26.8 C
Prizren
E shtunë, 29 Qershor, 2024

Gjyshja

Nga Namir Lapardhaja

Duhet të ketë qenë viti 2006, ndërsa isha ende student në Universitetin e Tiranës, kur një i afërt i familjes më njoftoi në telefon se gjyshja na la. Për ne që kishim jetuar pranë ngrohtësisë së saj ishte i pabesueshëm një lajm i tillë, ashtu siç janë zakonisht kumtet e tilla në çastin e parë. Jo vetëm për faktin se ajo i kishte kaluar të tetëdhjetat, pavarësisht një jetë plot vuajtje nën regjimin komunist, duke mos pasur as shqetësimin më të vogël shëndetësor, por ngase ne ishim mësuar me njoftimet e saj të përçdomëngjesshëm gjatë kohës që jetonte së bashku me ne në Berat, kur ajo ngrihej si çdo ag e jepte kumtin se “sot do të vdesë”, ndaj duheshin marrë masat…. Një ndër gratë e shtëpisë nuk duhet të shkonte atë ditë në punë, kurse pjesa tjetër të bëhej hazër, siç ajo shprehej, për t’iu përgjigjur vakisë me të gjitha tertipet e rastit. Pavarësisht se gjyshja ishte thellësisht besimtare, këto parandjenja nuk i dolën kurrë. Nënë Xhekua, ashtu siç e thërrisnim shkurt, do të jetonte edhe shumë kohë pas paralajmërimeve të tilla.

Kur mbërrita tek shtëpia e xhaxhait të vogël, isha ende ndër familjarët e parë që u gjendën në çastet e largimit të saj nga kjo botë. E putha në ballë dhe mbajta vesh të dëgjoja ata që kishin rastisur aty për të mësuar rrugëtimin e saj drejt amëshimit: ishte ngritur si çdo mëngjes, kishte pirë kafen turke, ishte shtrirë sërish në krevat, i kishte kthyer kurrizin botës dhe njerëzve dhe ishte larguar krejt në heshtje e pa u ndjerë. Këtë herë nuk kishte lajmëruar askënd. Ndofta edhe ajo vet ishte zënë në befasi.

Ndërsa trupi i imët dhe i krusur nga vitet e shumta mbi kurriz, balli i ftohtë dhe sytë e mbyllur, që më së shumti tregonin një gjumë të thellë se sa një kurm pa jetë, njerëzit që hynin e dilnin, që qanin e ngushëllonin, i shkëputur nga ai realitet mortor kapërceva thellë në kohë dhe u ktheva në vitet e jetës me gjyshen, bash aty në klasën e shtatë, kur kisha marrë deftesën e shkollës së gocës së xhaxhait, më e vogël se unë në moshë, e cila shndërrinte nga një kolor i plotë dhjetash të vargëzuara si gjerdan, e për t’i bërë qejfin gjyshes, mundësisht për t’i marrë edhe ndonjë lekë si shpërblim, ia paraqita tërë mburrje si deftesën time.  Edhe pse nuk dinte shkrim e këndim, ajo kishte një mençuri natyrale, për të mos folur për kujtesën e saj fenomenale, aftësinë për të lidhur ngjarjet me njerëzit dhe, mbi të gjitha, leximin e saj të realitetit shumë qartë. Ajo nuk e besoi rengën time dhe natyrshëm më “demaskoi” para të tjerëve si xhambaz (meqenëse asaj i pëlqente aq shumë të më quante ashtu). Nuk më eci. As lekë nuk arrita dot t’i marrë, as qejfin nuk ia bëra, ashtu siç do t’ia bëja vite më vonë kur i dhashë lajmin e fitimit të shkollës së lartë. Për të shkolla ishte gjithçka, edhe për arsyen se shumicës prej tetë fëmijëve të saj, disa të shkëlqyer në mësime, iu ishte mohuar e drejta e studimit gjatë diktaturës për arsye biografike.

