18.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

Kush është “Nisma për Kosovën”!

opinion 23Shkruan: Jeton Zulfaj

Për të kuptuar alternativën më të re politike në Kosovë, Nismën për Kosovën, së pari duhet të kuptojmë shkaqet e themelimit të saj.

Kërkimi i arsyeve medoemos na dërgon te pakënaqësia dhe papajtueshmëria e përgjithshme me qeverisjen dhe modelin e instaluar politik, ngushtimin e hapësirës për veprim dhe tjetërsimin e funksionit të institucioneve publike.

Të gjitha këto çështje ishin ngritur në fjalimin e parë publik të z. Limaj pas procesit të fundit gjyqësor në Malishevë, ku kishte shprehur pakënaqësinë me qeverisjen në mbarë vendin por ndryshimin e kërkonte së pari në vendlindjen e tij.

Së dyti, Limaj së bashku me Krasniqin, kishin kohë që në PDK kishin ngritur shqetësimin për mënyrën e funksionimit të brendshëm të kësaj partie e sidomos nga viti 2010, kurse në zgjedhjet e fundit partiake në 2012, Limaj kishte kërkuar futjen e parimit “një anëtar një vote”, sistem ky që në thelb ngritë popullaritetin e liderit dhe demokracinë e brendshme duke siguruar të drejtën e votës për të gjithë anëtarët e partisë.

Kërkesa e Limajt jo vetëm se ishte refuzuar por për më tepër zgjedhjet në PDK do të mbaheshin pa prezencën e tij duke ngushtuar edhe më tepër hapësirën e veprimit, demokracinë e brendshme dhe konkurrencën e mirëfilltë demokratike, për çka edhe z. Krasniqi kishte protestuar dhe bojkotuar zgjedhjet.

Është fakt i pamohueshëm se në mungesë të demokracisë së brendshme, liderët e partive politike kanë monopolizuar skenën politike dhe kanë ngulfatur jetën institucionale dhe publike.

Vazhdimi i funksionimit të tillë të partive politike përbën një model të mbrapshtë për demokracinë dhe krijon një gjendje të pashpresë për gjeneratat e reja që synojnë të jenë pjesë e politikës.

Rrjedhimisht degradimi i politikëbërjes në njërën anë dhe mungesa e hapësirës për veprim për të ndryshuar këtë gjendje në anën tjetër janë arsyet kryesore të daljes së Nismës.

Kjo është Nisma – një hapësirë politike për veprim që ka për qëllim ofrimin e mundësisë për të gjithë ata që konsiderojnë se kanë çka të kontribuojnë për vendin por që strukturat nuk u kanë mundësuar hapësirë, që konstelacionet politike i kanë kufizuar dhe që tjetërsimi i zhvillimeve në kuadër të politikës dhe i institucioneve nuk i ka lejuar.

Ofrimi i hapësirës për veprim është njëherësh edhe arsyeja pse në hapjen e saj nuk është zgjedhur struktura e Nismës, pasi paracaktimi i posteve është konsideruar se do të ngushtonte hapësirën për veprim ndaj atyre që dëshirojnë të bëhen pjesë e saj.

Kjo na dërgon te përgjigja ndaj pyetjes se kush janë emrat ose figurat e Nismës. Përgjigja është krejt e thjeshtë, pra Nisma nuk është krijuar për të rehatuar emrat dhe figurat por për të krijuar hapësirë veprimi. Kjo është arsyeja pse Nisma madje as nuk është munduar dhe nuk mundohet që të marrë me vete deputetë dhe politikëbërës të kësaj legjislature.

Ne si shoqëri do të duhej çliruar nga kompleksi i emrave dhe figurave duke i lejuar qytetarët dhe shoqërinë që nëpërmes ndikimit dhe pjesëmarrjes në jetën politike e publike të prodhojmë kapacitete për të udhëhequr vendin. Nisma është e interesuar që të freskojë dhe dinamizojë skenën politike duke u dhënë mundësi gjeneratave të reja të zhvillojnë dhe ofrojnë kapacitetet e tyre për zhvillimin e vendit.

Nisma është platformë politike që nuk është e interesuar të bëjë riciklim të personaliteteve publike, por t’i ofrojë Kosovës një gjeneratë të re të politikëbërësve të cilët kanë energji, dije dhe përkushtim por që ndjejnë se nuk kanë pasur hapësirë të mjaftueshme veprimi.

