Anton Jupa, pronar i kompanisë “Euro Ida” ka folur ekskluzivisht për KALLXO.com. Ai ka folur rreth skandalit të mishit pa afat dhe për raportimet në media kosovare dhe belge për mishin e importuar nga Belgjika.
Pronari i kompanisë “Euro Ida” e ka pranuar se ka importuar mish nga kompania belge, “Vivebe”, por këmbëngul se nuk ishte mishi i saj ai që u asgjësua në vitin 2016.
Ai gjithë përgjegjësinë për dyshimet që janë ngritur e hedh tek organet kompetente, pasi sipas tij i tërë importi është bërë me letra dhe ka kaluar nëpër të gjitha procedurat doganore.
“Ne jemi të pafajshëm i kemi dokumentet, dudat i kemi, kemi certifikatat të AVUK-ut që i kanë kontrolluar dhe e kanë lejuar”, ka thënë Jupa.
Në këtë intervistë për KALLXO.com, Jupa për herë të parë shpalosë detaje të asgjësimit të rreth 20 mijë kilogram mish në vitin 2017, që po ashtu u importua nga Belgjika.
Ai ka dhënë detaje edhe për mishin me afat të skaduar që iu zu në depot e tij, pas një aksioni të Prokurorisë së Shtetit, i cili do të transmetohet në “Drejtësia në Kosovë”.
Në një aksion të Prokurorisë Themelore të Prizrenit të cilin e udhëheq kryeprokurori i saj Admir Shala, hetuesit e Policisë dhe inspektorët e AVUK-ut kanë bastisur dy lokacione të dyshuara që lidhen me skandalin e mishit 12 vjeçar nga Belgjika.
Siç pritet të transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, në dy lokacionet e dyshuara janë vërejtur parregullsi serioze duke u nisur nga minjtë e ngordhur në depot ku ruhet mishi dhe materialet tjera që përdoren për përpunimin e tij.
Kryeprokurori Admir Shala, siç pritet të transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, pas marrjes së urdhrit nga Gjykatat kompetente u ka dhënë urdhrin hetuesve të policisë dhe inspektorëve të AVUK-ut për të bastisur lokacionet e dyshuara, ku u gjeten mish me afat të skaduar deh minj të ngordhur.
Anton Jupa e ka pranuar se në depot e kompanisë së tij Policia dhe Inspektorët e AVUK-ut kanë gjetur dy paleta mish të pulës me afat të skaduar.
Sipas tij, ai mish ka qenë destinuar për përpunimin dhe prodhimin e sallamit. Ai e bënë fajtor Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës për skadimin e afatit të këtij mishi.
“Afati i ka skaduar në frigon tonë, sepse malli ka qenë i bllokuar për shkak të analizave. Analizat nuk kanë ardh në kohë dhe ato zakonisht vonohen një javë, deri në një muaj, por kësaj radhe janë vonuar më shumë. I kam thirrur inspektorët dy apo tre herë, dhe nuk kanë ardhur. Dhe nuk e kam paramenduar që u kanë me afat të shkurtë. E dijmë që ka tre muaj, mirëpo nuk e kemi ditur që afati i ka skaduar”, ka treguar Anton Jupa.
Ai ka thënë se mishi i tillë ishte i destinuar për përpunimin dhe prodhim të sallamit.
“Ai produkt përdoret për virshlle të pulës, për parëze të pulës. Dhe e përdorim edhe për sugjuk në masën 30 përqind në sugjuk industrial, jo në atë shtëpiak”, ka rrëfyer Jupa.
Raportimet e mediave të Belgjikës se mishi i importuar në Kosovë nga kompania “Euro Ida” ka qenë 12 vjet i vjetër, pronari i Anton Jupaj ka quajtur shpifje.
Në intervistën ekskluzive për Kallxo.com, Jupa ka thënë se i posedojnë gjitha dokumentet e importit dhe të cilësisë.
Ai ka thënë se mishi i asgjësuar në vitin 2016 që u importuar nga kompania “Veviba” nuk ishte importuar nga kompania e tij, ” Euro Ida”.
Jupa thotë se këtë mish të asgjësuar, që është bërë shkas i hetimit në Belgjik, e ka importuar një kompani tjetër kosovare, të cilës nuk ia ka përmendur emrin.
Por, Jupa e ka pranuar se tri herë ka importuar mish nga kompania belge, “Veviba”. Ai ka thënë se këto tri importe janë lejuar në Kosovë, pas vlerësimeve që janë bërë nga Dogana e Kosovës dhe Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit.
Jupa ka deklaruar se i posedon të gjitha dokumentet e nevojshme se importi është kryer në mënyrë të rregullt.
Po ashtu, Jupa thotë të mos ketë pasur asnjë dyshim për cilësinë e mishit të importuar nga kompania “Veviba”.
“Është shumë e vërtetë që ne i kemi tri importe nga kompania VEVIBA, dhe kemi dy importe nga kompani tjera”, ka thënë Jupa.
Ai ka treguar se nga kompania “Veviba” kanë blerë importin e parë me 23.03.2016-të, mish të gjedhit. Të viçit dhe lopës. I cili sipas tij ka qenë për industri të përpunimit.
“Kemi importuar mish të gjedhit nga Veviba me 23.05.2016 dhe dërgesën tjetër e kemi me 13 të dhjetit të gjashtit. Dhe një asnjë rast nuk kemi patur konfiskim të importit “, ka rrëfyer pronari I kompanisë “Euro Ida”.
Jupa e ka arsyetuar çmimin e ulët me nivelin e ulët të klasës së mishit.