Njerëzit shtoheshin dhe hapësira e asaj dhome të vogël bëhej më e ngushtë, kurse kujtesa ime rrokullisej përçastshëm teksa luanim së bashku me gjyshen spathi me letra. Jo vetëm që isha duke e mundur me plot hile e dredhi, por, si për të mos mjaftuar të gjitha këto, në fund të lojës i thashë: “Nëne, mos u kruaj me mua…., se unë të mund!” Gjyshja ishte mësuar të fitonte me të gjithë ne, fëmijë, nipër e mbesa, kurse hilet, edhe pse i kuptonte mjaft qartë, nuk i duronte dot, aq më tepër prej meje, në atë kohë fëmijë arrakat dhe i pabindur, por fjala e rëndë për të nuk mund të tolerohej, kështu që aty për aty një shpullë e një dore të vogël e të thatë më erdhi rrufeshëm surratit duke u shoqëruar me xixa në sytë e mi. Sertësia e saj nuk mund ta kapërdinte dot një fjalë të tillë, mirëpo për ne ajo ishte gjithçka, ndaj gjyshes i lejohej çdo gjë.

Nënë Xhekua ka pasur një dëshirë dhe kujdes të hatashëm për të dokumentuar gjithçka që kishte pasur të bënte me jetën dhe vuajtjet që ajo kishte kaluar. Me largimin e saj nga kjo botë, për ne, ashtu siç mund të ketë ndodhur edhe me familje e raste të tjera, u largua edhe një pjesë e rëndësishme e kujtesës dhe e historisë së gjallë të fisit, të lidhjeve farefisnore, të historive të hershme, të gjenealogjisë familjare etj. As im atë, si një ndër më të mëdhenjtë e tetë fëmijëve të saj, por as hallat e mia, më të mëdha se ai në moshë, nuk janë, tanimë, në gjendje t’u japin përgjigje pyetjeve të ndryshme që ne, pasardhësit e tyre, mund të kemi lidhur me njerëz apo ngjarje të caktuara. Me ikjen e saj u mbyll një kapitull përsa i përket kësaj historie dhe aftësie lidhjeje me njerëzit.

Për të bota ndahej në dy kategori të mëdha: në të mirë (Amerika me Anglinë, edhe pse herë pas here, në gjallje të saj, thoshte që po të kishin dashur ata mund të na kishin shpëtuar nga komunizmi) dhe në të këqij (që ishin komunistët, si farë e keqe e ardhur prej Bashkimit Sovjetik). Mbi këto dy parime e sendërtonte analizën dhe ligjërimin e përditshëm gjyshja. Dëshirën e dokumentimit të vuajtjeve të saj ajo do ta realizonte që në gjallje, ku për një periudhë të gjatë kohore një ndër kushërirat e mia, me kaligrafi shkrimi shumë të bukur e shumë të kuptueshme, thirrej prej saj dhe shkruante gjithçka që ajo rrëfente. Nën titullin “Vuajtjet e mia – Hatixhe Lapardhaja” ajo arriti të mbushë pikërisht një fletore të trashë shkrimi, që më pas një tjetër mbesë e saj do t’i radhiste në kompjuter në përarfërsisht 30 faqe formati A4.

Teksa rrëmoja pak ditë më parë në bibliotekën personale, në një ndër raftet e saj të poshtëm, nuk di se si kishin përfunduar tek unë pikërisht shënimet e gjyshes. Janë, përafërsisht, 30 faqe formati, është fletorja e shkruar me shkrim dore, me një pastërti, bukuri e rregullsi të admirueshme, dhe një disketë e vjetër për kompjuterët e dikurshëm.

Keqardhja ime e sotme, pas më shumë se 11 vjet nga largimi i saj nga kjo botë, është se me atë kujtesë, elokuencë dhe aftësi për të lidhur ngjarje me njerëz të caktuar, nëse do të kisha qenë unë shkruesi, do ta kisha orientuar bashkëbisedimin dhe marrjen e mendimeve të rrëfimeve më të sistemuar dhe mendoj se do të vlente më shumë për të vjelë prej thesarit të kujtesës së gjyshes, mirëpo koha është e pamëshirshme dhe e pakthim, ndaj unë jam i detyruar për shkak të kësaj ligjësie të mbështetem e të transmetoj bash sipas atyre që ajo ka rrëfyer gojarisht dhe një ndër mbesat e saj ka shkruar e dokumentuar, pikërisht në çka dëgjuar.

