Të mërkurën, kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, ka marrë vendim që super-ekspertizën në rastin penal kundër të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Sali Ademaj dhe Hamdi Zymeraj, ta kryejnë tre ekspertë privatë.
Gjykatësi Osmani, ka deklaruar se që nga 11 shtatori i vitit 2017, ka dërguar tri urdhëresa në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për të kryer ekspertizën në këtë rast penal, por se deri më tani nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga ky fakultet.
Me pajtimin e prokurores së rastit, Ervehe Gashi dhe mbrojtësve Hazir Susuri e Asman Hoxha, trupi gjykues, ka vendosur që tre ekspertë nga lista e ekspertëve të gjykatës, të përpilojnë një super-ekspertizë, pasi që dy ekspertizat e para, janë vlerësuar si kundërthënëse.
Seanca e radhës, në këtë rast penal, do të mbahet më 30 prill 2018, duke filluar nga ora 09:30.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, me 31 tetor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Sali Ademajt dhe Hamdi Zymerajt, të cilët i akuzon se duke qenë anëtarë të komisionit për përzgjedhjen e ofertave për ekskursionin e maturantëve të shkollës “Remzi Ademaj” në Prizren, kanë zgjedhur ofertuesin më të shtrenjtë.
Sipas aktakuzës, me këtë veprim, të akuzuarit kanë shkelur Udhëzimin Administrativ 3/2015, sipas të cilit duhej të zgjidhej operatori me i përshtatshëm ekonomik.
Andaj, sipas organit të akuzës, me këtë rast nxënësit janë dëmtuar për rreth 4.500 euro dhe njëkohësisht u janë shkelur të drejtat operatorëve tjerë konkurrues, të cilët kanë qenë më të lirë në çmim./betimiperdrejtesi/