10.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Helena Kadare: Lufta për të drejtat e grave nuk ka mbaruar

 helena kadareeeeeeeeeeeeeeeeeeeeNë vitet 1945-1946, kur Shqipëria sapo po futej në një nga sistemet më të egra dikatoriale, një grua e re ende pa mbushur të 30-at, që kishte studiuar filozofi në Romë, ishte e para që kërkoi të vendoseshin principet bazë të shtetit demokratik. Sot, portreti i saj na vjen përmes flokëve kaf nën qafë, vështrimit plot jetë, apo shkrimeve që i la nëpër dritare. Ajo ishte Musine Kokalari, fati i së cilës më pas do të ishte po aq i trishtë sa dhe e ardhmja e vendit. E internuar dhe më pas e burgosur, për shkak të këtyre qëndrimeve dënimi mbi të do të zgjaste dhe pas vdekjes. Nga Parisi ku ndodhet këtë fillim pranvere Helena Kadare, nëse do të ndalte kohën për të takuar një grua të historisë, do të donte të takonte këtë grua, forcën e së cilës e ndien ende në shkrimet që ajo la pas. Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Helena Kadare, vjen më poshtë në një rrëfim duke u nisur nga letërsia e Isac Bashevic Singer, një autor të cilit ajo i ka dhënë jetë në gjuhën shqipe, për t’u ndalur më pas te letërsia femërore dhe rolin e femrave në shoqërinë e sotme…

Le ta nisim intervistën nga një autor që ka ardhur në gjuhën shqipe i përkthyer prej jush, Isac Bashevic Singer. Kam lexuar përmbledhjen me tregime “Dashuri e vonë” dhe jam befasuar nga gjuha dhe forca që mbart brenda. Si ka qenë takimi juaj i parë me këtë shkrimtar?

Si shumica e gjërave të bukura që ndodhin në jetën e njeriut, njohja me veprën e këtij shkrimtari të magjishëm ka ndodhur rastësisht shumë vite më parë, kur Lidhja e Shkrimtarëve zotëronte një bibliotekë të pasur. Siç e kam thënë edhe herë tjetër, ishte bibliotekarja e pasionuar, F. Greva, që na i mundësonte leximet e këtyre librave që nuk gjendeshin në treg, madje edhe në Lidhje, ishin me përdorim të kufizuar. Ashtu sikurse pohuat edhe ju, sapo lexova tregimin e tij të parë ngela pa frymë. Edhe pse në atë kohë nuk e njihja mirë frëngjishten, ndjeva menjëherë një afërsi, një empati të menjëhershme me të. Singeri ishte hebre nga Polonia. Ai vinte nga Europa Qendrore, dhe, edhe pse jetoi derisa vdiq në Amerikë, shkroi vetëm në gjuhën e tij jidish, që është një përzierje mes gjermanishtes dhe hebraishtes, e përdorur nga një komunitet i paktë njerëzish. Por ai ngulmoi ta lëvronte dhe ta mbante gjallë këtë gjuhë dhe ia arriti. Sikurse thashë, edhe pse nuk e zotëroja mirë frëngjishten, në të cilën gjeta Singerin, ndihej menjëherë që kishe të bëje me një gjuhë të larmishme, plot kolorit e gjithë lëng që, për çudi, i shkonte shqipes si një dorezë që futet lirshëm në dorë e që ndihesh mirë brenda saj. Ky tregim më dha dëshirën, siç është e natyrshme, ta ndaj me të tjerët këtë kënaqësi. Dhe iu vura ta përkthej. Duke hapur e duke konsultuar fjalorët, e solla në shqip si munda dhe, ngaqë isha e ndërgjegjshme për mungesat, ia dhashë përkthyesit të shquar, Robert Shvarc, me të cilin punonim së bashku në shtëpinë botuese. Ishin fillimvitet ’90, kur ne ishim larguar ndërkaq nga Shqipëria, kur Shvarci, pasi i kishte bërë një redaktim të mirë, më lajmëroi se e kishte nxjerrë tregimin në gazetën letrare “Drita”. Fjala ishte për tregimin “Dorëshkrimi”.

