhe vetë përkushtimin e tij ndaj saj, ani pse dashuria e tij nuk po shuhej për zeshkanen e bukur. Kultura e saj, edukata, mirësjellja, e shumë virtyte të shumta që i kishte trashëguar nga prindër intelektualë, e kishin bërë zeshkanen komplete për t’u lakmuar nga ai.

E urrej, edhe pse e dua shumë!
Pa dyshim, në formimin e saj, veç kulturës prindërore, kishin ndikuar edhe ditët e adoleshencës, të kaluara pranë brigjeve të Baltikut, ku kishte kaluar një pjesë të jetës së saj. Megjithatë, rrushi skandinav nuk e kishte ëmbëlsinë e rrushit të Suharekës, pranë të cilit kishte arritur pjekurinë dhe shijen. Ai, shpeshherë, duke jetuar me frikën se mos zbuloheshin, kishte menduar që dashurinë t’ia shprehte nën gjethet e hardhive të pafund. Aty nuk do t’i zbulonte askush, e aty do të kishte shansin për ta përqafuar e për ta puthur. Ndoshta, vetëm aty, mes trungjeve të hardhisë, do të ishin larg syve të botës, të cilëve ajo u druhej shumë. As përcëllimi i diellit që e kishte djegur buzë detit nuk do t’i shkaktonte dhimbje më tepër se sytë e gojëkëqinjve që hanë bukën e tyre e bajnë gajlet e të tjerëve.

Takimet e vonuara

Ai e donte, e ëndërronte dhe e dashuronte, prandaj kishte dëshirën edhe ta shijonte. Si ta realizonte ai një takim të tillë, ku do t’ia shijonte buzët, sytë, flokët, shpatullat, gjoksin, këmbët e gjithë trupin e saj të bukur si margaritar? Vetëm atëherë ai do të ndihej pafundësisht i lumtur. Por, shpresa e tij kaherë kishte filluar të venitej, deri atë ditë kur ata sërish filluan të bisedonin për dashuri. Atë ditë shpresa filloi t’i ringjallej, e ëndrrat u zëvendësuan me fjalën e tyre të gjallë. Asaj radhe ata po shprehnin gjithë dashurinë e ndryrë që mbanin brenda në thellësi. Në bisedë e sipër, e që ishte bisedë shumë e ngrohtë, ai e pyeti se kur do të realizohej takimi kaq i shumëpritur.

Ajo, pasi dëgjoi kërkesën e tij, u vërë aq shumë në fytyrë sa dukej se u ngrys nata. Zeshkania e mrrolur në fytyrë, si me gjysmë zëri, i kishte thënë se takimi mes tyre nuk do të realizohej… Të paktën, ashtu do ishte edhe për një kohë të gjatë. Kjo po ndodhte jo me fajin e tij, siç kishte thënë ajo, por me fajin e saj.

Edhe pas gjithë kësaj ai prapëseprapë nuk i kishte humbur shpresat. Ai assesi nuk po mund të kuptojë pse zeshkania, e cila i kishte shprehur dashuri, herë-herë i bishtnonte takimit. Por, shpresa se do të ishte me të ishte më e fuqishme se çdo gjë tjetër dhe kjo i jepte kurajë, i jepte fuqi që të mos lëkundej nga dashuria e tij e madhe për zeshkanen…Petrit Kalaja /Kosovarja/

Më Shumë

Arrestohet një kosovar në Morinë, tentoi të fuste kanabis në Shqipëri

Një 32-vjeçar nga Kosova është vënë në pranga nga Policia Kufitare në pikën e kalimit kufitar në Morinë, pasi u kap në flagrancë duke...

BiCredit tani edhe në Prizren, kredi për çdo nevojë!

BiCredit vazhdon të zgjerohet për t’ju shërbyer edhe më afër! Me shumë kënaqësi ju njoftojmë se kemi hapur pikën tonë të re në Prizren, për...

Kërkimi

Lajmet e Fundit