18.1 C
Prizren
E shtunë, 23 Gusht, 2025

EC Ma Ndryshe: Ku është kalldrëmi i Prizrenit?

Prizreni 18788Organizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe” në kuadër të projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm” të mërkurën ka prezantuar dy produkte të reja, që trajtojnë identitetin urban dhe trashëgiminë kulturore të qytetit, që dita-ditës po transformohen, duke i dhënë një pamje tjetër Prizrenit, në kundërshtim me kujtesën kolektive të komunitetit.

Valon Xhabali, Koordinator i Projektit tregon se produkti i parë është hulumtimi për kalldrëmin e rrugëve të qytetit të Prizrenit i titulluar “Ku është kalldrëmi i Prizrenit?”, që sjellë në pah zhvillimet në raport me këtë material, i cili është zëvendësuar me asfalt, madje edhe në rrethin e parë të Qendrës Historike, pa një debat të mirëfilltë me të gjithë akterët shoqëror.

“ Kurese produkti i dytë është harta e shtëpive të vjetra të Prizrenit, që është rezultat i një pune të gjatë të dokumentimit të kësaj pjese të trashëgimisë kulturore. Shtëpitë e vjetra (qytetare) të Prizrenit janë kategoria e trashëgimisë kulturore që ka pësuar më së shumti në 15 vitet e fundit. Harta e shtëpive të vjetra është edhe një përpjekje e EC Ma Ndryshe për të apeluar për veprim qytetar dhe institucional për t’i shpëtuar shtëpitë e mbetura”, thotë Xhabali.

Në hulumtimin “Ku është kalldrëmi i Prizrenit”, theksohet fakti se Prizreni, si qendër urbane, prej shekujsh është dalluar me karakteristikat arkitektonike të saj, ku qyteti është ndërtuar me materiale tradicionale, në mesin e të cilave kalldrëmi përbën identitetin historik të rrugëve e rrugicave të tij. Si i tillë, kalldrëmi i ka dhënë karakter dhe hijeshi shesheve e rrugëve të Prizrenit në të kaluarën, dhe vazhdon ta bëj këtë edhe sot e kësaj dite në pjesët e mbetura.

“Kjo kulturë e shtresuar gjatë shekujve, që është trashëguar deri në ditët e sotme, sipas të gjeturave të hulumtimit është ballafaquar me rrezikun e zhdukjes nga rrugët e Prizrenit për shkak të intervenimeve në emër të zhvillimit të infrastrukturës moderne, duke injoruar në tërësi pjesën identitare të qendrës urbane e historike të qytetit. Madje, pushteti lokal i ka ndërmarrë këto veprime me një qasje autoritative, pa asnjë debat gjithëpërfshirës dhe me bindjen se vetëm establishmenti komunal e di se çka është më e mira për qytetin dhe qytetarët”.

“Si pasojë e kësaj qasjeje, në vitet e pasluftës, në disa rrugë qendrore të Prizrenit është larguar kalldrëmi dhe është zëvendësuar me asfalt. Në emër të lehtësimit të qarkullimit rrugor të automjeteve është sakrifikuar një nga elementet e identitetit historik të qytetit. Dhe kalldrëmi i larguar, sipas raportit, është depozituar në dy lokacione, me evidencë që nuk shquhej për saktësi. Ndërkohë historia e vendimmarrjes për largimin e kalldrëmit bashkë me projektet e hartuara është shlyer nga memoria institucionale e komunës së Prizrenit shkaku i zjarrit që kishte kapluar ndërtesën e administratës lokale”

“Kështu hiri ka mbuluar shumë pyetje që ende mbeten pa përgjigje. Për përgjegjësi e llogaridhënie as që është bërë fjalë. Por ajo çka konstaton raporti, është se Prizrenit i është gjymtuar një pjesë e identitetit, që vështirë se mund të kthehet ndonjëherë”.

“Prandaj ky raport, më shumë vjen si një kontribut në drejtim të promovimit të vlerës së kalldrëmit, dokumentimit të dëmit që i është shkaktuar qytetit me largimin e tij nga rrugët qendrore, parashtrimit të nevojës për ruajtjen e tij dhe eventualisht hapjen e debatit për rikthimin e këtij materiali në përdorim së paku në zonën qendrore të Prizrenit”.

“EC Ma Ndryshe” në korrik të vitit 2013 ka nisur zbatimin e projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Nevoja për mbikëqyrjen e zhvillimeve në sektorin e urbanizimit ka rrjedhë si pasojë e zhvillimeve të shumta negative gjatë periudhës së pasluftës dhe tranzicionit që janë manifestuar me degradimin urban dhe planifikimin e pa-balancuar hapësinor. Projekti do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale”./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Lajmet e Fundit