Singeri shkruan për histori të vona, histori që fundin e lumtur e kanë gjithmonë vonë, apo atëherë kur nuk ka më kohë për t’i jetuar… Është gjithnjë vonë për kohë të bukura?

Po e nis përgjigjen nga fundi i pyetjes suaj: Për kohë të bukura, ose më saktë për momente të bukura nuk është kurrë vonë. Dhe njeriu ka nevojë gjithmonë për ato. Veç më parë, le të biem dakord se çfarë quhet moment i bukur. Për mendimin tim, njerëzit duhet të mbajnë përherë në shpirtin e tyre një flakëz të ndezur, sado e vështirë dhe problematike qoftë jeta e tyre, ata s’duhet ta braktisin, s’duhet të heqin kurrë dorë prej saj. Por flakëza që përmenda, nuk mund të qëndrojë atje gjatë, pa vëmendjen dhe kujdesin tonë. Aftësia për t’u mrekulluar nga shfaqjet e botës, nëse mundemi ta bëjmë këtë, tregon se jemi ende në kërkim të diçkaje që qëndron mbi atë çka kapin shqisat tona. Kështu, një libër i bukur, një shfaqje teatrale, një koncert, një tablo mjeshtëri, bëjnë pjesë në mbajtjen gjallë të kësaj flake në shpirtin tonë. Gjërat e bukura s’janë me domosdo larg nesh. E rëndësishme është për njeriun të dijë gjithnjë të habitet. Kur jam para Rembrandit apo Rubensit e tërë qenia ime ngazëllen, thoshte poeti dhe miku ynë, Bosquet. Dhe meqenëse po flasim për gjërat e bukura që e gëzojnë jetën, nuk mund të lë pa përmendur lumturinë që sjell miqësia, e cila nuk kërkon as moshë as kushte speciale për ta përjetuar. Mendoj se miqësia është e nevojshme për çdo qenie njerëzore, që ka nevojë të ndajë mendimet me dikë. Në hierarkinë time personale unë e vë atë dukshëm lart mbi ndjesitë e tjera. Tani po i kthehem fillimit të pyetjes suaj. Nuk mendoj se Singeri shkruan për histori të vona. Ju ndoshta bazoheni te tregimi “Dashuri e vonë”, që sapo përmendët. Por vepra e tij është shumë më e gjerë dhe e pasur se kaq. E gjithëkohshme, po ashtu, ndaj dhe e pamundur të interpretohet duke e përkufizuar. Në këto vite, kam pasur rastin t’i hyjë mbarë veprës së tij, por edhe biografive dhe studimeve të shumta që ka për të. Në të gjitha kam gjetur pak a shumë këtë mendim: Singeri është i paklasifikueshëm, sepse asnjëherë nuk mund të nisesh nga ngjarjet apo personazhet që ai zgjedh, për të gjetur se në anën e kujt është. Shumë prej romaneve të tij, si p.sh. “Shosha” apo “Certifikata”, për të zënë në gojë dy prej tyre mbasi janë edhe në shqip tashmë, e tregojnë më së miri këtë.

“Letërsia është një histori fati dhe dashurie përzier bashkë”, shkruan Singer. Pas kaq vitesh në këtë terren a keni një përkufizim për letërsinë?

Ka kaq shumë gjëra të mençura thënë mbi këtë temë sa mendoj që s’ka nevojë edhe për mendimin tim. Di të them se libri është një nga dhuratat më të bukura që i është bërë njerëzimit dhe sa herë mendoj për këtë, bekoj së brendshmi Gutenbergun. Jorge Luis Borges thoshte: “Gjithnjë e kam imagjinuar Parajsën si një lloj biblioteke”. Dhe kishte të drejtë. Kam vënë re se sa herë kam ndër duar një libër të mirë, e gjithë gjendja ime shpirtërore ndryshon për të mirë, madje më duket se edhe fizikisht ndihem tjetër njeri. Dhe, kur më duhet ta ndërpres leximin, mendimi se do t’i kthehem së shpejti atij, më bën si “me fletë”, për t’i dhënë fund sa më shpejt punëve që më larguan prej tij.

