Koalicioni LDK- AAK- Nisma dhe Vetëvendosje kanë vendosur që “topin” për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit t’ia gjuajnë PDK-së. Kështu ka thënë për Gazetën Blic anëtari i Kryesisë së AAK-së dhe njëherësh këshilltari kryesor i Ramush Haradinajt, Avni Arifi.
“Po e presim PDK-në që të lëviz. Blloku do ta respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka thënë se PDK duhet ta zgjedh kryetarin e Kuvendit. Pra, le t’i krijon PDK institucionet nëse i ka numrat”, ka thënë Arifi.
Sipas Arifit, PDK duhet të veprojë e jo Blloku.Nënkryetari i PDK-së, Adem Grabovci ndërkaq, ka thënë për Gazetën Blic se PDK i ka numrat për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për formimin e qeverisë, mirëpo sipas tij Kosovës i duhet një qeveri stabile. “Nuk është problem që t’i bëjmë 61 vota. Mirëpo, synim i yni është që të krijojmë institucione stabile dhe të qëndrueshme. Pra, ne jemi të hapur që të bashkëpunojmë me secilën parti”, ka thënë Grabovci.
I pyetur ndërkaq, se kur mund të kemi seancën e radhës konstituive në mënyrë që të zgjedhet kryetari i Kuvendit, në mënyrë që pastaj t’i hapet rruga krijimit të qeverisë, Grabovci ka thënë se nuk do të ketë vazhdim të seancës pa pasur marrëveshje ndërmjet partive.
“Nuk ka kuptim që të kemi seancë pa marrëveshje. Nëse do të arrijmë marrëveshje, atëherë do të thërrasim seancën e Kuvendit, ku do ta zgjedhim kryetarin, kryesinë dhe qeverinë”, tha ai.
Sipas tij, PDK që nga 9 qershori ka qenë e gatshme që të ulet me partitë politike në mënyrë që të gjendet në zgjidhje për tejkalimin e situatës.
Kosova tash e pesë muaj është pa institucione. PDK ndonëse doli partia e parë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit me mbi 30 për qind, nuk po arrin që të gjejë asnjë parti për të hyrë në bashkëqeverisje me të. Në anën tjetër, Blloku LDK- AAK- Nisma dhe Vetëvendosje kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, duke e pasur edhe shumicën në Kuvendin e Kosovës, mirëpo një vendim i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e zgjedhjes së kryekuvendarit duket se ka bllokuar gjithçka./ Gazeta Blic