Natyra e bukur e fshatit Drenoc të Komunës së Rahovecit e ka shtyrë Valmir Gashin që të kalojë nga një vrojtues në studiues të florës dhe faunës së kësaj treve.
Tridhjetëvjeçari, mësimdhënës i Gjeografisë dhe Edukatës Qytetare në Rahovec, tash e tre vjet ka nisur të fotografojë botën e egër në fshatin e tij, raporton Koha.net.
Me rezultatet që ka arritur në vitin e fundit pohon të jetë i kënaqur.
Deri më tash ka arritur t`i fotografojë e identifikojë 76 lloje të shpezëve, me aktivitetin kryesor që shtrihet në grykën e Përroit të Madh.
“Më së shumti me këtë aktivitet kam filluar të merrem në këto tri vitet e fundit, fillimisht me fotografimin e selektimin e disa luleve, pamje të bukura të natyrës, me flutura, e së fundmi, pas sigurimit të mjeteve – aparatit më profesional, gjithsesi kam nisur edhe fotografimin e shpezëve. Fotografimi i luleve, ose edhe i insekteve, ka qenë shumë më i lehtë sesa i shpezëve. Por, pasi kam bërë aparatin kam arritur rezultate tejet të kënaqshme, kam mundur të fotografoj e identifikoj 76 lloje të shpezëve në Drenoc”, shprehet ai.
Por, me gjithë vështirësitë që ka ky aktivitet ai sjell edhe momente gëzimi kur shkrepen foto të bukura të zogjve, e disa prej të cilëve Gashi tregon se i ka më për zemër.
“Nuk mund të potencoj vetëm një, por jam gëzuar kur kam fotografuar disa prej tyre si pupëza, bletëngrënësin evropian, bengun e kuqalashin qafkëzi. Kurse ato që ndoshta lidhen me këtë trevë janë shqiponjat, nga të cilat deri tash kam identifikuar atë mingrënëse dhe shqipen e fushës”, thotë Gashi.
Ai tregon se cili është synimi i tij për vitin 2020, derisa thekson se planet nuk i përfundojnë vetëm me fotografimin e botës së egër.
“Deri më tash i kam fotografuar 76 lloje të shpezëve dhe synoj që në vitin e ardhshëm të tejkaloj numrin 100. E duke grumbulluar të dhëna rreth botës së egër synoj që të botoj një vepër kushtuar florës dhe faunës së fshatit Drenoc, e cila jo vetëm të paraqesë vlerat natyrore të fshatit tonë, por të mbetet një vepër edhe për gjeneratat e ardhshme”, shprehet Gashi.
Si një pasionant i botës bimore e shtazore, ai ka një mesazh për qytetarët.
“Sugjeroj që të mbrohet bota e egër, me të vetmin qëllim që nëse dëmtojmë botën e egër atëherë do të prishet ekuilibri jetësor e pasojat do t’i bartim”, thotë Gashi.
©