Ka një femër në letërsinë e Singerit, historia e së cilës ju shfaqet shpesh?

Tabloja e personazheve femra të Singerit është kaq e pasur, kaq e pafund dhe jashtë skemave të njohura sa do të më duhej të bëja një listë të gjatë e të hollësishme. Mund të them se personazhi Shosha, në romanin e tij me të njëjtin emër, është një krijim krejt origjinal, jashtë çdo norme, një personazh pa ndonjë cilësi të veçantë apo të jashtëzakonshme, por mbresëlënës në llojin e vet. Ka në të një mirësi të ëmbël, kokëfortësi gjithashtu, marrëzi dhe tuhafllëk sa të duash, dhe plot detaje të të gjitha ngjyrave, që çuditërisht e bëjnë atë një personazh të paharrueshëm dhe shumë të dashur për të gjithë lexuesit. Kam vënë re se edhe kritika botërore i referohet shpesh këtij personazhi, si një nga krijimet më të bukura të Singerit. Ndërkaq, galeria e grave tek ai është e pafundme: gra, që fare rastësisht i kanë shpëtuar Shoah-së së tmerrshme, të dala nga kampet e përqendrimit, të mbijetuara në kushte çnjerëzore, një pjesë e të cilave edhe pse të shkatërruara shpirtërisht e fizikisht, kanë mundur të ruajnë të pacenuara ndjenja të holla njerëzore, siç janë ato të dashurisë e të sakrificës, të gatshme për ta rinisur jetën e tyre, ashtu copë-copë, sapo gjejnë një fije shprese apo dhembshurie. Vjen pastaj galeria e grave të periudhës të Polonisë së paraluftës, lagjet çifute të qyteteve polake, me karakteristika të forta e të spikatura të këtij populli të veçantë dhe të pangjashëm me asnjë tjetër. Të bëjnë përshtypje rregullat e përpikta dhe të rrepta të komunitetit hebre, që kanë mundur ta ruajnë të pacenuar identitetin e tyre nëpër shekuj, duke zbatuar me përkushtim rregullat e Talmudit të famshëm, që është dhe dokumenti bazë i kodit ligjor hebraik. Të gjitha këto janë përshkruar artistikisht, herë me humor e herë me dramacitet nga Singeri, në mijëra faqet e librave të tij. E megjithatë, pikërisht atje ku duket se asgjë s’mund të lëvizë apo të devijojë nga rregulli i shkruar i Librit, e aq më tepër t’i shmanget atij, befas shfaqen figura grash e vajzash të një tjetër lloji, të mahnitshme, sfidante, të vendosura t’i çojnë deri në fund idetë apo kokëkrisjet e tyre të guximshme. Një nga këto është Yentl, vajza e rabinit të shquar, e cila për t’i shpëtuar ligjit të rreptë që nuk u lejon vajzave shkollimin, vendos të kthehet e të bëhet djalë, duke pranuar madje të jetojë si një djalë, në një qytet tjetër ku s’e njeh njeri. Populli hebre, të cilit i përket ky nobelist i shquar, ka një kulturë të lashtë mijëravjeçare. Do të mjaftonte të lexoje librat e Singerit, për të njohur një botë krejt të panjohur për ne, një kulturë të madhe dhe të thellë. Ndaj sa herë më është dhënë mundësia të vizitoj Izraelin jam përpjekur plot kureshti të gjej të veçantën e këtij populli, që shpaloset drithërueshëm në librat e shkrimtarit të madh. Kohët e fundit që ishim në Jerusalem vizituam lagjen e famshme të këtij komuniteti, Mea Shearim, që do të thotë 100 portat. Banorët e këtij komuniteti të mbyllur ruajnë dhe respektojnë pikë për pikë rregullat e Librit të Shenjtë, njësoj si të ishin duke vazhduar jetën e disa shekujve më parë. Gjithçka është e ruajtur dhe e konservuar si dikur. Në veshje, në ushqim, në mënyrën si martohen, si lindin fëmijë… Dhe po ju them edhe diçka tjetër që e mësova tani vonë: Është bërë një anketim për gjendjen shpirtërore të njerëzve në përgjithësi, duke u bazuar në mënyrat e tyre të jetesës. Dhe rezultati qe se: ky komunitet i hershëm çifut, që quhen “ultraortodoksë”, për shkak të radikalizimit të jetës që bëjnë, (në kuptimin që e kalojnë gjithë ditën me lutje e falje, sipas një riti të caktuar dhe të respektuar rigorozisht) dalin se qenkëshin edhe njerëzit më të lumtur të botës!

