Agnesa Xhemajli, absolvente në Fakultetin e Edukimit, priste në radhë në orët e mëngjesit për t’i paraqitur provimet. Ajo ndjehej e lumtur për ndërprerjen e grevës së punëtorëve të administratës, por edhe për lejimin e afatit të prillit.
“Më kanë mbetur edhe 4 provime për të diplomuar dhe jam e lumtur që administrata sot vazhdoi punën, pasi që në këtë afat kemi mundësi t’i paraqesim dy provime dhe shpresoj që të diplomoj së shpejti”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Artan Mjekiqi, kryetar i Këshillit Grevist, ka thënë se nga e hëna do të kryhen të gjitha shërbimet e studentëve, duke përfshirë edhe paraqitjen e provimeve, por edhe shërbimet e tjera pas arritjes së marrëveshjes me ushtruesin e detyrës së rektorit, Anton Berishaj.
Mst: S’ka shtyrje të afatit të provimeve
Ushtruesi i detyrës së rektorit, Anton Berishaj, ka thënë për gazetën Tribuna, se çdo gjë do të shkojë sipas dinamikës së paraparë dhe se nuk do të ketë shtyrje të mbajtjes së provimeve për muajin prill.
“Pse të ketë shtyrje të provimeve, si pasojë e grevës. Kjo është çështje teknike, ata vetëm teknikisht sot kanë filluar të bëjnë paraqitjen e provimeve dhe nuk ka ndërruar asgjë në datën e mbajtjes së provimeve”, ka thënë Berishaj, duke shtuar se pas përfundimit të grevës, puna e administratës gjatë ditës së hënë ka shkuar mirë.
Berishaj është zotuar se do të jetë në mbrojtje të të drejtave të studentëve.
“Normalisht, nuk është tani vetëm interesi i studentëve, por ato janë shumë komponentë, normalisht që studentët janë si prioritet dhe unë do t’i mbrojë interesat esenciale, jo vetëm të studentëve, por edhe të punëtorëve. Por, në këtë rast, ishte një disponim që t’ju ndihmojmë, apo t’i përkrahim në këtë afat”, ka thënë ushtruesi i detyrës së rektorit Anton Berishaj.