2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Dita kur diktatori italian, Benito Musolini, u pushkatua

Më 28 Prill 1945, saktësisht 78 vite më parë, Benito Musolini, i njohur si “Il Duçe”, së bashku me gruan e tij, Clara Petacci, u pushkatuan nga partizanët italianë që i kishin kapur çiftin teksa përpiqeshin që të iknin për në Zvicër.

Pasi u rrëzua nga pushteti, ish-diktatori italian, 61 vjeçar u ndihmua nga aleatët e tij, gjermanët nazistë, më në krye Adolf Hitler, që të krijonte një qeveri kukull në Italinë Veriore, pas pushtimit gjerman në Itali, krejt në fund të luftës së dytë Botërore.

Benito Mussolini: biografia e trajetória política - Brasil Escola
Adolf Hitler dhe Benito Musolini

Ndërsa aleatët luftuan në rrugën e tyre deri në gadishullin italian, humbja e fuqive të Boshtit, që ishte e sigurt, e kishte detyruar Musolinin që të shqyrtoi opsionet e tij. Duke mos dashur të binte në duart e anglezëve dhe as amerikanëve dhe duke ditur se partizanët komunistë, të cilët kishin luftuar kundër mbetjeve të ushtarëve fashistë italianë dhe banditë në veri, do ta gjykonin si kriminel lufte, ai vendosi të arratisej në një vend neutral.

Ai dhe gruaja e tij arritën në kufirin zviceran, duke zbuluar kështu se rojet e tij kishin kaluar në anën partizane. Duke e ditur se nuk do ta linin të kalonte, ai u maskua me një pallto dhe helmetë Luftwaffe, duke shpresuar që të futej në Austri me disa ushtarë gjermanë. Përpjekja e tij rezultoi e pasuksesshme, ai dhe Petacci u zbuluan nga partizanët dhe u pushkatuan, trupat e tyre më pas u transportuan me kamion në Milano, ku u varën me kokë poshtë dhe u shfaqën publikisht për tu sharë nga masat.

Trupat e vdekur të Benito Musolinit, zonjës së tij Claretta Petacci dhe fashistëve të tjerë të ekzekutuar në Milano, 1945.

Si kishte ardhur në pushtet Musolini?

Para se të bëhej një nga fashistët më të famshëm të shekullit të XX, Benito Musolini, ishte një socialist i ri, por ai u nda me këtë lëvizje dhe më pas kaloi në një valë dhune antisocialiste në pushtet në Itali.

Benito ‘Amilcare’, emrat e mesëm të Andrea Musolinit vinin nga socialistët italianë, Amilcare Cipriani dhe Andrea Costa, dhe babai i tij, i cili po ashtu ishte një socialist.

Në të 20-at e tij, Musolini ishte redaktor i një gazete socialiste në Austro-Hungari, më pas në vitin 1912, kur ishte rreth të 30-tave, mori postin e redaktorit të Avanti! (Përpara!), gazeta zyrtare e përditshme e Partisë Socialiste të Italisë.

Por, disa vjet më vonë partia e përjashtoi Musolinin për mbështetjen e tij për hyrjen e Italisë në Luftën e Parë Botërore, e njohur ndryshe si Lufta e Madhe.

“Musolini ishte më shumë një revolucionar autoritar sesa një marksist ortodoks,” thotë Michael R. Ebner, profesor i asociuar i historisë në Shkollën Maxwell në Universitetin e Sirakuzës dhe autor i “Dhuna e zakonshme në Italinë e Musolinit” (Cambridge University Press, 2011).

“Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, ai i pa nacionalizmin dhe militarizmin si çelësat e trazirave revolucionare. Prandaj ai la pas determinizmin ekonomik dhe pacifizmin marksist”.

Pas Luftës së Parë Botërore, ‘Blackshirts’ e Musolinit synojnë t’i zevendësojnë socialistët

Musolini ishte larguar nga Partia Socialiste, por shumë italianë e përqafuan atë pas luftës, pjesërisht sepse politikanët që e krijuan atë parti ishin joefikas në zgjidhjen e problemeve të pasluftës, thotë Ebner, i cili është bashkëredaktor i Politikës së Jetës së Përditshme në Italinë Fashiste (Palgrave Macmillan, 2017).