Rruga drejt përkthimit është më e lehtë apo më e natyrshme për një shkrimtar… Sa ju ka ndihmuar shkrimi te ky proces?

Pa dyshim është më e lehtë. E natyrshme, po ashtu. Në fakt, vetë marrja me fjalët, vendosja e tyre në një formë a në një tjetër, gjetja apo mosgjetja e vendit të duhur, i ngjan një loje sa të mundimshme aq dhe interesante. Më kot nuk thonë “lojë fjalësh”. I gjithë ky proces fatlum i ngjan vërtet një loje…shahu, ta zëmë. Të gjithë ata që merren me krijimtari dhe e kanë pasion atë, e njohin mirë këtë ndjesi, që do ta quaja argëtim të shqisave. Ndërsa të shkruarit në vetvete, e ndihmon pa dyshim përkthimin. Ai të krijon lehtësi të shprehuri, të ruash logjikën e sintaksës dhe ritmin e fjalëve. Unë vetë nuk jam një përkthyese e mirëfilltë. Kam zgjedhur të përkthej ato libra, të cilët do të kisha dëshirë t’i lexoja vetë. Kështu, sa herë që bie në një lexim që më entuziazmon, mendimi i parë është që këtë libër të mund ta lexojnë edhe të tjerët. Atëherë shtyj e lë mënjanë çdo punë tjetër e ia nis përkthimit të tij. Kaq.

Përshkrimi i botës femërore ndihet në letërsinë e shkruar prej jush që në romanin e parë “Një lindje e vështirë”, për të vazhduar te “Një grua nga Tirana” apo “Bashkëshortët”… Në fakt, diçka e tillë ka ndodhur gjithnjë me shkrimtaret femra në gjithë botën e kohërat, një ndjesi për të përshkruar botën e tyre… Sa kanë dhënë femrat për femrat në letërsi?

