2.2 C
Prizren
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Femra jonë dhe 8 marsi

HalitKrasniqi-pdkShkruan: Halit KRASNIQI

Kosova ka qenë e pushtuar nga shumë pushtues. Me përjashtim të pushtimit të fundit, me të gjitha vendet e popujt e këtyre pushtimeve, tani kemi një miqësi të shkëlqyeshme. Me përjashtim të Serbisë, e cila derisa ende cenon sigurinë në veri të vendit tonë dhe derisa për gjithë tragjedinë që ka krijuar këtu, së bashku me kërkim faljen, do t’i kthej Kosovës viset e aneksuara të Luginës së Preshevës dhe Sanxhakun, deri atëherë, këto marrëdhënie do të mbetën të tilla. Por, kjo nuk është temë e imja sot. U shërbeva në hyrje për të tërheqë vëmendjen tuaj për atë që synoj të trajtojë. Në periudhën e gjatë të robërimit mesjetar serb dhe deri te robërimi otoman, për më shumë se pesë shekuj dhe pastaj njëqind vjet të ripushtimeve të ndryshme të Beogradit, nuk shquhet asnjë femër e këtyre pushtimeve në krijimin e politikave pushtuese e as në ekzekutimin e dhunës. Edhe ky është një shembull që tregon fisnikërinë e gjinisë femërore dhe tiparin e saj shkëlqyes si qenie njerëzore. Ky virtyt I femrës është edhe në historinë e pushtimeve malazeze, bullgare,greke, naziste dhe fashiste, gjatë së cilave femrën nuk mund ta gjejmë as në krijimin e politikave pushtuese, as në ato ekzekutuese. Dhe, jo vetëm këtu në Kosovë, por as edhe në ndonjë vend tjetër të këtyre kujtimeve të këqija gjate trandjeve në sistemin e vlerave njerëzore.

Devotëshmëria e femrës sonë

Ndërsa shembuj tjerë konkret dhe shkëlqyes të femrës sonë mund të rendisë që nga mbretëresha Teutë e deri të Shotë Galica dhe plejada e luftëtareve të UÇK-së. Me theks të veçantë do të përmendi rolin e veçantë dhe shumë simbolik që zoti i dedikoj bijes së popullit tonë Gonxhe Bojaxhiut, të mirënjohures nobliste, Nëna Terezë.

Për hir të vendit dhe rendit, do të përmend shkarazi personalitete që pas ripushtimit nga Beogradi me 1945 e deri ne ditët tona. Duke filluar me Marije Shllakun e dënuar me vdekje në gjykatën e parë pushtuese këtu në Kosovë. Për të vazhduar me Katarina Josipin, Hyrije Hanën dhe veprimtaret tjera që kontribuuan jashtëzakonisht shumë në Lëvizjen ilegale për çlirimin e Kosovës, në një kohë zezonë për të mbajtur gjallë frymën e lirisë dhe për ta forcuar e rritë idenë e çlirimit. Për këtë kontribut u ndëshkuan me burgje e tortura, pa u thyer e pa u penduar asnjëherë.

Përkundrazi, krenaria i shoqëroj gjatë gjithë jetës së tyre. Edhe sot ato që janë gjallë, kjo cilësi i tipizon. Në këto ecejake historike me përpjekje titanike në një rrugë të rëndë dhe maratonë, plejada tjetër e veprimtareve në Lëvizjen popullore për çlirim, do të shquhet me përplasjen e tyre burgjeve dhe që sot është momenti për t’i përmendur në shenjë respekti dhe falënderimi për rolin e tyre që kanë luajtur dhe për guximin e gatishmërinë që kanë treguar në atë kohë dhe për përjetimin e vuajtjeve dhe tmerrit si nëpër rrathët e Dante Aligerit: Do të filloja duke renditur me mbiemra vajzërije qe kanë ngelur në memorjen time që atëherë si: Drita Kuqi, Teuta Hadri, Trandëlina Labinishti, Nazife Xhemajli, Gjyle Krasniqi, Shyhrete Mala, Hava Shala, Akile Dedinca, Myrvete Dreshaj, Shukrije Gashi, Hanëmshahe Bejtullahu, Hidajete Osmani, Hidajete Krasniqi, Ajshe Gjonbalaj, Kadrije Gashi, motrat Gosalci, Motrat Demaku, Sadete Zhitija, Sala Berisha, Nexhmije Jashari, Lumnije Morina, e shumë veprimtare të tjera te devotshme të cilave iu kërkoj mirëkuptim që do të t’i lë një herë tjetër t’i përmend ashtu si e meritojnë. Për të vazhduar me veprimtaret, tani dëshmore dhe heroina: Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Hyrë Emini, Fatime Hetemi, Majlinda Shala e të tjera heroina që i kanë thurë një aureolë rolit të femres në një moment sfidues dhe në një kohë të papërsëritshme.

