0.3 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Haradinaj: Po mundohen të na kushtëzojnë të negociojmë me Thaçin

Ramush Haradinaj 1Koalicioni LDK, AAK dhe Nisma nuk do të bëjnë asnjë kompromis me Partinë Demokratike të Kosovës, sado që aktgjykimi i shpallur nga Gjykata Kushtetuese provon t’i detyrojë subjektet tjera të bisedojnë me këtë parti politike, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

RADIO EVROPA E LIRË: Zoti Haradinaj, fillimisht cilët do të jenë hapat që ju dhe koalicioni pas-zgjedhor do të ndiqni pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese për rastin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit?

RAMUSH HARADINAJ: Ne kemi kërkuar që seanca të mbahet në afatin sa më të shpejtë kohor, meqenëse është humbur shumë kohë. Kemi dëshirë që seanca të ndodhë sa më shpejt. Jemi të gatshëm për seancë si koalicion me partnerët politik. Sipas nesh, seanca do të ndodhë në këtë mënyrë; pra do të konsumohet e drejta që i ka atribuuar Gjykata Kushtetuese PDK-së për kandidaturën për kryetarin e Kuvendit, kurse epilogu dihet, pra do të ketë mungesë votash.

Me këtë rast, me dështimin e zgjedhjes së kryetarit nga partia që e ka marrë të drejtën ose që i është atribuuar kjo e drejtë nga Gjykata Kushtetuese, kjo e drejtë i kalon parlamentit dhe se deputetët e parlamentit më pas duhet të gjejnë mënyrën për të zgjedhur kryetarin dhe kryesinë. Ne e kemi këtë mënyrë të gjetur, fatmirësisht për Kosovën.

Pra, ne e kemi kandidatin,kryetarin Isa Mustafa dhe i kemi votat dhe e presim këtë moment në seancë për të filluar me punë. Pra, për ne seanca e ardhshme do të jetë një seancë që do të ketë sukses, sepse do të zgjedhet kryetari i parlamentit, kryetari Mustafa.

RADIO EVROPA E LIRË: Konsideroni se kjo pika që kërkon një marrëveshje i jep mundësi ligjore- kushtetuese Isa Mustafës që të kandidohet për postin e kryetarit të Kuvendit?

RAMUSH HARADINAJ: Unë kam folur për vendimin. Pra ne nuk e kundërshtojmë vendimin, por e komentojmë atë në bazë të pikëpamjeve tona. E drejta në komentim vlen. Ne jemi befasuar me këtë vendim. Ai është sikurse të ishte shkruar në zyrat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe jo në Gjykatën Kushtetuese.

Është shumë e dukshme tendenca për të na detyruar që të hyjmë në negociata me zotin Thaçi dhe me PDK-në. Pra, është një tendencë e mbajtjes me çdo kusht të një pjese të pushtetit. Qëndrimi ynë është i qartë, nuk bisedojmë, nuk negociojmë dhe nuk bëjmë bashkë-qeverisje me zotinThaçi. Ne jemi përcaktuar për ndryshime të plota.

Koalicioni LDK, AAK dhe Nisma dhe partnerët janë përcaktuar për ndryshime të plota pa PDK-në. Ne e kemi zgjidhjen në Kuvend, pra nuk e qojmë vendin në zgjedhje pasi që nuk e ka Kosova luksin për harxhime të dhjetëra milionave dhe humbur kohë për zgjedhje.

Po e them, është fat i madh që edhe pse PDK do të dështon për të dytën herë me kandidaturën e saj, koalicioni LDK, AAK dhe Nisma dhe partnerët e kanë zgjidhjen. Andaj ne e mirëpresim mbajtjen e seancës në afatin më të shpejtë kohor, në mënyrë që të fillojmë me ndërtimin e institucioneve.

RADIO EVROPA E LIRË: Kjo sipas jush, e përjashton përfundimisht mundësinë që PDK të merr postin e kryetarit të Kuvendit, kurse koalicioni LDK, AAK dhe Nisma qeverinë?

RAMUSH HARADINAJ: Nuk parashohim kompromis në cilindo variant me PDK-në. Pra, të vetmit që mund të japin kryetarin e Kuvendit dhe zgjidhje të situatës është koalicioni LDK, AAK dhe Nisma me partnerët politik. Pra, ky është realiteti dhe nuk ka asgjë në mes.

Është e kotë tendenca që të na kushtëzojnë për të negociuar. Do të thotë e kanë gabim kuzhinat që e kanë gatuar vendimin e tillë, për shkak se këtu bëhet fjalë më shumë për një koncept të ndryshimeve që është serioz e që në themel i ka ndryshimet e plota në vend.

Shiheni si e kemi gjendjen, po i jap dy-tri argumente. Kur flasim për korrupsionin deri në ç’shkallë është; kur flasim për rendin dhe ligjin kur flasim për hipokrizinë që për vite të tëra kanë bashkë-jetuar e flirtuar me fundamentalizmin e në fund, një aksion spektakolar. Është tragjedi për Kosovën, kjo qeveri e ka lejuar gjendjen të vijë deri në këtë shkallë.

Pra, ne nuk po shkojmë për ndryshime të pjesshme, sipërfaqësore apo vetëm sa për t’u arsyetuar, sepse ne jemi përcaktuar për ndryshime në themel të gjendjes në vend dhe këtë e sigurojmë vetëm duke bërë prerje të pastër me ata që e kanë shkaktuar këtë gjendje që janë PDK dhe partnerët e saj.

RADIO EVROPA E LIRË: Zoti Haradinaj, pse pas lirimit tuaj nga Haga ishit në gjendje që të bashkëpunonit me Thaçin, kurse sot jo?