Më duhet t’ju them qysh në fillim se asnjëherë nuk e kam parë letërsinë si një fushë beteje mes burrave e grave, për t’u dalë për zot të drejtave të këtyre të fundit nëpërmjet shkrimit. S’kam milituar dhe s’jam renditur ndonjëherë në kampin e grave feministe. Ndoshta ngaqë më mungon fryma militante, e domosdoshme për rastin në fjalë. Apo ngaqë nuk kam në veten time asnjë fibër prej lideri (lidereje?) të kësaj fushe, gjë e domosdoshme për ta mbajtur lart këtë flamur. Por është e vërtetë gjithashtu se kam shkruar me dashuri për femrat. Kjo vjen, besoj, ngaqë njoh, siç kujtoj, natyrën dhe ndjenjat e tyre, duke qenë vetë një grua. Ndërkaq, nuk mund të thuhet se personazhi grua në librat e mi është pozicionuar si një kundërvënie apo ndeshje ndaj së keqes, të personifikuar rëndom në figurën e burrave. Përkundrazi, më është dukur më natyrale gjetja e një rruge dhe e një mundësie bashkëpunimi mes të dyve, për ta bërë më cilësore e më të pranueshme jetën e përbashkët. Në qoftë se simpatia ime ka anuar, disa herë në mënyrë të dukshme, nga gruaja, kjo anësi mund të ketë një shpjegim të vetëm: në sytë e mi, gruaja, flas për atë që e meriton plotësisht këtë emër, më është dukur më sipërore, më e aftë se burrat, në përballjet e saj me jetën e përditshme, për nga kuraja dhe pasioni me të cilin i bën gjërat, nga qëndrueshmëria dhe intuita e saj. Kam mendimin se nga natyra, gruaja gjeneron brenda vetes më shumë forcë, më shumë ndjeshmëri dhe përkushtim në mbrojtje të familjes së saj dhe të kauzave të tjera. Kam dëgjuar nganjëherë të thuhet, jo pa një grimë ironie, se dashuria është historia e jetës së gruas dhe një episod në jetën e burrave. Nuk më duket kështu. Ka plot raste kur kjo thënie mund të përsëritet në të njëjtin kontekst anasjelltas, pra të jetë edhe për burrat kështu. Nëse më lejohet të jap mendimin tim për dashurinë dhe për raportin e një çifti në përgjithësi, them se dashuria, në rastet më të mira, nuk është të parët e njëri-tjetrit sy në sy, siç përfytyrohet nganjëherë, por e të dyve bashkë në të njëjtin drejtim. Dhe për të ardhur te gjysma tjetër e pyetjes suaj, mendoj se tablotë e personazheve femra, të njohura dhe të adhuruara nga gjithë lexuesit e botës, nuk kanë ardhur në letërsi falë penës së grave shkrimtare, por, madje do thosha shumë më tepër, nga pena të shkrimtarëve burra, që e kanë pasuruar letërsinë botërore me personazhe të jashtëzakonshme grash, modelet e të cilave vazhdojnë të frymëzojnë e të magjepsin gjenerata të tëra të njerëzimit.

Ju ndani një pjesë të jetës në Paris, një qytet i njohur për femra të mençura apo kauza të mëdha, në mbështetje të kësaj gjinie. Sa ka ndryshuar Parisi, apo perceptimi për gruan nga koha kur Simone de Beauvoir shkruante “Seksi i dytë”, një nga traktatet e para të feminizmit europian?

Është një gjë e njohur për të gjithë se faktori grua ka pasur një rol të rëndësishëm në jetën shoqërore e kulturore franceze. Mendoj se në Francë është i paperceptueshëm një sukses artistik apo letrar pa faktorin grua, si spektatore, lexuese, pjesëtare aktive në të gjitha veprimtaritë e jetës shoqërore. Është një traditë e gjatë kjo që vazhdon deri në ditët tona. Gratë kanë luajtur përherë një rol emancipues në jetën franceze. Dëshiroj të kujtoj një rast të fundit, që lidhet direkt me ne. Gjatë Luftës së fundit të Kosovës ishte revista e grave “Elle” që luajti rolin kryesor në thyerjen e një opinioni që ishte krijuar për shqiptarët. Më kujtohet gatishmëria e grave franceze për të mbështetur kauzën e popullit të Kosovës që luftonte për liri. Dhe në kaq kauza të tjera kanë qenë kryesisht gratë që kanë thyer tabu të rrënjosura ndër vite.

Virginia Wolf është një tjetër angleze që ka bërë një nga hulumtimet më të gjata mbi raportet e grave në histori me shkrimin… Tek eseja “Një dhomë më vete”, ajo shkruan se “nuk mund të ketë letërsi në një apartament ku bie era gjellë”, dhe se burrat kanë qenë ata që i kanë lënë gjithnjë me kast gratë në këtë terren…

