Këto akuza ish-komandanti i Zonës Operative të Pashtrikut, Sadik Halitjaha, i ka cilësuar si imagjinatë të gjykatës, që sipas tij, janë për t’i shtuar peshën asaj që supozohet që i bën fajtorë udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Këto shtesat që bëhen, anekset e shtuar në aktakuzë, aktakuzë e cila akoma nuk është aprovuar nga gjykata, siç nuk është lëshuar nga gjykatësi i procedurës paraprake edhe vendimi për arrestimin e udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë bërë shumë shkelje, edhe ky aneks është imagjinatë, për t’i shtuar peshën asaj që supozohet që i bën fajtorë Udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është shprehur Halitjaha, raporton Klan Kosova.
Halitjaha theksoi se gjatë luftës nuk ka pasë urdhra askush të arrestojë apo të ndalojë dikë.
“Këtu është bërë luftë e vërtetë dhe nuk është e vërtet se kemi pasë të drejtë të ndalimit të njerëzve, kemi pasë qëndrim mos të futen brenda neve njerëz të dyshimtë, por jo të arrestohen. Askush nga ushtarët nuk ka pasë pranga apo urdhra të arrestojë dikë”, theksoi ai.
“Nuk kemi pasë burgje, shtëpi me dry, vend-qëndrim të njerëzve, kemi qenë ushtri vullnetare herë me një kodër, herë në tjetrën, s’kemi pasë ligje për të dënuar njerëz. S’kemi pasë strukturë, gjykatë”, shtoi ai.
Ai potencoi se gjatë luftimeve kanë zënë tre serbë, por që të njëjtit janë liruar më pas, pa pasur nevojën e ndërmjetësimit.
“Tre i kemi arrestuar, i kemi kapur gjatë betejës, kanë qenë tre serbë, dhe më pas i kemi liruar, veç iu kemi marrë armët, pa pasur nevojë për ndërmjetësim. Lufta e Budakovës është një luftë që ka zgjatur më shumë se një vit, në çdo betejë kanë dalë humbës forcat serbe, humbjet e tyre kanë qenë trefish më shumë, kemi vrarë sa kemi mundur”, tha ai.