23.9 C
Prizren
E shtunë, 14 Qershor, 2025

Gjyqtarë e prokurorë frikësohen nga Lustracioni

Njohës të fushës së drejtësisë dhe të së drejtës janë të mendimit se edhe shteti ynë duhet që më në fund ta përfundojë çështjen e Lustracionit, apo zbardhjen e dosjeve të ish-bashkëpunë- torëve të dikurshëm të UDB-së jugosllave. Ndonëse kjo çështje është përfolur disa herë në media deri më sot, 17 vjet pas luftës, akoma nuk është marrë ndonjë vendim i prerë nga ana e institucioneve më të larta shtetërore se kur pritet të hapet si çështje.

Ndaj në këtë drejtim është shtuar edhe dilema se po i frikësohet edhe krerët e drejtësisë hapjes së dosjeve dhe Lustracionit, që mund të jetë fatal për plot figura të Gjyqësorit e Prokurorisë, për ish-të bëmat e tyre? Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se një ligj i tillë do të mund ta shpëtonte sistemin e drejtësisë, ngase për rrjedhojë, sipas tij, do t’i spastronte Gjykatat dhe Prokuroritë nga ata gjyqtarë e prokurorë që potencialisht mund ta kenë një të kaluar kriminale, sepse të njëjtit do të largoheshin nga institucionet në fjalë.

“Por, nuk mendoj se kjo duhet t’i përfshijë vetëm prokuroritë dhe gjykatat, pasi duhet të përfshijë komplet sistemin, administratën publike, në mënyrë që njerëzit të cilët kanë pasur lidhje me krimin dhe një të kaluar kriminale thjesht të mos jenë pjesë e sferës publike, as në administratën shtetërore dhe as në prokurori e gjykata, derisa kjo më pastaj mund të ndikojë edhe në kthimin e besimit si në sistemin politik, por njëkohësisht edhe në atë të drejtë- sisë”, tha Demhasaj, shkruan gazeta Kosova Sot.

Procesi i vonuar qëllimshëm

Avokati Tomë Gashi thotë se çështja e Lustracionit apo Ligjit për vërtetimin e të kaluarës së secilit zyrtar të lartë shtetëror, zyrtarëve të lartë politikë, gjyqtarëve e prokurorëve, si dhe atyre që mbajnë poste të larta publike, është një çështje që është dashur të bëhet, por siç tha posaçërisht është dashtë të bëhej menjëherë pas luftës. Tutje, Gashi ka nënvizuar se ne duhet t’i përcjellim hapat e Shqipërisë, ani pse ajo ende nuk ka arritur që të ketë një ligj të tillë, por që ka pasur tentativa shumë të forta dhe të mëdha në Parlamentin e Shqipërisë që kjo të ndodhë, derisa sipas tij në Parlamentin e Kosovës thuajse nuk është folur asnjëherë lidhur me këtë çështje.

“Kështu që nëse vihet deri tek ajo do të dihet e kaluara e secilit zyrtar të lartë publik, pa marrë parasysh se a është gjyqtar, prokuror apo mban poste të tjera publike dhe me siguri se ata që i kanë shërbyer sistemit të kaluar, atij të okupimit, nuk mund të jenë zyrtarë të lartë shtetërorë në Kosovën e pasluftës. Unë e di se një pjese të gjyqtarëve, të prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë politikë nuk u konvenon që të kemi një ligj të tillë dhe ndoshta kjo është edhe arsyeja që ata nuk duan ta shtyjnë përpara këtë çështje të Lustracionit, apo të verifikimit të së kaluarës së zyrtarëve të sipërpërmendur “, ka spikatur për gazetën “Kosova Sot” avokati Tomë Gashi.

Të dhënat fshihen nga Serbia

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, mendon se kjo është një çështje shumë e rëndësishme për shtetin tonë, sidomos pas rrjedhave e proceseve dhe luftës që ka kaluar, por, sipas tij, kjo është një çështje shumë e ndjeshme, ngase askush nga Serbia nuk do të jepte të dhëna të sakta për njerëzit e vet, të cilët i ka pasur në shërbimin e inteligjencës, andaj si e tillë Baraliu thotë se është diçka që mund të jetë shumë fluide, por edhe me pasoja dhe e rrezikshme. Sipas tij, nuk ka siguri asnjëherë se Serbia do t’i japë të dhënat e sakta për njerëzit e duhur, pasi ajo mund të bëjë ndryshime eventuale në pasqyrën dhe dokumentacionin që mund ta japë.”Por mendoj se është mirë që ta bëjmë një ligj të tillë si shtet, në mënyrë që të bëmat e njerëzve të vihen në spikamë dhe ato të pasqyrohen që kësisoj të dihet se kush çfarë ka bërë në të kaluarën, derisa edhe orientimi i njerëzve në pushtet, por edhe në hallkat e levat e shoqërisë institucionale, duhet që të jenë njerëz të merituar dhe pa të kaluar të dyshimtë”, ka theksuar profesori Mazllum Baraliu për “Kosova Sot”

Më Shumë

AAK-ja në Prizren: Skandal, rruga asfaltohet pa nyje sanitare

Kryetari i AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj Komunës së Prizrenit pas zbulimit të një skandali në rrugën “Asllan Fazliu”, e...

Gazetari i NYT: Po flisnim me Adem Jasharin por nuk e kuptuam deri më vonë se ishte ai

Trupa të vrarë e të masakruar… Nëna me fëmijë duke kaluar kufirin, pa ushqim, pa strehë… Imazhet e mëngjesit të 26 shtatorit të vitit 1998...

Lajmet e Fundit