Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se për ShBA-në, qëllimi final i dialogut Kosovë-Serbi është njohja reciproke.
Escobari këtë deklaratë e ka bërë në kohën e presioneve të shtuara për një marrëveshje Kosovë-Serbi, bazuar në planin franko-gjerman, i njohur tashmë si plani i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes dyja vendeve.
“Politika jonë ka qenë shumë e qartë. Ne mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE për të normalizuar marrëdhëniet. Për ne, njohja reciproke duhet të jetë qëllimi përfundimtar, i rëndësishëm. Ne mendojmë se të gjitha vendet e rajonit duhet të njohin njëri-tjetrin, duhet të reduktojnë barrierat për tregtinë, duhet të ndihmojnë në zgjidhjen e disa prej problemeve të pazgjidhura të mbetura nga vitet ’90 dhe të ecin përpara drejt integrimit evropian”, ka thënë Escobari në një intervistë për mediumin “The Pavlovic Today”.
Emisari amerikan ka thënë se plani franko-gjerman është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe shtoi se pret që palët ta pranojnë atë.