Ai thotë se ky lloj i mishit që është importuar dhe paguar me këtë çmim të lirë përdorët vetëm për përpunim, përkatësisht prodhimin e suxhukut industrial.
Pronari i kompanisë “Euro Ida” thotë se disa herë ka importuar mish nga Belgjika. Derisa në vitin 2016 këmbëngul që nuk kishte asnjë dërgesë që ju asgjësua, Jupa e pranon se në vitin 2017 kishte telashe me një ngarkesë.
Këtë ngarkesë me mish, me rreth 20 mijë kilogram, thotë se ju asgjësuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.
“E kemi një import që në 2017-ën që na është asgjësuar prej kompanisë Vanlommel”, ka thënë Jupa.
Sasia e mishit që i është asgjësuar kompanisë së tij sipas Jupajt nuk është e importuar nga kompania VEVIBA, por është nga kompania Vanlommel.
“Prej kësaj kompanie kemi importuar në total rreth 20 mijë kilogram. Dhe këto AVUKU i ka ndalu. Unë vet kam kërkuar që të asgjësohet. Dhe ai mish është asgjësuar nuk është shitur”, ka thënë Jupa.
Thotë se kompania ‘Vanlommel’ e kishte pranuar se është bërë një gabim gjatë ngarkimit të sasisë së mishit. Madje, Jupa thotë se kompania belge e ka kompensuar kompaninë “Euro Ida” për dëmin e shkaktuar.
“Unë i garantoj konsumatorët , flas për EURO IDEN, nuk flas për kompani tjera. Ne e marrim përgjegjësinë nëse dikush është helmuar, sëmurë nga produktet tona ne ja këtu jemi.”, kështu ka deklaruar Anton Jupa, pronar i kompanisë Euro Ida e përfshirë në skandalin e mishit të importuar nga Belgjika.
Jupa i ka fajësuar qytetarët, të cilët sipas tij nuk lejojnë se çfarë po blejnë.
“Qytetari ka shumë faj se e blen produktin dhe nuk lexon, blenë mish të bluar në treg me dy euro dhe kjo nuk mund, pasi mishi i mirë i bluar së paku duhet të kushtojë 3 euro e gjysmë, ose 4 e gjysmë kilogrami. Por ata janë duke përdorur mishin e pulës se tregon importi I madh I mishit të pulës”, ka thënë Jupa për KALLXO.com.
Ai ka fajësuar institucionet përgjegjësie që sipas tij janë të thirrura të mos lejojnë futjen në treg të mishit të dyshimtë. Jupaj ka fajësuar mediat që sipas tij kanë raportuar ditëve të fundit për skandalin e mishit.
“Unë nuk mundem me u marr më këtë punë, unë jam tregtar, kam të drejt me e ble, me e pru në Kosovë dhe me shit. Unë jap garanci deri në vend të shkarkimit dhe çka ndodhë më tutje nuk më intereson, sepse jua jap letrat dhe përgjegjësia nuk është e jona por këtë e kanë bërë mediat”, ka deklaruar Jupa.
Ai ka thënë se për gjithçka japin garanci, pasi asnjëherë nuk kanë patur probleme me ligjin.
“Mesazhi im për konsumatorët japim përgjegjësi për çdo produkt që e bëjmë ne garantojmë, japim jashtë masës garanci”, ka thënë ai.
Jupa Kërkon Falje për Kërcënimin
Anton Jupa, pronar i kompanisë Euro Ida e cila është përfshirë në skandalin e mishti të importuar nga Belgjika, ka kërkuar falje publike për kërcënimet që I ka bërë ndaj mediave.
Ai ke ka pranuar se e ka bërë kërcënimin, mirëpo thotë se e ka bërë nga stresi.
“Unë kërkoj falje publikisht që I kam kërcënuar gazetarët, shumë e vërtetë është. Se mua kur më ka thirrur vajza prej shkollës ‘babi çka je tuj bo’, unë si të thash në këtë gjendje që jam unë prapë them më ka ardh qetu edhe e thirra dhe ju thash pse s`po shënonin me kërkuar falje se ne nuk jemi fajtorë për këto. Edhe me plasi stresi i madh, shumë nervoz edhe i kam sharë”, ka thënë Jupa.
Ai ka thënë se nuk është njeri që kërcënon dikë dhe se nuk ka patur asnjëherë probleme me organet e rendit.
“Unë nuk jam ai njeri, ju mundeni me marrë informata në Rahovec ne jemi të familjes shumë të kulturuar , shumë te respektuar. Nuk jam njeri me shkollë, ama ky që jam për këso punë të këqija deri më sot asnjë problem s`kemi pas as me polici, as me gjykata, as me kërkon hiq”, ka thënë ai.
Jupa ka thënë se raportimet e mediave kanë kthyer 20 vjet parapa.
“Stresi më ka shty me bo kërcënimin, ama ne jemi të dëmtuar se më kanë kthy prapa dhjetë ose 20 vjet. Media na ka kthye pas”, ka deklaruar Anton Jupa në intervistën ekskluzive dhënë për KALLXO.com.
Jupa ka thënë se e ndien vetën të dëmtuar nga raportimet e mediave pasi sipas tij është raportuar edhe se është arratisur, derisa ai e thotë se nuk është larguar nga Rahoveci.
“Nuk di më çfarë të them neve na është keqpërdorur emri i kompanisë, fytyra ime publike ma kanë qitur unë jam terrorist jam, kam bastisje, kam ikur prej Kosovës. Unë dje kam qenë duke ndej me shoqëri në kafe kur po e shoh aty biznesmeni Kosovar Anton Jupa është arratisur . unë nuk jam arratisur jam në Rahovec dhe as nuk kam ndërmend me lëshu”, ka thënë Anton Jupa.