Eseja e Virginia Wolfi-t është me të vërtetë e mrekullueshme, në mënyrë të veçantë shprehja që keni përmendur ju në lidhje me atë “erën e gjellës”… Veç nuk besoj se është gjithnjë ashtu. Kanë ekzistuar gra që e kanë ushtruar nevojën apo dëshirën për të shkruar në kushte edhe më të rënda sesa në apartamente me erë gjelle. Bie fjala, edhe në burg… Për sa i përket faktit se janë fajtorë burrat për këtë, mendoj se çështja është më e ndërlikuar dhe i takon krejt njerëzimit. Nuk më duket se janë vetëm burrat frenues të saj. Në një plan edhe më të gjerë ka qenë krejt shoqëria, duke përfshirë edhe vetë gruan që e ka “kryqëzuar” atë në pozitat e nënshtrimit dhe kokuljes. Ndaj dhe lufta për t’i rrëzuar këto mure e për t’u mundësuar grave të nxjerrin në pah e vënë në jetë kapacitetet e tyre mendore dhe shpirtërore varet nga emancipimi i krejt shoqërisë. Dhe i njohim fare mirë rastet e shumta kur ato kanë triumfuar.

Ka shumë kritika mbi lëvizjen e grave për pushtet, apo për dëshirën për të dalë nga ai apartament dhe për të bërë jetën e burrave?

Çdo iniciativë e gruas, çdo kurajë të saj për të dalë nga “apartamenti” i mbyllur, unë e përshëndes nxehtësisht. Veç duhet të jemi të qartë për diçka. Sepse prapa idesë së emancipimit të saj ka nganjëherë shumë spekulime, keqkuptime. Për shembull, ajo që quhej emancipim në komunizëm e që përmblidhej në fjalët “barazi e gruas me burrin” nga një pikëpamje mund të quhet një pseudoemancipim. Pas punëve rraskapitëse të grave në shtëpi, radhëve të gjata për ushqimin e familjes, vrapimit drejt çerdhes me fëmijën e sëmurë në krah, vajtja e saj në punë, shtoi kësaj “punët vullnetare” të së dielave, mbledhjet sfilitëse pas orarit zyrtar, format politike etj., etj., sikurse dhe puna drobitëse e grave të fshatit, që lëvdohej kur ajo arrinte ta bënte normën njësoj si burrat, mendoj se s’kanë të bëjnë me emancipimin, por me rrënimin dhe kthimin e tyre në gra-burra, që ishte dhe shfytyrimi i tyre si gra. Për pjesëmarrjen e grave në pushtet nuk shoh asgjë të keqe. Përkundrazi. Mendja e grave është më e gjallë, më aktive, më e ndriçuar dhe ka disa herë ide të reja më shumë se burrat. Por edhe pa këtë mbivendosje të fundit, më pëlqejnë dhe i përshëndes gratë që zënë poste kyçe në drejtimin e shtetit apo të institucioneve të rëndësishme, por me një kusht: duke ruajtur drejtpeshimin e tyre të brendshëm, pa u joshur kurrë nga mundësitë e jashtëzakonshme dhe forca që vjen vetvetiu nga posti që marrin. Kur ato arrijnë ta bëjnë këtë kombinim me mençuri, pa bujë e pa poza, por me përkushtim dhe mirëkuptim me subjektet që do të drejtojnë, për mua mund ta mbajnë pa frikë epitetin “gra të mëdha”.

Colette, një tjetër franceze e famshme, tha në vitin 1927 se “Kur gratë fitojnë pushtet, janë absolutisht të tmerrshme. Janë më keq se burrat dhe jo vetëm kaq… “.

