16.8 C
Prizren
E enjte, 9 Maj, 2024

Prizren: Fëmijët me dy emra për të larguar syrin e keq

Njëra ndër trashëgimitë, që ka bazë në mite e që ruhet edhe sot e kësaj dite, është ajo e emërimit të fëmijëve të hasretit me dy emra. Sot kemi përplot djem të emëruar me nga dy emra. Mirëpo, në të shumtën e rasteve emri i dytë, quhet emri i veshit, por ajo që dallon këtë trashëgimi të moçme shqiptare, që vështirë të gjendet te popujt e tjerë është dy emri i bijve të “hasretit” që është vise shqiptare e si e tillë përdoret edhe në Prizren. “Djemtë e “hasretit” në familjet shqiptare në gjithë trojet etnike kanë pasur në të shumtën e rasteve nga dy emra, emrin e vërtetë dhe emrin në vesh”, shpjegon profesor Sylejman Ranobrava, 84-vjeçar. Edhe profesor Dr. Nexhat Çoçaj, etnolog, tregon për gazetën emërtimet e dyfishta.

Ritualet për mbrojtje nga mësyshi Cocaj thotë se kjo mënyrë e vënies së emrit ka ndodhur për arsye të besimeve dhe besëtytnive.

“Besëtytnitë në lidhje me këtë çështje ndahen në dy grupe: në grupin e parë hyjnë rastet kur është pretenduar që të mashtrohen figurat mitologjike, që u kanë bërë keq fëmijëve, apo edhe i kanë mbytur siç janë lugati, shtriga etj. dhe në grupin e dytë për qëllim të mbrojtjes nga syri i keq.

Është besuar se vënia dy emra të fëmijëve mund ‘ta mashtrojnë’ lugetërit, shtrigat, që të mos i mbysin fëmijët, ngase në të kaluarën është besuar se vdekshmëria e madhe e fëmijëve të vegjël ka ardhur nga pasojat e figurave negative mitologjike. Ndërsa në rastet tjera, me qëllim që të mos fëmija sy, ia kanë vë dy emra. Është besuar se syri keq është ‘hutuar’ dhe nuk e ka sulmuar me të parën fëmijën. Në anën tjetër po për këto qëllime ka pasur raste kur me qëllim të mbrojtjes nga syri keq fëmijëve u janë vënë emrat me qirinj. Ku secili qiri e ka pasur nga një emër dhe ai qiri që është fikur i fundit i ka mbetur emri i atij qiri. Por, nëse ka ndodhur që atë emër ta ketë dikush në fis, atëherë fëmijës i është vënë edhe një emër tjetër. Dhe në këtë mënyrë është shënuar me një emër tjetër, ndërsa familjarët e kanë thirrur në emrin që i ka mbetur nga ndezja e qirinjve, apo edhe e formave të tjera të vënies së emrit”, tregon për “Kosova Sot” profesor  Çoçaj.

Sipas besimeve që hasen në etninë shqiptare, emërimi i fëmijës sidomos i atyre që janë të vetëm, ose siç quhet të “hasretit” bëhet me ceremoni. Asllan Gashi, nga Pirana, tregon si ndodhën kësi rasti. “Fëmijën e marrin dhe e çojnë në një vend ku kalojnë udhëtarët. Atëherë personi që e ka sjellë aty, e merr prapë fëmijën dhe ia ngjet emrin e shtegtarit të rastit. Shërimi i fëmijës sipas besimeve të kësaj ane bëhet në këtë mënyrë nga ‘mësyshi’ dhe tani në rate e këtilla shpesh fëmijët i kanë dy emra. Kalimtari i parë ftohet që të afrohet dhe t’ia prejë flokët fëmijës dhe ta lë një këmishë. Po qe se bëhet ky ritual, besohet se fëmija më nuk sëmurët më nga ‘mësyshi’ “, shprehet Asllan Gashi.

Ai tregon se gjyshja e tij Qelebije Gashi pas lindjes së babait, vetëm dy muaj i kishte vdekur burri, pra gjyshi i Asallanit. “Me këtë rast mblidhen familja dhe duke iu frikësuar mësyshit apo ndonjë sëmundje tjetër ia ngjesin emrin e veshit. Pra nga Osman e emërojnë Keq. “Askush nuk e ka ditur pos familjes se e ka pasur emrin Osman, por të gjithë e kanë njohur me emrin Keq. Këtë emër ia ngjesin nga frika e mësyshit dhe duke emëruar me këtë emër kanë menduar se nuk do të ketë sëmundje të tjera”,tregon për gazetën Asllan Gashi.

Plaka Zelfije Krasniqi nga fshati Damjan e shpjegon se ky adet nis edhe në shtatzëni, kur mendojnë se fëmija është djalë dhe në këtë mënyrë e mendojnë mbrojtjen nga mësyshi apo syri i lig. “Fëmijët ruhen me emra paraprakë në atë mënyrë për të mos u bërë kush magji nga zilia apo smira”, tregon ajo,raporton Gazeta Kosova Sot

 

Më Shumë

Lajmet e Fundit