Me ç’duket, dashuria e motrës për vëllanë qenka aq e madhe sa edhe në moshë të thyer plagët mbeten të pambyllura, ndaj shënimet e gjyshesh përqëndrohen gjatë tek dy vëllezërit e saj, Hysenj Arëza dhe Jakup Shalësi. I pari i shkolluar në Itali, me bursë nga shteti, me gradën kapter i klasit të parë, i dyti një ndër komandantët e Ballit Kombëtar për zonën e Beratit. Të dy me fat tragjik. Hyseni një ndër njëmbëdhjetë ushtarakët e dënuar me vdekje për kryengritjen e Fierit, ndërsa Jakupi i pushkatuar nga komunistët në ’45.

“Mjerë kush ikën, – rrëfen gjyshja. – Burgu ka dyer, dheu s’ka. Atë ditë që i morën për t’i pushkatuar (duke folur për Hysenjin – shënimi im) do t’i lidhnin sytë. Ai u tha që nuk jemi kurban për Bajram, na i lini sytë hapur të shikojmë Shqipërinë se po e lajmë me gjak. Kur i ra batareja s’e kishte marrë asnjë plumb. U ngrit e u tha se jam i pafajshëm. Ata i thanë që je ruajtur dhe i ranë për së dyti…. Ai u vra më 25 gusht, më 18 shtator i lindi vajza…”

Vëllai tjetër i saj ishte Jakup Shalësi, i lindur më 1908. Sipas gjyshes, Jakupit ia kishte lënë amanet i ati të mos merrej me asnjë parti politike, sepse nuk kishte nevojë për shkak të pasurisë së tij të madhe. Gjyshja tregon se “kur në 1939 u mor vesh që do të na pushtonte Italia, Jakupi dhe ca shokë mblodhën gjithë fshatarët e ca pushkë gjahu e ca teke dhe u përgatitën të luftonin. Nëna i tha se çfarë bëni kështu, se po i dilni përpara një mbretërie të madhe, ju luftoni me ato pushkë të kalbura dhe me ato teke, ata me topa dhe mitraloza. I biri nuk e dëgjoi, por së bashku me të tjerë shkuan në Vlorë…”.

Kur më 1943 komunistët filluan luftën vëllavrasjen, Jakupi ishte një ndër komandantët e Ballit Kombëtar për Beratin. “Balli, -shkruan gjyshja, – i kishte njerëzit mbi 30 vjeç, kurse partizanët ishin të rinj. Balli nuk shtinte mbi ta. Kujt t’i shtinin?! Evlatëve të tyre?! Kishin djemtë, nipërit, vëllezërit… Nëna i tha ik bir se nuk keni fuqi, me kë po luftoni?! Po luftoni me ata që hapën programin që do të vrasim beun dhe again e do t’u marrim tokën. Ik… ruaj kokën.”

Fati e kishte shkruar ndryshe të ardhmen e Jakup Shalësit. Ai nuk kishte zbatuar amanetin e të atit dikur, as fjalën e nënës atëherë, ndërkohë që lufta po mbaronte. Më 1944 ai ende kishte shpresë tek zbarkimi dhe ndihma që do të vinte prej Anglisë, ashtu siç, ndofta, kishin shpresë një pjesë e konsiderueshme e elitës shqiptare në atë kohë. Ndërkohë që nisej për në Tiranë, gjyshja kujton se i kishte thënë se “ju mbaruat”, ndërsa ai i ishte përgjigjur plot besim e entuziazëm se tani e ka Anglia në dorë dhe me largimin e gjermanëve, do të zbarkojnë anglezët. Zbarkim që, në fakt, nuk ndodhi kurrë.

Ngjarjet rodhën dhe komunistët e morën të vetëm pushtetin. Ndër të parët e arrestuar në zonën e Beratit ishte Jakup Shalësi. Gjyshja rrëfen se më 1 shkurt 1945 i shkoi të vëllait në burg. Gjyqi popullor kishte marrë vendim dhe e kishte dënuar me vdekje Jakupin, dënim që do të ekzekutohej vetëm pak ditë më pas. Motra shkoi të takonte të vëllanë për t’i dhënë lamtumirë. Nuk e lejuan. Të hënën e 6 shkurtit e pushkatuan.

Vetëm pas 45 vjetësh anglezët së bashku me amerikanët do të “zbarkonin” në Shqipëri për të bërë realitet shpresën e Jakup Shalësit gjatë përfundimit të luftës.

Më 22 tetor 1993, plot 48 vjet pas pushkatimit të tij, ndërkohë që në vend kishte ndryshuar regjimi, në të hyrë të Beratit në një rrëpirë kodre u gjetën skeletet e një trupi të madh, lidhur me pranga gjermane, me një trup më të vogël dhe të imët. Ishin eshtrat e Jakup Shalësit dhe Asqeri Numanit të pushkatuar në vitin ’45 nga komunistët.