Stoicizmi i femres sonë
Femra e këtij vendi ka shfaqur rrezatimin e tipareve mbresëlënëse edhe në forma të tjera inspiruese dhe për respekt si Nëna Nazife Demaçi e cila i dha inspirim në idetë e tij, djalit te hasretit, duke u pajtuar me të: mos iu ndajë nënës së madhe sepse, unë, të lë një ditë, por atdheu nuk të lë kurrë. Pa u penduar asnjëherë në jetë, e as rrugëve të burgjeve për ta takuar djalin një orë të vetme për 20 vjet sa jetoj dhe nuk kishte pendesë, as në momentin kur mbyllë sytë pa djalin e vetem, të cilit ia kishte preferuar këtë rrugë të rëndë, i cili kishte edhe 8 vjet të tjera për të përfunduar dënimin. Gjithashtu peripecitë dhe udhëtimet e motres Ajshe për 28 vite nëpër burgje e kazamate per te vizituar vëllanë e saj të vetëm. Shembuj të tjerë për kohë më të shkurtë gjejmë në një armatë te tërë te nënave e motrave që janë zhuritur për mungesën e djemve të tyre dhe rrugëve të gjata për në burgje e kazamate nga Idrizova e deri në Goli Otok, për më shumë se 50 vite. Këtu do të duhej veçuar Shukrije Osmanin që për 18 vjet e priti bashkëshortin e saj të dënuar sikur edhe mijëra gra të tjera që pritën bashkëshortët e tyre të dënuar dhe më shumë siklete rritën fëmijët e tyre, duke i ushqyer përveç se me bukë e ujë edhe me mburrje e krenari. Ndonjëri nga këta fëmijë me prirje letrare do t’I portretizojë nënat e tyre në personazhe edhe më shkëlqyese se Penelopa e Odiseut.

Me këtë rast nuk mund të mos I kujtojmë gra e vajza demonstruese pa asnjë mashkull me rastin e vrasjes së studentit, Armend Dacit dhe për të vazhduar kujtimin për demonstrueset tjera që përkrah djalërisë demonstruan vazhdimisht sa herë që është kërkuar që nga demonstratat e 1968 -ës e deri në demonstratat e fundit për të shprehur simpatinë për luftën e UCK-së. Këtu në këtë vend dhe sot në këtë ditë nuk mund të mos e përmendim me pijetet nënëmadhen Ajshe Gërvalla, e cila i portretizoi për mrekulli nënat tona të brezit të saj dhe të brezave tjerë që nuk paten fatin të arsimohen, por rrezatuan arsimim përmes intuites, edukates dhe integritetit etik të formësuar në familje nga sistemi I vlerave të shkëlqyeshme të traditës sonë unikate. Falë këtyre karakteristikave edhe rezistuan nëpër shekuj robërie. Nuk mund të mos e përmendim rolin e nënës së djemve legjendar, Zahide Jashari me gra e vajza heroina të familjes së madhe të Jasharëve mitik, deri te nana Salë. Për tu ndalë te nënat që kanë dhënë djemtë e hasretit, si: Xhemile Sopi, nëna e Sokol Sopit, nëna e Ilir Durmishit e nëna të tjera të dëshmorëve të hasretit. Gjithashtu, me këtë rast dhe në këtë ditë do të përmendim Nënën Rukë Haradinaj, e cila në momentet e rënieve ciklike të djemve të saj dëshmorë dhe gjatë evokimit të kujtimeve të atyre momenteve, ka portretizuar e përjetësuar nënat tona stoike, sot e nëpër shekuj si në legjendat epike, duke ngurtësuar dhimbjen e natyrshme amnore.

