18.2 C
Prizren
E diel, 6 Korrik, 2025

Elton Deda, personi që riktheu besimin në festivalin e TVSh-së

Edicioni i 54-t shënon edhe rekordin e pjesëmarrjes, me 30 këngë, një shifër më e madhe se ajo e viteve të kaluara dhe tregues i prurjes dhe interesimit të madh këtë vit.

Drejtori Artistik, Elton Deda tha se këtë vit janë rikthyer edhe artistë që e kishin humbur besimin në këtë festival. Synimi i këtij edicioni, sipas Dedës, është minimizimi i defekteve dhe zhgënjimeve të artistëve nga vitet e kaluara.

Më i miri ndër paraardhësit pritet të jetë edicioni i 54 –t i Festivalit të Këngës në Radio Televizion. Kështu kanë premtuar drejtuesit e tij në konferencën e parë për shtyp të mbajtur ditën e djeshme në sallën e orkestrës së Radios, ku edhe u prezantuan detajet e tri netëve të festivalit, që këtë vit nis mbrëmjen e Krishtlindjes.

“Ky festival do të jetë në vazhdën e traditës, por edhe kreativ në të gjithë tërësinë e vet”, – u shpreh drejtori i RTSH-së, Martin Leka, ndërsa drejtori artistik i Festivalit, Elton Deda tha se këtë vit ka risjellë në konkurrim artistë që e kishin humbur besimin te festivali.

“E pranova këtë ofertë për të bërë më të mirën e mundshme dhe ju garantoj që do të jetë më e mira ime. Mendoj se të gjithë paraardhësit kanë bërë punë të shkëlqyer. Mendoj të eci në traditën e tyre, duke u munduar të riparojmë disa defekte e të bëjmë minimale zhgënjimet e shumë artistëve. Kam tentuar të risjell artistë që e kishin humbur besimin në festival. Fatkeqësisht, festivali i ka këto; një konkurrim lë edhe njerëz të pakënaqur. Ideja është të minimizojmë gjërat e pakëndshme nga festivalet e kaluara. Nuk them që do jetë perfekt, por nga unë do të prisni më të mirën”, – u shpreh Deda, duke shtuar se përparësi është respektimi i krijuesve dhe interpretuesve që konkurrojnë në këtë edicion dhe ofrimi i kushteve sa më të mira teknike dhe njerëzore.

Elton Deda tha më tej se janë përzgjedhur 30 këngë për konkurrim nga 70 që janë paraqitur dhe do të shkojnë në natën finale 18 këngë, 9 për çdo natë. Festivali do të nisë mbrëmjen e 25 dhjetorit, ndërsa nata finale do të mbahet më 27 dhjetor.

“Jemi munduar të mos mungojë përfaqësimi i të gjithë brezave, nga i gjithë spektri i artistëve, tekstshkruesve, kompozitorëve e këngëtarëve. Duhet të kemi një kod moral; njerëzit nuk duhet t’i qajmë për së gjalli, por duhet t’ua krijojmë kushtet për përfaqësim, sa i kemi tani. Për këtë arsye kemi bërë një përzgjedhje shumë të këndshme dhe të mirë midis brezave. Është festivali më i madh, që përfaqëson jo vetëm një zhanër apo stil, por një larmi zhanresh, prandaj shumë artistë do e gjejnë veten në këtë festival. Shpresojmë të shkojë gjithçka mirë e të mos kemi zhgënjime”, – ka vijuar Deda, i cili ka konfirmuar pjesëmarrjen e këngëtarit Kozma Dushi, që përfaqëson rekordin e moshës në këtë konkurrim, ndërsa më të rinjtë janë këngëtarët Edea Demaliaj dhe Dilan Reka.

Deda ka zbuluar se nuk do të mungojnë edhe numrat specialë gjatë tri netëve, edhe pse nuk ka dhënë më shumë detaje, pasi ende janë në tratativa me artistët e ftuar.

“Jam i bindur se edhe numrat e të ftuarve do të jenë shumë interesantë dhe jo të një lloji. Do të kemi disa artistë që do të performojnë. Kemi menduar për disa personazhe të dashur që janë ndarë nga jeta këtë vit dhe jemi duke punuar për të krijuar një homazh, një kujtim për veprën që kanë lënë dhe do u jepet rëndësi”, – shtoi Deda.

Edicioni i 54-t shënon edhe rekordin e pjesëmarrjes, me 30 këngë, një shifër më e madhe se ajo e viteve të kaluara dhe tregues i prurjes dhe interesimit të madh këtë vit.

Poeti Agim Doçi, i pranishëm në konferencë, shtroi kërkesën për realizimin e një libreti me tekstet e 30 këngëve konkurruese në edicionin e 54-t të Festivalit të Këngës në RTSh, kërkesë që mori miratimin e drejtorit të institucionit, Martin Leka, si edhe hodhi idenë për rritjen e honorarëve për tekstshkruesit. Leka u përgjigj se buxheti për festivalin nuk mundej të siguronte një shtim të honorarëve, duke shtuar se ky është i vetmi festival ku autorët paguhen, ndërsa Edmond Zhulali shtoi se kjo pagesë bëhej me shifrat që ka aktualisht tregu. Sa i përket të gjithë buxhetit të akorduar për realizimin e Festivalit, Leka tha se është i njëjti me atë të akorduar edhe vitin e kaluar.

Në fund të konferencës u hodh edhe shorti i radhës së këngëtarëve sipas netëve përkatëse. /Mapo.al

Më Shumë

Adhuruesi i kafshëve nga Gjermania vjen në Prizren për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së qenve endacakë

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, priti sot Michael Berger, adhurues i kafshëve nga Gjermania, i cili ka shprehur interes për t’u bashkuar...

Një vit prej ndarjes nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare

Një vit më parë u nda nga jeta, në moshën 88-vjeçare, gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare. Ai ishte shkrimtari shqiptar më i shquar brenda...

Lajmet e Fundit