“Kur erdhi demokracia ne u gëzuam shumë, – vazhdon rrëfimin e saj gjyshja, – ndërsa shumë të tjerë u dëshpëruan. Do pjekim me saç bukën e do ngasim me parmend tokën, thoshin. Unë u thosha që jo, sepse tani u bëmë me Evropën e do punojmë me vegla moderne. Kishim një gëzim se do të vinte Evropa e do të na ndreqte. Mirëpo, u doli fjala atyre, sepse ne të luftuarit nga “demokracia” pamë vetëm të drejtën e fjalës, që s’na burgosin kur flasim dhe u njohëm me njerëzit dhe farefisin tonë që për 50 vjet nuk i njihnim dhe nuk kishim mundësi të hynim e të dilnim”.

“Mjerë i ndershmi…. – heq pak më tej. – Shqipëria është vendi ynë, por kur janë njerëzit e ligj, të mërzitet. Kemi shpresë, sidomos ne që jemi të luftuar, jemi lutur dhe kemi shpresë tek Amerika dhe tek Anglia”.

Kosova zë një vend të veçantë të rrëfimet e gjyshes. “Me të vërtetë u vratë, – thotë ajo, – por fituat atdhe me gjakun tuaj. Zoti ju ndihmoi. U tha fuqive të mëdha në vesh të ndihmoni kosovarët se janë të pambrojtur dhe ashtu vërtet u ndihmuan dhe u shpëtuan nga thonjtë e serbit”.

Gjyshja, edhe pse e shtyrë në moshë, ishte thellësisht e zhgënjyer nga ajo që ndodhi në Shqipëri pas ’90.

“Çfarë të mire kanë parë shqiptarët nga regjimi i Enver Hoxhës që e kërkojnë prapë?” – pyet diku naivisht.

“Shpresa, – rrëfen ajo diku nga fundi, – u godit që në ’90, që në gjallje të Ramizit dhe të Nexhmijes. Nuk mund të bëhej demokracia me komunistët”.

Gjyshja i përmbyll shënimet e saj me një rrëfenjë nga periudha e diktaturës ku tregon se “komunistët morën një zotëri, një tregtar dhe ia morën të gjitha paratë, mirëpo nuk ishin të kënaqur dhe e futën në gropë, duke i lënë vetëm kokën përjashta. I dërgoi haber së shoqes dhe i tha në më do, ku ke flori, vath, varëse e lule xhevairi, mblidhi e m’i bjer. I mblodhi ajo dhe ia çoi. E nxorrën nga gropa dhe nuk e lanë të shkonte në shtëpi, por e futën në burg, me arsyen se “pse na mundove, e nuk i nxorre që në fillim”. Ata ishin hajdutë dhe o vidhnin o vrisnin. Si sot. I kanë të dyja, edhe hajdutë, edhe kriminelë. Ashtu u rritën tre breza me frymën e Enver Hoxhës, kriminelë që vret vëllai vëllanë. Siç bën qeveria, bën edhe popullsia; hajdute qeveria, hajdute popullsia…”.

E unë teksa shfletojë faqen e fundit të rrëfimeve të gjyshes, rikthehem sërish aty në dhomën e vogël e të ngushtë, ku trupi i imët dhe i krusur nga pesha e viteve të gjatë të jetës përgatitet të niset për në banesën e fundit, ndërsa imazhi i saj, fytyra e bardhë, e thatë dhe e rudhur nga mosha dhe jeta, më shoqëron gjatë gjithë kohës që hedh këto rreshta në kompjuter.

Më Shumë

Zyrtare: Jakup Berisha nënshkruar me Suharekën

Suhareka ka vazhduar me afatin kalimtar, si në largime, ashtu edhe në afrime, duke nënshkruar kësaj rradhe me mesfushorin Jakup Berisha. Mesfushori sulmues së fundi...

Ish-futbollisti i famshëm i jep fund beqarisë në moshën 50-vjeçare

Futbollisti legjendar italian Filippo Inzaghi, u martua këtë javë në Formentera, ishulli më i vogël spanjoll në grupin e Ishujve Balearik. Në Formentera, Inzaghi u...

Lajmet e Fundit