Policia e Shtetit bëri me dije të martën e 9 majit se kishte gjetur trupat e pajetë të dy turisteve, shtetases belge me iniciale B. M. dhe shtetases franceze me iniciale J. B në vendin e quajtur “Qafë Valbonë”.
Kjo, pavarësisht territorit shumë të vështirë dhe motit të keq me mjegull dhe me borë.
Kërkimet e autoriteteve nisën pas njoftimit se dy turiste të huaja, duke eksploruar zonën e Valbonës, ishin rrëzuar për shkak të terrenit të thepisur dhe kishin rënë në greminë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, ato të Drejtorisë Vendore dhe të Policisë Kufitare, së bashku me ekipin mjekësor, u nisën menjëherë në drejtim të vendit ku kishin rënë dy turistet.
Në ndihmë të shërbimeve policore ishte nisur menjëherë edhe skuadra alpine e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) në Shkodër.
Kjo, pasi për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe motit të keq, punonjësit e Policisë e kishin të pamundur nxjerrjen e trupave nga humnera.
Po për shkak të motit të keq, edhe helikopteri nuk ka mundur të ulet në vendin ku janë gjetur të pajeta turistet.
Grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së dy turisteve.
Një ditë më parë, një incident preku dy turistë holandezë të cilët ishin futur për të notuar në kanionet e lumit Osum, kur njërin prej tyre e mori rrjedha.
Referuar të dhënave nga Policia e Shtetit, të hënën 8 majit në spitalin e Çorovodës, është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasja holandeze H. (V. A.) C. S., 64 vjeçe.
Ajo ka deklaruar paraprakisht se së bashku me bashkëshortin e saj, shtetasin J. A. S., 68 vjeç, ishin futur për të notuar në kanionet e lumit Osum.
Sakaq, 64-vjeçarja ka mundur të dalë nga lumi, ndërsa bashkëshortin e saj e ka marrë rrjedha e ujit.
Autoritetet po vijojnë kërkimet në lumin Osum. Albanian Post