Gjithmonë ka thënie ekstravagante që duket sikur janë krijuar enkas për të bërë bujë. E kam vënë re se francezët e çmojnë shumë Colette-ën dhe i referohen asaj në shumë gjëra që ka thënë. Thënia që keni zgjedhur ju nuk më duket se qëndron në të gjitha rastet. Njihen nga historia shembuj të shkëlqyer grash të pushtetshme që e kanë çuar përpara shoqërinë. Do të sillja këtu shembullin e Golda Meir-it e të Margaret Thatcher-it (për të përmendur veç dy prej tyre) që sollën aq shumë përparim dhe mbarëvajtje për kombet e tyre. Por ka një përjashtim këtu a një ngatërresë me gratë e burrave të pushtetshëm, që i bëjnë ato “absolutisht të tmerrshme dhe më keq se burrat…” . Po marr vetëm dy shembuj për të ilustruar rastin: Gruaja e Stalinit, që ishte një shembull i virtytit dhe i thjeshtësisë, në kundërshtim të plotë me egërsinë e të shoqit dhe gruan e Çausheskut, personazh pa asnjë vlerë morale e njerëzore, por që u bë e pushtetshme për shkak të burrit të saj, dhe që ishin në unison të plotë me njëri-tjetrin. Rastet e modelit Çaushesku janë të njohura e të përhapura në botë. Këto janë gra abuzive, që kanë fituar pushtet për shkak të burrave që kanë, madje në disa raste që ua kalojnë edhe atyre për nga vrazhdësia, patjetër që do të jenë “të tmerrshme”, sikurse thotë Colette. Pa kurrfarë merite vetjake, ato kanë zënë pozicione të larta shtetërore, dhe pa iu dridhur qerpiku, vendosin mbi fatet e një shteti apo mbi jetën e të tjerëve. Natyrisht që për to epitetet negative si ky që thatë ju, do të jenë të bollshme.

Megjithatë, Shqipëria vazhdon të jetë një vend ku flitet ende për të drejtat e femrave. Numri i viktimave femra nga dhuna në familje vazhdon të rritet… Si e shihni këtë fenomen?

Për fat të keq, po. Ka shumë dhunë, ka shumë agresivitet madje kjo është e dukshme edhe në shfaqjet më të zakonshme të jetës së përditshme. Po marr një rast banal: mjafton të ecësh nëpër rrugët e Tiranës dhe e ndien, e prek realisht një lloj nervozizmi mashkullor, në mënyrë të veçantë nga ata që kanë në dorë edhe nga një timon makine. Asnjë mirëkuptim, asnjë tolerancë… Kurse dhuna në familje, veçanërisht ajo në fshat është katastrofike. Nuk di të them, kjo gjë ka një fluks të ri, apo ka qenë edhe më parë kështu, por gjërat nuk dilnin nëpër gazeta, siç i lexojmë sot, dhe gjithçka mbyllej brenda për brenda. Sa për atë që ju thoni se jemi një vend ku “ende flitet për të drejtat e femrave”, kjo nuk ndodh vetëm te ne. Në gjithë botën lufta që bëhet për të drejtat e grave vazhdon të jetë një pikë nevralgjike. Diku më të mprehta, diku më të zbutura, por kjo temë është e pranishme ngado. Dhe, mendoj, se kështu ka për të qenë një kohë ende të gjatë.

Më lini t’ju kujtoj një rast të një viti më parë. E kam fjalën për Nazime Vishën 18-vjeçare që vrau dhunuesin e saj. Bashkëshorti juaj, shkrimtari Ismail Kadare, iu bashkua zërit të intelektualëve që kërkuan faljen e saj, megjithatë ajo u dënua… A duhet të ketë politika më të lehta gjykimi në raste të tilla?

Po përfitoj nga rasti i pyetjes suaj për të transmetuar edhe një herë në këtë intervistë zhgënjimin e Ismail Kadaresë, e njërit prej intelektualëve që kërkuan rishqyrtimin e çështjes së Nazime Vishës prej Presidentit të vendit. Nuk është fjala vetëm për një mundësi faljeje, por për këmbënguljen e një koncepti maskilist, i cili, në rastet e përdhunimit e kërkon fajin kryesisht te femra. Të gjithë janë të shokuar me atë çka po ndodh sot në Indi lidhur me këtë problem.

Në historinë e Shqipërisë takon sigurisht femra kurajoze, të mençura, që kanë kontribuar dhe në kohë të vështira, siç ishte komunizmi. Nëse do t’ju jepej mundësia të takonit një prej këtyre grave, cila do të ishte dhe për çfarë do të donit të bisedonit apo ta pyesnit?