RAMUSH HARADINAJ: Po ishte që kjo ditë mos me ndodhë. Do të thotë më 2012 i pata ofruar një dalje zotit Thaçi që kur të vjen kjo kohë, me u mbajt zgjedhje të lira, me vendos qytetarët, të nërtohen institucionet pa presione, pa vështirësi, në një vend të lirë, në një demokraci të lirë, e ku do të kishte edhe institucione që do të ishin me të vërtetë të pavarura.

Pra, ishte qëllimi që të mos e lejonim vendin me ardhë në këtë gjendje dhe ishte qëllimi që Kosova të fitojë kohë dhe kualitete. Thënë thjesht, për ta shpëtuar vendin. Fatkeqësisht atëherë nuk kam arritur t’i jap dalje, kurse tani kemi vendosur t’ia japim daljen, por kuptohet me dëme të caktuara për vendin, sepse kanë ndodhur dëme prej 2012 deri më tani.

RADIO EVROPA E LIRË: Po koalicioni LDK, AAK dhe Nisma sa është i qëndrueshëm dhe sa i ka ato votat cilësore, siç po vlerësohen në opinione e analiza të ndryshme?

RAMUSH HARADINAJ: Është e vërtetë që LDK, AAK, Nisma dhe partnerët politik i kanë votat, i kanë edhe cilësore. Ne kemi përkrahje të gjerë në këtë projekt. Ky projekt është i qëndrueshëm dhe i dobishëm për vendin. Pra, ky koalicion e ka votën për qeverisje, por njëkohësisht e ka edhe klimën e mirë.

Ta zëmë në raste të caktuara, për votën për ushtrinë, me dy të tretat dhe dy të tretat e kualifikuara të cilat ne i kemi; kemi pjesëmarrjen e pakicave në mënyrë të mirë dhe e dimë se vota shqiptare nuk do të mungojë për Ushtrinë e Kosovës, pra jemi në pozitë të qëndrueshme dhe të dobishme për vendin.

RADIO EVROPA E LIRË: Sa ka vend për Vetëvendosjen në këtë koalicion dhe sidomos për kriteret apo kushtet e saj që u ka vënë në lidhje me dialogun dhe privatizimin?

RAMUSH HARADINAJ: Tani ne jemi disa partnerë në bashkë-qeverisje dhe nëse edhe Vetëvendosje vendos të na bashkohet, atëherë ajo duhet t’i sjell edhe kontributet e veta, vlerat e parimet qeverisëse. Por, ato nuk mund të jenë kushte për vlera e parime për të cilat ne jemi përcaktuar.

Nuk mund të jenë kushte për parimet e përcaktuara për një Kosovë evropiane, për një Kosovë që i dedikohet zhvillimit ekonomik dhe investimeve, për një Kosovë që dëshiron marrëdhënie të mira me fqinjët dhe përshpejtim të proceseve integruese në NATO, në BE në OKB.

Ne e mendojmë njohjen nga Serbia të një rëndësie të veçantë, ngase me të do të hiqeshin të gjitha pengesat tjera që pasojnë dhe vetë rajoni ynë do të ishte në një rrethanë tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË: Do të thotë se nuk pranoni kushte sa i përket privatizimit dhe dialogut me Serbinë?

RAMUSH HARADINAJ: Nuk shkojmë në këtë logjikë dhe nuk kemi kohë me humb. Imagjinojeni pauzimin në ekonomi që do të ishte vdekje. Por, po ashtu edhe pauzat e caktuara në marrëdhëniet me fqinjët nuk janë të dobishme, sepse trendet janë shumë dinamike. Secili vend në rajon garon për t’i përshpejtuar proceset integruese dhe askush nuk e ka luksin e ndonjë pauze.

Mes Kosovës dhe Serbisë duhet të hapet tema e njohjes kur të vijë koha e duhur, në momentin e duhur, pra ne nuk guxojmë të mbetemi peng i cilësdo logjikë të pauzimit, sepse do të humbim në planin e brendshëm, në planin rajonal dhe në planin e jashtëm.

RADIO EVROPA E LIRË: Dhe, përfundimisht, besoni se do të jeni kryeministër në këtë mandat dhe çfarë ndryshimesh do të sillnit në Kosovë?

RAMUSH HARADINAJ: Po, do të udhëheqi me qeverinë e vendin në bazë të besimit që më është dhënë nga LDK, AAK, Nisma dhe partnerët politik. Kemi identifikuar prioritetet e vendit, kryesisht ato grupohen. Pa rend e ligj nuk mund të bësh as ekonomi e as asgjë.

Zhvillimi ekonomik është i rëndësishëm dhe kemi identifikuar mbi 100 prioritete urgjente për 100 ditët e para të qeverisjes, e po ashtu edhe shtyllat e angazhimit tonë gjatë mandatit të qeverisës katër vjeçar.

Kemi punuar konkretisht në këtë drejtim dhe për fat unë dhe një pjesë e kolegëve të mi e njohim qeverisjen, i kuptojmë temat e qeverisjes, i kemi përcjellë edhe zhvillimet e brendshme qeverisëse, edhe ato buxhetore dhe të gjitha që kanë ndodhur në vend, në mënyrë që të mos humbim kohë dhe t’i fitojmë kohë Kosovës.

Më Shumë

Kastrati raporton për projektet kryesore në takimin me qytetarët

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka mbajtur sot takimin e dytë publik për vitin 2024, ku prezantoi projektet e realizuara dhe ato...

Komuna e Prizrenit merr vendim që tri hapësira parkingjesh të vihen në shërbim të mërgimtarëve

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit ka njoftuar se tri hapësira parkingjesh do të vihen në shërbim të mërgimtarëve gjatë festave të...

Lajmet e Fundit