19.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Gani Xhafolli, unik me krijimtarinë e tij

Mungesa e babait, përjetimet e fëmijërisë së vuajtur, Gani Xhafollit i ndihmuan që ta zhvillonte imagjinatën e tij pa e ditur se një ditë do të bëhej një nga shkrimtarët më të njohur dhe më të preferuar për fëmijë, ka thënë shkrimtari Reshat Sahitaj në “Homazhin Letrar” dedikuar Gani Xhafollit, i mbajtur të premten në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, të organizuar nga Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptarë. Gani Xhafolli pas një sëmundje të shkurtër ndërroi jetë më 16 qershor. Krijuesit lexuan poezi kushtuar Xhafollit dhe evokuan kujtime nga jeta e poetit tanimë të ndjerë. “Që në lindje Ganiut i mungonte përkëdhelja dhe buzëqeshja e babait, të cilit forcat e armikut ia kishin pushkatuar kur ky ende ishte në barkun e nënës. Që në fëmijërinë e hershme Ganiu kishte filluar t’i shtronte pyetje vetes për luftën, babanë e për dashurinë fëmijërore që aq shumë i mungonte”, ka treguar Sahitaj për biografinë e poetit Gani Xhafolli, duke thënë se përse babai i ishte vrarë dhe kush ia kishte vrarë, ishin pyetjet e Xhafollit që mbetën pa përgjigje.

“Vetëm në moshën e djaloshit të pjekur mësoi se babanë ia kishin vrarë sepse ai e kishte pasur në zemër dashurinë për atdheun. Ia kishin vrarë sepse ai e kishte dëshiruar një Kosovë të pavarur”, është shprehur Sahitaj.

Gani Xhafolli ishte mësuesi i fshatrave të Kosovës, piktor, poet, krijues i pazakonshëm e redaktor i qindra emisionesh për fëmijë në Radiotelevizionin e Prishtinës dhe në revistën “Zanorja”, ka thënë shkrimtari Begzad Baliu, duke treguar se Xhafolli u përjashtua nga institucionet shtetërore, por jo edhe prej zemrave të fëmijëve dhe popullit të tij. “Ndryshe nga bashkëkohësit e tij që përpiqeshin të sillnin sa më shumë pamje moderne, të botës së re, Xhafolli në krijimtarinë letrare për fëmijë i kthehej ambienteve të fshatit, duke filluar që nga vepra e tij poetike ‘Te porta e edhave’, për të vazhduar me veprat e tjera si ‘Zog shiu’, ‘Princesha që fluturon’ e shumë të tjera”, ka thënë Baliu, duke shtuar se me këto vepra, letërsinë shqipe e përplotësoi jo vetëm me tema dhe përmbajtje, por edhe me teknikat e larmishme të shkrimit.

Ndërsa shkrimtari për fëmijë, Xhevat Syla, ka thënë se Gani Xhafolli përveç se i fliste për poezi, i fliste edhe për Berlinin. “Pikërisht Berlini u bë vendi i jetesës dhe i punës së tre djemve të tij, vend i pasurisë së tij më të madhe, fëmijëve. Siç thoshte edhe vetë ai, atyre që i ndihmuan të mbijetonte në ditët më të vështira pas largimit me dhunë nga puna, nga pushteti okupues që në fillim të viteve ’90”, është shprehur Syla, duke treguar se Xhafolli shpeshherë e ndjente thellë në shpirt edhe mungesën e miqve të tij, shkrimtarëve të shquar për fëmijë, Vehbi Kika, Agim Deva, Rifat Kukaj, Qamil Batalli, Rrahman Dedaj, e të tjerë. “Shpesh i përmendte me zemrën plot mall dhe thoshte: “Të lumtë ata që janë bashkë, mezi pres të shkoj tek ta”, e ndjente po ashtu rënd rënien e konkurrencës dhe kishte mall për ndonjë krijim të mirë të ndonjë shkrimtari për fëmijë e të ndonjë libri të ri të mirë.

Poeti dhe studiuesi, Agim Vinca, ka treguar se nuk ka më shumë së një javë apo dhjetë ditë që ka ndenjur me Gani Xhafollin, ku kishin biseduar me gaz e humor. “As ndërmend nuk më shkoi se do të ishte takimi ynë i fundit. Po ta dija, do të qëndroja më gjatë dhe do të shfrytëzoja rastin t’ia bëja edhe disa pyetje, të cilat nuk mund t’ia bëjë më”, është shprehur Vinca, duke thënë se Xhafolli ishte i veçantë në mënyrën se si shkruante, jetonte, vishej dhe se si fliste. “Ai do t’i mungojë skenës sonë letrare, orëve letrare e edhe takimeve në rrugë”, ka thënë Vinca.

Ndërsa poeti dhe shkrimtari, Ibrahim Kadriu, ka thënë se shkrimtari jeton edhe pas vdekjes e këtë, sipas tij, e tregon më së miri miku, poeti, piktori dhe artisti Gani Xhafolli. “Ganiu ishte aq i veçantë sa njerëzit shpeshherë nuk e kanë kuptuar. Ai ishte pa komplekse, ka qenë aq origjinal sa do ta kemi shumë të vështirë t’i shohim edhe rrugët tona pa emblemën e Prishtinës, Ganiun”, është shprehur Kadriu.

Gani Xhafolli ka lënë pas vetes rreth 40 vepra të botuara, ndërsa rreth 30 të tilla në dorëshkrime. “Sëmundja ka qenë e shkurtër, por e rëndë, ka zgjatur rreth gjashtë orë. Ka vuajtur nga diabeti”, ka thënë për “Zërin” Sefedin Xhafolli, familjar i shkrimtarit. Ai ka treguar se Gani Xhafolli në të njëjtën kohë ka qenë duke shkruar romane për të rritur dhe fëmijë./zeri/

Më Shumë

Gjendet një person pa shenja jete në Prizren

Një person është gjetur pa shenja jete të hënën rreth orës 06:40 në fshatin Manastirca, në Prizren. Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës...

Moti sot i vranët dhe me intervale me diell

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se sot mban mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat vende-vende mund të sjellin riga shiu. “Temperaturat minimale...

Lajmet e Fundit