Benito Musolini në qendër, gjenerali dhe politikani fashist Enilo De Bono dhe aviatori Italo Balbo që drejtonin Bluzat e zeza gjatë marshit në “Romën Fashiste”.

“Pas sakrificave të luftës dhe shembullit të Revolucionit Bolshevik në 1917, çdo gjë dukej e mundur”, thotë ai, duke shtuar se socialistët bënë fitore të mëdha elektorale, duke marrë përsipër qeveritë lokale, gjë që alarmoi disa italianë të klasës së mesme dhe të lartë.

Duke parë këto arritje, Musolini u përball me socialistët me forcë. Në vitin 1919, Musolini krijoi Fasci Italiani di Combattimento, (Skuadrat luftarake italiane), pararendëse e Partisë së tij Fashiste. Ky grup ushtronte dhunë kundër socialistëve dhe armiqve të tjerë.

Për të filluar përmbushjen e qëllimeve të tij, do të sherbete viti 1921, kur ai themeloi Partinë Fashiste, duke e kthyer lëvizjen e tij paraushtarake në një parti formale politike. Ai shpiku emrin e partisë bazuar në fjalën italiane për tufë – fascio – në lidhje me tufat e shufrave të përdorura në Romën e lashtë për të simbolizuar forcën përmes unitetit. Partia theksoi unitetin kombëtar – edhe nëse kërkon dhunë për të mbajtur nën kontroll disidentët.

“Në thelb, Musolini i urrente socialistët, dhe po ashtu edhe pjesa tjetër e fashistëve”, thotë Ebner. “Një forcë shtytëse pas dhunës fashiste ishte dëshira e tyre për të ndëshkuar socialistët që nuk e mbështetën Italinë gjatë Luftës së Madhe (Lufta e Parë Botërore). Fashistët i shihnin socialistët si tradhtarë frikacakë, armiq të brendshëm, të cilët duheshin zhdukur”.

Ai vuri në dukje se grupet paraushtarake të Musolinit që sulmuan Partinë Socialiste dhe sindikatat e punëtorëve – të njohura si bluzat e zeza – shpesh paguheshin ose furnizoheshin nga pronarë të pasur tokash. Skuadrat fashiste dogjën zyrat komuniste dhe socialiste teksa pushtuan qytetet italiane.

Më 1921, Musolini u zgjodh në dhomën e ulët të parlamentit italian, në Dhomën e Deputetëve, dhe vitin e ardhshëm, dhjetëra mijëra fashistë të armatosur marshuan në Romë, duke kërkuar që Musolini të emërohej kryeministër.

Mbreti i Italisë, Victor Emmanuel III, refuzoi të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme dhe të vendoste ligjin ushtarak. Në vend të kësaj ai shpërndau qeverinë dhe i kërkoi Musolinit të formonte një të re.

Musolini u bë njëkohësisht kryeministër dhe ministër i brendshëm, posti i fundit i dha atij kontrollin mbi policinë.

Përpara se Musolini të bëhej kryeministër, skuadrat fashiste kishin përdorur dhunën për të vrarë, dëmtuar, frikësuar dhe poshtëruar armiqtë e tyre. Pasi Musolini u bë kryeministër në tetor 1922, skuadrat ishin ende të rëndësishme, por Musolini gjithashtu mund të mbështetej tek policia për të ndjekur armiq si komunistët, socialistët dhe anarkistët.

Në qershor 1924, njerëzit që ishin të lidhur me Musolinin vranë liderin socialist Giacomo Matteotti, duke nxitur deputetët e opozitës të bojkotojnë Parlamentin.

Më 3 janar 1925, Musolini në thelb mori përgjegjësinë për atë vrasje në një fjalim në Parlament që shihet si fillimi i diktaturës së tij fashiste.

“Unë deklaroj përpara kësaj Dhome, përpara botës dhe përpara Zotit se unë personalisht marr të gjithë përgjegjësinë politike, morale dhe historike për atë që ka ndodhur” i tha ai Dhomës së Përfaqësuesve.

“Unë deklaroj se nëse fashistët janë një shoqatë keqbërësish, atëherë unë jam kreu i asaj shoqate keqbërësish”.

Në përgjigje të atyre që ai i quajti sulmet “skandaloze” të shtypit kundër fashizmit, Musolini tha: “I gjithë kombi po pyet se çfarë po bën qeveria, i gjithë kombi po pyet nëse qeveriset nga burra apo nga kukulla”.