Thënë shkurt, Nisma është një alternative politikë e cila synon të bëjë një politikë ndryshe, dhe PO është e mundur.

Argumenti se Limaj dhe Krasniqi kanë qenë pjesë e zhvillimeve politike dhe bartës të qeverisjes deri më tani nuk është valid.

Së pari, Limaj ka qenë pjesë e ekzekutivit në Qeverinë Thaci 1 e cila megjithatë pati disa rezultate dhe ende kishte hapësirë dhe mundësi për debat dhe përmirësim. Duhet të theksohet se Limaj ishte në ekzekutiv për një periudhë kohore dy vjeçare. Degradimi institucional dhe mbytja e debatit ka marrë përmasa në periudhën kohore 2011-2014.

Limaj si lider i Nismës është garanci e një udhëheqje ndryshe dhe e një vizioni ndryshe në politikë, që e ka dëshmuar me qëndrimin e tij të pavarur në Parlament dhe me punën e tij të bazuar në objektiva gjatë dy viteve në Ekzekutiv, kurse Krasniqi në Nismë është garanci e përvojës se çfarë nuk duhet të shndërrohet Nisma, pra JO në një PDK të dytë.

Çfarë programi ka Nisma?

Programi i Nismës është ende në punim, por në njërën anë ajo angazhohet për një ekonomi të hapur me politika liberale e që nuk cenojnë barazinë sociale. Ndjekja e politikave liberale në ekonomi dhe njëkohësisht përkushtimi ndaj politikave sociale që mbrojnë shtresën tonë të mesme dhe të varfër është i mundshëm.

Në anën tjetër, Nisma angazhohet për një shoqëri të hapur me vlera dhe parime demokratike dhe barazi qytetare ku të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe kushtetutës. Një angazhim i tillë e vendos Nismën në qendër të spektrit politik, pra si lëvizje apo parti e qendrës.

Me kë do të bëjë koalicion?

Është e kuptueshme kërshëria e opinionit publik që të dihet qeveria e ardhshme ende pa u mbajtur zgjedhjet, por Nisma duhet të garojë e vetme.

Si lëvizje e re politike që synon ofrimin e një alternative do të ishte e dëmshme që të hyjë në koalicione parazgjedhore, jo vetëm për Nismën si lëvizje por për të gjithë ata që synojnë të i bashkohen Nismës.

Këtu përjashtim bëjnë iniciativat dhe partitë politike të cilat mund të futen brenda listës zgjedhore të Nismës, normalisht me kusht që të harmonizohen objektivat politiko-programore. Por tash debati brenda Nismës duhet të jetë maksimizimi i kapaciteteve me qëllim të promovimit të programit dhe vizionit të saj e jo kush do të jenë partneret e koalicionit.

Duke njohur elektoratin në Kosovë dhe popullaritetin e Limajt, Nisma do të jetë në mesin e alternativave kryesore politike. Iniciativat qytetare në disa komuna në zgjedhjet lokale ishin indikacion i qartë i kërkesës së qytetareve për platformë të re në politikë, Nisma do të ofrojë këtë alternativë.

Fragmentimi i spektrit politik dhe sistemi jonë shumë partiak bënë që koalicionet të vijnë në shprehje pas zgjedhjeve, por vetëm duke ndërtuar një program të qartë qeverisës ku programi dhe vizioni i Nismës të jetë i përfshirë në të. Në fund të fundit të gjithë duhet të presin votën e qytetarëve për të treguar peshën që kanë. Limaj është dëshmuar se është i qasshëm nga të gjitha subjektet politike për shkak të modelit të tij në politikë.

(Autori është Këshilltar i Lartë i z. Limaj
Student në studime pasuniversitare për “Çështje Evropiane” në Universitetin Lund në Suedi dhe mbajtës i bursës nga Instituti Suedez)

Më Shumë

Policia shqipton mbi një mijë e 300 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1351 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Mbi 7 mijë kosovarë shkuan në Shqipëri në orët e hershme të së shtunës

Kjo e shtunë ka nisur me një fluks automjetesh në pikën kufitare të Morinës. Shumë qytetarë kanë zgjedhur të udhëtojnë nga Kosova drejtë Shqipërisë, duke...

Lajmet e Fundit