16.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Hamami, tjetërsim i kujtesës së qytetarëve

Që nga muaji shtator kur janë ndërprerë punimet, Hamamit të Gazi Mehmed Pashës më nuk i janë kthyer institucionet. E ndryshe nga ta, monumenti i trashëgimisë kulturore për dy herë ka qenë cak i hajnave. Rreth 214.000.00 dollarë amerikanë nuk kanë mjaftuar për përfundimin e punimeve në hamam, ndërsa në Ministrinë e Kulturës thotë se do të ndajnë mjete shtesë, ndërkohë projekti për restaurimin e Hamamit nuk ka kaluar nëpër Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Hajrulla Çeku, drejtor i organizatës “Ec Ma Ndryshe”, ka thënë për “Zërin” se restaurimi i Hamamit të Gazi Mehmed Pashës është realizuar nga një numër tepër i vogël individësh dhe pa konsultim me grupet e komunitetit. “Rezultati i kësaj pune doli të jetë mjaft zhgënjyes dhe përveç reagimit të qytetarëve për ndryshim drastik të pamjes, edhe profesionistët kanë treguar për gabime serioze gjatë kryerjes së punëve restauruese”, ka thënë Çeku, duke shtuar se në aspektin profesional, një nga dëmet më të mëdha në këtë rast është tjetërsimi i kujtesës së qytetarëve për këtë monument dhe ndërmarrja e këtyre veprimeve pa konsultim publik. “Ministria e Kulturës duhet urgjentisht të formojë një trup vlerësues ku duhet të përfshihen edhe ekspertë jashtë institucioneve shtetërore për të hartuar një raport mbi mënyrën e realizimit të punëve restauruese”, është shprehur Hajrulla Çeku, teksa ka thënë se të gjeturat e këtij vlerësimi duhet të jenë bazë për nisjen e proceseve të përgjegjësisë ndaj personave që kanë shkaktuar dëm në këtë monument të trashëgimisë, nëse një gjë e tillë vërtetohet përfundimisht.

Image
Gjejlane Hoxha, drejtoreshë ekzekutive e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ka thënë se nuk kanë pasur rastin ta shohin projektin për Hamamin e Gazi Mehmed Pashës, pavarësisht se një gjë e tillë kërkon ligj. “Projekti ka filluar të zbatohet pa marrë mendim nga Këshillit. Neni 5.2, thotë se pa marrë parasysh se kush i ndan fondet, vlerësimi i projektit duhet të bëhet nga Këshilli”, është shprehur Hoxha, duke shtuar se jo vetëm ky projekt, por asnjë projekt tjetër nuk vlerësohet nga Këshilli. “Të gjitha projektet po i vlerëson një komision nga Ministria e Kulturës, që është në kundërshtim me ligjin”, thotë Hoxha, teksa shprehet se nuk e di çfarë përmban studimi, në bazë të cilave kritere është vendosur që të bëhet kjo ndërhyrje, kush ka vendosur që të bëjë suvatimin. “Vrimat, siç njihen syri i elefantit, duhet të sjellin dritën në hamam, absolutisht kur një kohë të gjatë rri e mbuluar, atëherë ndërtesa praktikisht i ndërron rrethanat dhe “aty ku nuk hyn dielli, thuhet hyn mjeku”, dhe ato vrima janë planifikuar që të sjellin diellin, pasi hamamet kanë shumë lagështi”, është shprehur Gjejlane Hoxha, duke theksuar se KKTK nuk ka pasur rast të shohë studimin, nuk është i njohur me procedurat se kush e ka vlerësuar dhe kur e miratuar projektin, derisa ka shtuar se plani i restaurimit pjesërisht është zbatuar.

Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, ka thënë se në këtë fazë të implementimit të projektit për restaurimin e objektit të hamamit të Gazi Mehemet Pashës, janë mbuluar përkohësisht edhe vrimat nëpër kupolat e Hamamit. “Kjo gjë është bërë me qëllim të përkohshëm për ta penguar depërtimin e lagështisë në strukturat brenda objektit”, ka thënë Hoxha, duke shtuar se porsa të sigurohen mjetet financiare për vazhdimin e punimeve do vendosen xhama gjysmë sferike nëpër hapjet e kubeve dhe qemerëve. “Punimet në Hamamin e Prizrenit janë ndërprerë në shtatorin e vitit të kaluar për shkak të mjeteve financiare”, ka thënë Samir Hoxha duke bërë të ditur se shuma prej rreth 214.000.00 dollarë amerikanë ka qenë e pamjaftueshme, andaj punët janë ndërpresë në këtë fazë.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, ka thënë se projekti për Hamamin e Gazi Mehmed Pashës në Prizren është shqyrtuar dhe miratuar nga Ministria e Kulturës dhe zbatohet drejtpërdrejt nga Qendra rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe nga ekspertët e UNESCO-s. “Kjo shtresa e fundit që është bërë, në fund të shtatorit të viti të kaluar, sipas ekspertëve ndërkombëtarë, punimet që janë kryer aty kanë rezultuar se janë në përputhje me shtresën siç ka qenë më herët”, ka thënë Aliu, duke iu referuar shtresës së vënë në kupola, ku edhe janë mbyllur vrimat që shërbenin për depërtimin e dritës. “QRTK në Prizren ka kërkuar edhe një shumë rreth 45 mijë euro për t’i përfunduar të gjitha punimet aty dhe besoj që gjatë këtij viti do ta përmbyllim”, ka thënë Vjollca Aliu për “Zërin”. Ajo është shprehur se duke marrë parasysh vlerat që i ka hamami i Prizrenit, kërkesa për buxhet do të miratohet. “E kemi përcjellë me shqetësim Hamamin në këtë vit, kanë qenë dy raste të vjedhjes së plumbit aty, duam që sa më shpejt ta procedojmë dhe të përfundojnë punimet aty dhe ta funksionalizojmë Hamanin”, ka thënë Aliu.

Në bazë të marrëveshjes mes Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit dhe UNESCO-s, të nënshkruar më 17 mars 2010, QRTK-ja e ka hartuar projektin e restaurimit dhe rehabilitimit të Hamamit të Gazi Mehmed Pashës në Prizren. Sipas paramanës për punët restauruese janë nevojitur rreth 670.190.00 euro, thotë Samir Hoxha, duke treguar se nga konferenca e donatorëve për Kosovën të mbajtur nga Qeveria e Turqisë, është ndarë një shumë e caktuar për restaurimin e monumenteve në Kosovë ku është paraparë të ndahet një sasi e mjeteve edhe për Hamamin e Prizrenit. Për zbatimin e punimeve nga UNESCO është kontraktuar kompania ndërtimore NN “El-Com” nga Prizreni. /Zëri/

Më Shumë

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit acarohet me vendimin e MPJ-së ku iu ndalua hyrja në Kosovë, patriarkut serb

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, ka reaguar ndaj vendimit të autoriteteve kosovare, të cilat i ndaluan hyrjen në territorin e Kosovës, patriarkut serb, Porfirije. Nga...

Mbrëmë ishte përkrah Mbappes, Dembeles e Aubameyangut, flet Edon Zhegrova

Edon Zhegrova e gjeti veten përballë yjeve të futbollit francez, por edhe të atij botëror në gala mbrëmjen e zgjedhjes së futbollistit të vitit...

Lajmet e Fundit