Kandidati i Vetëvendosjes për Prizrenin, Mytaher Haskuka ka folur për programin e tij për rrugët dhe parkingjet.
“Njëra nga arsyet pse është bërë shkatërrimi i shtëpive të vjetra ka qenë kërkesa për parkingje. Madje njerëzit që vijnë nga qytete të ndryshme në Prizren paguajnë çmime astronomike për parkingje ngase nuk ka vend dhe është një problem i madh”.
“Duhet të bëjmë analizën e mobilitetit urban ku do të shikojmë dhe riorganizojmë në mënyrë të mirëfilltë trafikun e qytetit dhe në të njëjtën kohë qyteti do të lehtësohej nga kërkesa për parkingje nëse zhvillohet Trafiku Urban”.
“Është një kompani që punon po i duhet ndihma e shtetit në rregullimin e linjave, orareve, stacioneve të autobusëve në mënyrë që më shumë qytetarë të përdorin transportin publik”.
Haskuka në Magazina Lokale në Klan Kosova ka treguar edhe planin e tij për ndërtimin e tri vend parkingjeve, nëse ai e merr udhëheqjen e Prizrenit.
“Gjatë vikendit dhe verës ka shumë qytetarë që vijnë për vizitë në Prizren, prandaj ne kemi paraparë që të ndërtohen tre parkingje në tre hyrjet e Prizrenit, në hyrjen e Kukësit, në hyrje të Therandës dhe në hyrjen e Gjakovës”.
“Në këto tre hyrje do të kemi parkingje publike ku njerëzit që parkojnë aty, me faturën e pagesës për parking, mund të përdorin autobusin urban dhe të shkojnë deri në qendër dhe të kthehen pastaj sërish prapa”.
E një program të tillë duket se nuk e ka vetëm Haskuka i Vetëvendosjes, pasi edhe kundërkandidati i tij, Shaqir Totaj nga PDK-ja ka prezantuar një plan të përafërt.
“Prizreni është një qytet në rritje e sipër, shumë lagje që janë ndërtuar vonë, kanë mbetur jashtë linjave të Trafikut Urban, prandaj ne planifikojmë riogranizimin e Trafikut Urban”.
“Pjesa hisotirke është e mbingarkuar dhe ka disa parkingje, planifikojmë të ndërtojme tre parkingje në tri lokacione, ndërsa në këtë plan ka edhe shumë detaje se sa do të kushtojë ndërtimi i tyre, kapaciteti i tyre e kështu me radhë”.
“Vizitorët kur parkohen aty, me biletën që e paguajnë për parkim mund të shkojnë në Qendrën Hisotike të Prizrenit dhe të kthehen prapa”.
Totaj ka thënë se projekti për ndërtimin e parkingjeve të mëdha ka mundësi të realizohet me partneritet publiko–privat ose vetëm me investime private.
E në një pikë tjetër, për parkimet në trotuar, të dy kandidatët që do të përballen në balotazhin e 19 nëtorit, kanë mendime të ndryshme.
Kandidati i Vetëvendosjes për Prizrenin ka deklaruar se në Prizren mund të fillojë edhe vendosja e “kungjave”, ashtu sikur në Prishtinë.
“Në disa lagje do të kemi “kungja”, kryesisht në qendër ku rrezikohen trotuaret nga veturat e parkuara, do të kemi masa të njëjta”.
“Rrugicat në mes të qytetit të Prizrenit ku parkohen veturat nga të dy anët, aty do të krijojmë hapësira që në njërën anë të jenë veturat e parkuara dhe në anën tjetër të jetë e dedikuar vetëm për këmbësorë”.
Kandidati i PDK-së për Prizrenin ka thënë se qarkullimi i veturave në Unazën e Prizrenit do të ndalet derisa do të lejohet vetëm qarkullimi i transportit publik.
“Të merren masa ndaj vozitësvë të papërgjegjshëm në kotantk me organet e drejtësisë të diskutohen se si do të veprohet me ata persona”.