16.6 C
Prizren
E shtunë, 12 Korrik, 2025

Fillon “lufta” për president, Thaçi “sulmon” Jahjagën!

Posti i presidentit të Republikës së Kosovës, është bërë “kafshatë e madhe” për shqiptarët, vlerësojnë analistët politik. Sipas tyre, është një betejë e rëndësishme për Hashim Thaçin, sfida për këtë post.

Për këtë post, kreu i PDK-së, Hashim Thaçi do të bëj çmos. Ai tash ka filluar ta kundërshtoj dhe ta “sulmoj” presidentet aktuale, Atifete Jahjagën.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se nuk do ta votonte kurrë për presidente të ardhshme, Atifete Jahjagën pasi ajo s’ka legjitimitet qytetarë. “Unë do të respektoj marrëveshjen që e kemi si partnerë të koalicionit dhe koalicioni është i vendosur që ta respektoj deri në fund këtë marrëveshje, prandaj nuk mund të vjen në shprehje votimi i ndonjë kandidati pa adresë dhe legjitimitet qytetarë”, tha Thaçi.

Për këtë analistët theksojnë se, Presidentes Jahjaga i mungon mbështetja e partive politike dhe shoqërisë civile për t’u rizgjedhur përsëri në funksionin e presidentes. Sipas tyre, Hashim Thaçi e ka deklaruar një realitet, pasiqë Presidentja Jahjaga është zgjedhur si kompromis 6 mujor.

Serembi sfidon Hashimin!

Seremb Gjergji, kandidati i vetëm i pavarur për President të Kosovës, thotë se, populli i Kosovës dëshiron ta zgjedhë Presidentin vet. “Andaj nëse ka zgjedhje të përgjithshme, unë do të jem kandidat i pavarur për President. Z. Thaçi e ka deklaruar një realitet – pasiqë Presidentja Jahjaga është zgjedhur si kompromis 6 mujor. Aq sa edhe vetë nuk e ka ditur se është zgjedhur Presidente. Zgjedhja e sajë është bërë për ta kaluar krizën e vet institucionit të Presidentit. Kjo krizë u kalua me kompromisin e zgjedhjes së sajë dhe filloi procesi i ndryshimeve Kushtetuese për të zgjedhur Presidentin me votën e lirë. Ky proces përfundoi, ndryshimet u bënë, por që nuk u votuan nga Kuvendi i Kosovës”, thotë Gjergji për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, dështimet e njëpasnjëshme të Presidentes Jahjaga, janë dëshmitë më të mira që ajo nuk ka pasë votën e popullit, por votën e deputetëve për hirë të kompromisit.

“Në anketën e bërë nga ekipi im, për përdorim të brendshëm, Presidentja nuk ka gëzuar asnjë përkrahje për zgjedhje me votën e lirë. Ky fakt dëshmon se vërtetë ajo nuk e gëzon përkrahjen e popullit. Si Kosovë, kemi femra shumë të fuqishme, Kemi femra që mund të bëjnë ndryshime të jashtëzakonshme në të mirë të vendit dhe zonja Jahjaga nuk e ka reflektuar këtë fuqi. Deri më tash, detyrën e sajë primare me Kushtetutën e Kosovës, që është përfaqësimi i popullit të Kosovës, Presidentja nuk e ka bërë. Po i le anash edhe 29 kompetenca tjera”, thotë Gjergji.

Ai potencon se, Hashim Thaçi kërkoi që përmes partisë së tij të aprovoj ndryshimet Kushtetuese në zgjedhjen e Presidentit dhe t’i hapë rrugë Demokracisë dhe të mundësoi zgjedhje të lira presidenciale si në shumicën e Ballkanit. “Të ma mundësoi mua dhe të tjerëve që kanë një “imazh” të fuqishëm si në arenën vendore ashtu edhe ndërkombëtare. Që kanë mundësinë dhe fuqinë të përfaqësojnë popullin e Kosovës në botë. Që diplomacitë botërore t’i kenë portat e hapura për të gjithë Presidentët tanë. Në këtë mënyrë Presidenti i vendit tonë – i hapë rrugën zhvillimit të hovshëm të vendit dhe i jep perspektivë popullit që është më i riu në Evropë”, vlerëson Seremb Gjergji.

Thaçi president, ose zgjedhje!

Ndërsa, analisti politik, Kushtrim Gashi, thotë se, pas ngërçit gjashtë muajsh vitin e kaluar, dy partitë e mëdha PDK-ja dhe LDK-ja arritën koalicion për qeverisjen e vendit dhe në bazë të kësaj marrëveshje posti i presidentit i takon partisë më të madhe në vend PDK-së.

“Për shkak të presionit ndërkombëtar, kryesisht atij amerikan, posti i presidentes u bë i paprekshëm deri në përfundimin e mandatit të saj në vitin 2016. Tanimë viti 2016 është duke u afruar edhe fërkimet ndërmjet Hashim Thaçit dhe Atifete Jahjagës janë shpeshtuar dhe mollë sherri është bërë posti i presidentit të cilin e synojnë të dytë. Këto fërkime siç po duket po ndodhin për shkak të dëshirës, por jo edhe mundësisë që Atifete Jahjaga të rizgjidhet edhe për një mandat në postin e presidentes. Një rizgjedhje e mundshme e Atifete Jahjagës do të të forconte pozitën e saj duke e pajisur atë me legjitimitet qytetarë të cilin tani nuk e ka”, thotë Gashi për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, mënyra e zgjidhjes së Atifete Jahjagës në krye të vendit ishte legale, por jo edhe legjitime, sepse ishte produkt i një marrëveshje të imponuar politike, por jo edhe produkt i votave të qytetarëve dhe si e tillë ajo nuk ishte as deputete e zgjedhur nga qytetaret.

“Koalicioni i tanishëm qeverisës e ka të garantuar mandatin dy vjeçar, por jo edhe atë katër vjeçar dhe atë për shkak të postit të presidentit. Në rast se nuk arrihet që të zbatohet marrëveshja politike që Hashim Thaçi të bëhet president, atëherë ky koalicion do të marrë fund në vitin 2016 dhe vendi do të shkoj në zgjedhje të parakohshme, gjë që është skenari më i mundshëm të ndodh. Duke marrë parasysh që një pjesë e deputetëve të LDK-së kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Hashim Thaçin për president, atëherë nëse vërtetë ata nuk e votojnë, zgjedhjet e parakohshme do të jenë të pashmangshme. Përndryshe partneri qeverisës LDK-ja e ka për obligim që ti përmbahej marrëveshjes së arritur politike dhe të votonte Hashim Thaçin për president të vendit dhe në ketë mënyrë të shpëton Kosovën nga zgjedhjet e parakohshme”, thekson Gashi.

Por, se si do të rrjedhin ngjarjet politike mbetet të shihet, megjithatë një gjë është e sigurt, viti 2016 do të jetë vit i zgjedhjes se Hashim Thaçit president ose vit i zgjedhjeve të parakohshme./gazeta blic/

Më Shumë

Ryshfet në pikën kufitare, arrestohet shtetasi i huaj në Vërmicë

Në kufirin e Vërmicës një shtetas i huaj është arrestuar. Kjo pasi që, siç njofton policia, i njëjti kishte kryer veprën “Dhënie e ryshfetit”. I...

Prizreni më i nxehti në histori: Top 10 temperaturat ekstreme në Kosovë

Kosova po përjeton ditë me temperatura jashtëzakonisht të larta, duke arritur vlera mbi 35 gradë Celsius në shumë qytete. Këto kushte ekstreme të motit kanë...

Lajmet e Fundit