Gjithashtu për këtë tipar do të kujtojmë nënat e mbi dymijë dëshmorëve të kombit që me bindje intuitive kanë përvetësuar misionin e jashtëzakonshëm për të ngurtësuar lotin dhe për ta mundur dhimbjen me mburrje e krenari për shërbimin që I kanë bërë atdheut dhe lirisë së tijë. Sot dhe këtu, do të përmendim me përulje e respekt për ato gra të dëshmorëve që më shumë vështirësi rrisin e përkujdesen për fëmijët e tyre bonjakë, duke ua mbjellë mburrjen dhe duke I edukuar për krenarinë që duhet t’i shoqëroj deri në formësim, për baballarët e tyre dëshmorë. Me respekt të madh e të veçantë, do të përmendim nënat dhe gratë e mbi dhjetëmijë martirëve të vrarë e të zhdukur të cilat kanë mundur dhimbjen dhe që po rrisin fëmijët e tyre me shumë vështirësi, duke I ushqyer me krenari dhe bindje se të gjithë ata martirë kanë qenë në shërbim të lirisë së sotme. Sot duhet ta përmendim rolin e femrave në uniformen e UÇK-së, të cilat, jo vetëm se i rriten namin vetit dhe këtij vendi, por i kanë bërë ndere një kauze që solli këto momente për të diskutuar për rolin e gjinisë së tyre dhe për përfaqësimin edhe në këtë parlament. Nuk do të na falte zoti të mos ndaleshim në rolin e femrës që luajti gjatë luftës jo vetëm për ushqim dhe në përkujdesje tjera të domosdoshme, por edhe për një rol të veçantë që luajti në përkujdesjen e fëmijëve gjatë gjithë luftës pa burrat e tyre, sa nëpër male këndej e sa me peripeci nëpër Shqipëri, Mal të Zi dhe nëpër Maqedoni.

Femra në të gjitha rolet e saj
Në kohë lufte dhe në kohë paqeje roli i femrës mantelbardhë është jashtëzakonisht i madh dhe i pa zëvendësueshem në shërbimin shëndetësor. Faleminderit prej zotit kemi një numër mjaft të madh dhe një kuader të përgaditur dhe mjaft të përkushtuar e me ndërgjegje. Roli i femrës në administratën e institucioneve shtetërore dhe private është jashtëzakonisht i madh duke ndikuar jo vetem në efikasitet, por edhe në përformancë. Këtë rol me këta dy cilësorë, rolin e femrës do të mund ta përshkruanim edhe në uniformen e FSK-së dhe në Shërbimin Policor. Sot femrën e gjejmë me një rol të konsiderueshem në kulturë e në shkencë dhe është duke krijuar identitetin e vet në të gjitha fushat e dijes. Gjithashtu sot, femrën e gjejmë duke dhënë dije në ligjërime si mësimdhënëse dhe në përpjekje të marrjes së dijes nëpër amfiteatrot e Universiteteve me premtimin për tu integruar neser në institucione të ndryshme dhe për t’i dhënë shoqërisë një shtytje të hovshme. Gjinia femërore sot prezentohet jashtëzakonisht mirë dhe e suksesshme në të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike. Si kanarinë e si analiste, si editore e menaxhere pa konkurrencë.

Nuk do të mund të mos përmendi Flora Brovinën si personalitete të veçantë e deputete të tjera që kanë kaluar nëpër të gjitha legjislaturat, e, deri te kjo përbërje sot, që kanë kontriubuar dhe po kontribojnë me përkushtim të dinjitetshëm dhe gjithnjë me ndonjë përjashtim të vockël, duke qenë më koshiente se ne burrat e parlamentit me gjuhën e përdorur, me trajtimin e temave dhe me nivelin e përkushtimit të tyre. Duke e përmbyllur këtë rënditje me rolin e Presidentes së Kosovës, e cila aktualisht në momente të duhura, krijon harmoninë në përplasjet e deverziteteve politike.

Përmbledhtazi për fund të kësaj fjale: Për hirë të një projekti për ardhmërinë që nuk duhet të ecim me njërën këmbë dhe nuk duhet të veprojmë vetëm me njëren dorë, rrjedhimisht për ta aktivizuar gjithë forcën e trupit tonë, duke nxitur, duke aktivizuar, duke inkurajuar e duke e motivuar femrën tonë, do të vejmë në lëvizje gjithë potencialin e shoqërisë sonë që përbëhet nga të dy gjinitë. Dhe vetëm duke e aktivizuar bashkë dhe barabartë që të dy gjinitë, neve kemi perspektivë të ndritshme në sfidat e mileniumit të tretë. (Autori është deputet i Kuvendit të Kosovës)

Më Shumë

Dhunohet një grua në Malishevë, arrestohet i dyshuari

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për një rast të dhunimit në Malishevë. Rasti ka ndodhur të mërkurën në ora 12:50. “Është arrestuar i dyshuari...

Parashqevi Simakut i plotësohet dëshira, bie në kontakt me djalin

Ikona e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku ka bërë të ditur mbi një zhvillim të fundit, ku thotë se ka komunikuar me djalin e saj. Ajo...

Lajmet e Fundit