“Duke qëndruar në pozën e tij karakteristike” raportonte New York Times, “me gjoksin e shtrirë mirë, duke goditur stolin e ministrave me grushtin e tij të shtrënguar fort për të theksuar pikat e tij… ai foli me zjarr, pasion dhe vrull… Vetëm forca, tha ai, mund të vendosë mes fashizmit dhe opozitës dhe këtë forcë ai tani propozon ta përdorë”.

Të pranishmit qëndruan në këmbë dhe duartrokitën çdo fjali dhe thërrisnin “Vivo Mussolini! Vivo Fascismo!”

Në fakt Musolini ishte një nga liderët e rrallë që fjalimet i kishte shumë të zjarrta, dhe po ashtu ishtebnjë figurë tejet karizmatike, dhe këto aftësi ai arrinte që t’i përdorte mjaft mirë për t’i bindur masat e gjëra popullore që të rreshtoheshin me të.

“Ishte triumfi më i madh i gjithë karrierës politike të Musolinit”, thotë Times.

Pas fjalimit të tij, “deputetët u vërsulën drejt Musolinit nga të gjitha anët dhe e ngritën lart me shpatulla duke e nxjerrë triumfalisht jashtë dhomës”, ndërsa të tjerët kërcyen dhe kënduan.

Musolini, i njohur si “Il Duce” (Udhëheqësi), sundoi si diktator që nga ajo pikë. Ai ushqeu një kult të personalitetit, duke e projektuar veten si një udhëheqës i gjithëfuqishëm dhe i domosdoshëm. Qeveria e tij dëboi të gjithë opozitën, duke përfshirë anëtarët socialistë dhe arrestoi të gjithë anëtarët komunistë të Parlamentit. Ai shfuqizoi zgjedhjet lokale dhe rivendosi dënimin me vdekje për krimet politike.

Benito Mussolini pozon pranë një busti të tij të bërë nga skulptori Ernest Durig, rreth vitit 1925.

Qeveria e Musolinit gjithashtu kërkoi që shtëpitë e filmit të shfaqnin filma të propagandës qeveritare si pjesë e një goditjeje ndaj shtypit të lirë.

Në “Doktrina e Fashizmit”, botuar në 1932, Musolini dhe një tjetër fashist e përshkruan shtetin si “gjithëpërfshirës; jashtë tij nuk mund të ekzistojnë vlera njerëzore apo shpirtërore, aq më pak të kenë vlerë”.

Musolini bëri aleancë me udhëheqësin e Gjermanisë Naziste, Adolf Hitler, pra me atë që e filloi Luftën e Dytë Botërore (1939-1945) – më të madhen që ka njohur bota, me dëmet më të mëdha si njerëzore, ashtu edhe materiale.

Ai sundoi Italinë deri në vitin 1943, kur u votua mocioni i mosbesimit nga pushteti nga Këshilli i tij i Madh, dhe më pas u arrestua. Pasi komandot gjermane e shpëtuan, ai u vendos në krye të një qeverie kukull në Italinë veriore të pushtuar nga gjermanët nga shtatori 1943 deri në prill 1945.

Ndërsa Rajhu i Tretë humbi kontrollin e tij në Italinë Veriore, Musolini u përpoq të ikte me zonjën e tij në Zvicër. Ai veshi rroba gjermane dhe një helmetë për të maskuar identitetin e tij, por, falë viteve të promovimit të kultit të tij të personalitetit, ai u njoh shpejt.

Musolini u ekzekutua  së bashku me gruan e tij nga partizanët komunistë italianë më 28 prill 1945.

https://albanianpost.com/dita-kur-diktatori-italian-benito-musolini-u-pushkatua/

Më Shumë

Ballkani fiton dhe e konsolidon pozitën e parë në tabelë

Ballkani e ka konsoliduar udhëheqjen e tabelës së Superligës së Kosovës në futboll, duke bërë dy pikë më shumë se sa Drita dhe pesë...

Juventusi nis punën për transferimin e Zhegrovës

Juventusi në verë mund të nënshkruaj me yllin e Kosovës, Edon Zhegrova. “Zonja e Vjetër” rikthehet në Ligën e Kampionëve, prandaj do të investojë në...

Lajmet e Fundit