Të veshura thjesht, me fustanet shpesh të mbyllura në grykë, dhe vështrimet e ndrojtura, gratë që na vijnë përmes imazheve bardh e zi të Marubëve, flasin aq shumë me qëndrimet e tyre. Para fotografive që na ccojnë tej në histori, po ndalojnë këto ditë qindra vizitorë holandezë, për të kuptuar vështrimet e tyre. Këto ditë në Amsterdam u hap ekspozita “ Dinastia Marubi – 100 vite të studios fotografike shqiptare”.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishte dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, drejtoresha e FOAM Marloes Krijnen, kuratorja e ekspozitës Kim Knoppers, drejtori i Muzeut Marubi Luçjan Bedeni, ambasadorja holandeze në Shqipëri, Dewi van de Weerd, ambasadorja shqiptare në Holandë Aida Sakiqi, ambasadorja e Kosovës në Holandë Vjosa Dobruna si dhe personalitete të tjera të njohura. Ekspozita me fotot e Marubit u prit me kureshtje dhe interes të veçantë nga publiku holandez, ndërsa në fjalën e saj Ministrja Kumbaro prezantoi një copëz të historisë 100 vjeçare të kësaj dinastie.
“Niseshin nga gjithë Shqipëria në Shkodër, në skajin verior të vendit, veç për atë fotografi, mbi kolltukun e pashmangshëm ku uleshin pa fund, personazhet e fillim-shekullit XX, gjithë shoqëria shqiptare kalonte në atë sfilatë, me po atë sfond floreal që imitonte kopshtin, dhe krahun e zonjave mbështetur. Një ritual elegant oksidental të kuruar deri në detaje, që alternonte portretet me veshje tradicionale, me vështrime befasuese, sidomos femërore që nga ezmerja deri te turçelesha, nga lypsarja deri te madama, duke e kthyer çdo portret në një arketip”, tha Kumbaro. Sipas saj, kjo ekspozitë është jo vetëm një faqe e pasaportës sonë kulturore por mbi të gjitha një ftesë për të vizituar Shqipërinë. ”Kemi sjellë këtu në zemër të Evropës një copëz të Historisë së Fotografisë Shqiptare si një faqe të pasaportës sonë kulturore, por edhe si një ftesë për të ardhur në Shqipëri, sepse pasaporta jonë ka shumë faqe që duhen prekur në vend”, tha Kumbaro. Ministrja e Kulturës ndau me të pranishmit edhe detaje personale për rëndësinë dhe famën që kishte Marubi në Shqipërinë e varfër e të paurbanizuar të viteve 30, ku mungonin rrugët e makinat, e ku njerëz nga gjithë skajet e vendit niseshin enkas drejt Shkodrës veç për të pasur një foto nga studio e Marubit.
“Ishte një kohë, dicka më pak se një shekull më parë, kur në Shqipërinë pa rrugë, pa transport, pa teatër, pa ekspozita, kishte shqiptarë që merrnin rrugën, nga qoshe të tjera të vendit për të bërë një foto në studion Marubi – këtë më rrëfente gjyshja nga ime nga Gjirokastra në jug të Shqipërisë, tek më tregonte me krenari foton e saj e të gjyshit tim në fillim të viteve 30”, tha Kumbaro, duke shtuar se “sot është koha kur duhet marrë avioni, trageti, apo makina, për të vizituar Muzeun më të bukur të Fotografisë në Ballkan pa dyshim! – por edhe me krenari do të thoja, një muze dinjitoz evropian”. Gjatë qëndrimit në Holandë ministrja e Kulturës Kumbaro është pritur dhe ministrja hollandaze e Kulturës, arsimit dhe shkencës Jet Bussemaker. Ministret shkëmbyen eksperiencat e secilit vend mbi barazisë gjinore – pjesemarrjen e grave në ekonomi, politike dhe kulturë, etj. /Shqip/