Shumë pyetje e bukur kjo! Do të doja të takoja një intelektuale të shquar shqiptare me emrin Musine Kokalari. Kam lexuar dy librat e saj, krejtësisht origjinalë, jam interesuar të di për jetën e saj nga kujtimet e njerëzve që e kanë pas njohur. Mund të thuhet me plot gojën se fati i saj është ndër më të trishtuarit që kam njohur. Siç e dini, ajo ka qenë ndër të parat, që qysh në fillimet e shtetit të ri shqiptar më 1945-1946 kërkoi të vendoseshin principet bazë të shtetit demokratik, gjë për të cilën dhe u dënua rëndshëm. Pas kësaj, jeta e kësaj vajze të re plot ideale, me studime të shkëlqyera në Romë, u kthye në një kalvar të pafund vuajtjesh. Internime, vetmi e skajshme dhe, si të mos mjaftonin të gjitha këto, sëmundja e rëndë, e vetmja që e shoqëroi në vetminë tragjike të vdekjes së saj. Do të doja pra, të mund ta takoja këtë Zonjë të madhe, t’i puthja dorën dhe ta pyesja: Më thoni, ju lutem, kur e bëtë këtë propozim, menduat se kishte ende shpresë se mund të bëhej diçka për shtetin e ri të sapokrijuar shqiptar apo çdo gjë kishte marrë fund qysh atëherë?

A ka pasur një grua model për Helena Kadarenë?

Nuk mund të them se kam ecur sipas modeleve që kam dashur dhe që kanë qenë të shumtë në jetën time. Por mund të pohoj se kam ndjekur me entuziazëm dhe admirim të pakufishëm të gjitha ato gra që kanë vënë energjitë e tyre në ecjen përpara shoqërisë, që kanë hapur horizonte të reja dhe kanë “thyer” mure të rënda. Në radhë të parë për atë që i kanë sjellë vendit të tyre dhe pastaj krejt njerëzimit.

Nëse do rekomandonit një libër të shkruar nga një femër cili do ishte ai?

Ka shumë libra të vlefshëm në botë shkruar nga gra të mençura dhe kurajoze dhe do të ishte e vështirë t’i vija gishtin njërës, të vetmes. Por, meqenëse ju ma kërkoni këtë, po ju kujtoj librin e një shkrimtareje kineze, për të cilin, kam përshtypjen se kam folur edhe diku tjetër. Është një libër i madh në tërë kuptimin e fjalës. Ai përmban kujtimet e jetës së një familjeje kineze gjatë Revolucionit Kulturor. Kur ju dëgjoni përse bëhet fjalë në këtë libër me siguri mund të ndiheni paksa e zhgënjyer. Por, po ta lexonit do të më jepni të drejtë. Shkrimtarja quhet Jung Chang dhe titulli i librit “Les cygnes sauvages”(Mjellmat e egra). Autorja tani ka ikur nga Kina dhe jeton në Londër. Kemi pasur fatin ta takojmë në Paris këtë grua, në një darkë te botuesi i njohur francez, Christian Bourgois. Më kujtohet se si një pjesë të atyre që ajo tregonte për Kinën e asaj kohe, ishin thuajse të pakuptueshme për shumë nga të pranishmit e asaj darke, por me ne ndodhte e kundërta. Ishte sikur të shikonim në pasqyrë një fragment nga jeta jonë në Shqipërinë komuniste.

Më Shumë

Arrestohen tre persona në Prizren për blerjen, posedimin dhe shpërndarjen e narkotikëve

Tre person janë arrestuar në Prizren nën dyshimin se kanë kryer blerjen, posedimin dhe shpërndarjen e paautorizuar të narkotikëve. Pas një kontrolli në shtëpitë dhe...

Në Prizren gjendet i vdekur një shtetas serb

Policia e Kosovës ka njoftuar se një shtetas i Serbisë është gjetur pa shenja jete në Prizren.  Në raportin ditor të policisë, thuhet se kanë...

Lajmet e Fundit