12.8 C
Prizren
E diel, 29 Shtator, 2024

Historia e “Agimit” është veprimtaria 70-vjeçare e ruajtjes së traditës

Shka AgimiSalla e Shtëpisë së Kulturës në Prizren ka qenë e vogël për t’i zënë të gjithë mysafirët e koncertit festiv të shoqërisë kulturore-artistike “Agimi”, që është përgatitur për nder të shënimit të 70-vjetorit të veprimtarisë së saj.

Në këtë organizim që është titulluar si “Koncerti i së ardhmes” janë paraqitur anëtarë të rinj e të vjetër të “Agimit”, që kanë interpretuar këngë e valle shqipe nga Kosova dhe nga trojet shqiptare. Përderisa disa ekzekutime kanë shfaqur potencialin e entuziastëve në ngritje, pjesa tjetër e programit ka risjellë nostalgjinë për krijimtarinë e dikurshme të kësaj shoqërie, që është vlerësuar nga drejtuesit e saj, por edhe nga autoritetet lokale e qendrore të Kosovës e të Shqipërisë.

Kryetari i ShKA “Agimi”, Xhemal Kabashi, ka theksuar se kjo Shoqëri simbolizon institucionin që ka kultivuar atdhedashurinë, vlerat e mirëfillta artistike e kulturore shqiptare, duke frymëzuar gjenerata të tëra artistësh, si në nivelin amator ashtu edhe në atë profesional.

“ShKA ‘Agimi’ në baza vullnetare ka vijuar veprimtarinë për shtatë dekada, në disa seksione, prandaj dhe të gjithë anëtarët që kanë defiluar në këtë shoqëri meritojnë respektin tonë. Rruga e zhvillimit të ‘Agimit’ nuk ka qenë e lehtë, por në programin e kësaj shoqërie gjithnjë janë kultivuar vlerat e mirëfillta shqiptare, duke i kushtuar rëndësi ruajtjes dhe zhvillimit të këngëve, valleve, krijimtarisë letrare, artit pamor dhe skenik”, ka thënë Kabashi.

Sipas tij, që prej themelimit të ShKA-së e deri më sot, nëpër aktivitete të ndryshme kanë defiluar mbi pesë mijë anëtarë, të cilët janë paraqitur para publikut vendës dhe të huaj, mbi dy mijë herë.

“Veprimtaria e SHKA ‘Agimi’ është vazhdimësi e një tradite të çmuar në ruajtjen e artit tonë tradicional, por edhe edukimin e rinisë kah vlerat artistike. Në saje të fondamentit që ka vënë SHKA ‘Agimi’ kënga e vallja shqipe në Prizren e Kosovë do ta kenë një të ardhme më të ndritur”, është shprehur Kabashi.
Ndërsa sekretari i përhershëm i MKRS-së, Veton Firzi, ka bërë të ditur se ministri Memli Krasniqi me kënaqësi ka pranuar propozimin e drejtuesve të “Agimit”, që ky përvjetor jubilar të mbahet nën patronazhin e kësaj Ministrie.

“Ata që e njohin mirë Prizrenin, nuk e njohin vetëm për monumentet e trashëgimisë dhe Lumbardhin, por e njohin edhe për një tempull të kulturës ndër shqiptarë, ShKA ‘Agimi’”, ka thënë Firzi. Ai ka theksuar se themeluesit e “Agimit”, gjithë kontribuuesit, por edhe gjeneratat e reja që po e vazhdojnë këtë traditë meritojnë respekt, ngase e kanë mbajtur gjallë këtë institucion edhe në kohë më të vështira.

“Më mirë se çfarëdo fjalimi për ShKA ‘Agimi’ flasin krijimtaria dhe performanca 70-vjeçare e qindra vullnetarëve, instrumentistëve, këngëtarëve e administratorëve, aktorëve… që me talentin e tyre, me punën dhe përkushtimin e bënë këtë shoqëri një institucion përfaqësues të Kosovës si në kohët më të vështira ashtu edhe sot. Pra, ShKA ‘Agimi” ka kultivuar dhe ka ruajtur traditën tonë kombëtare dhe ka promovuar trashëgiminë shpirtërore shqiptare anekënd botës”, ka deklaruar Firzi.

Zëvendësministri i Kulturës i Republikës së Shqipërisë, Zef Çuni, duke uruar për 70-vjetorin e “Agimit” në emër të Qeverisë së Shqipërisë ka theksuar se aktiviteti kulturor i kësaj shoqërie ka qenë në të njëjtën kohë edhe veprimtari atdhetare.

“Ju në Kosovë e keni quajtur Shoqëri Kulturore – Artistike, por për ne në Shqipëri, ‘Agimi’ ka qenë edhe shoqëri atdhetare, sepse në kushte mjaft të vështira, të cilat ju i dini më mirë, ka ruajtur kulturën kombëtare, trashëgiminë tonë kulturore dhe ua ka përçuar brezave për 70 vjet, që nuk janë pak”, ka thënë Çuni. Ai ka premtuar se Ministria shqiptare e Kulturës do të organizojë aktivitete, por edhe do të mbështesë “Agimin”, në mënyrë që ta çojë përpara traditën e ruajtur në këto shtatë dekada.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ka shprehur qëndrimin se ky qytet identifikohet me emrin e SHKA-së “Agimi”, për shkak se ka rrezatuar pozitivisht me kultivimin e folklorit, këngës qytetare dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, duke u bërë edhe një fole e shëndoshë për rininë prizrenase.

Aktivitetet e para kulturore-artistike të shqiptarëve të Prizrenit u organizuan në pjesën e dytë të nëntorit të vitit 1944 nga një ekip kulturor, i cili në fillim të vitit 1945 mori emrin “Ekipi Kulturor i Komitetit Shqiptar”. Programet e para të këtij ekipi kishin një karakter mozaiku, me këngë korale, recitime dhe këngë popullore.

Kori me një zë fillimisht drejtohej nga Anton Lumezi, pastaj Nuri Sherifi, derisa në vitin 1945 drejtimin e tij e merr Lorenc Antoni, duke e avancuar në kor mikst. Përkrah korit e fillon punën edhe orkestrina popullore dhe ajo argëtuese me: Anton Lumezin, Nuri Sherifin, Xhemil Dodën, Kolë B. Shirokën, Lazër Mjedën, Anton Çettën, pastaj Gjon Delhysën, Fran Gomillën, Kolë Gjonin, Matej Vuçajn, etj. Kjo orkestrinë ka përcjellë edhe solistet e para, siç ishin: Vera Shahta, Shpresa Fehmiu, Nedime Kabashi, etj., ndërkohë që janë angazhuar edhe regjisorët amatorë, si Shemsidin Kirajtani dhe të tjerë.

Me rritjen e numrit të anëtarëve dhe seksioneve, Ekipi Kulturor i Komitetit Shqiptar shndërrohet në ShKA, me nismën e profesor Zekirja Rexhës, në vitin 1949. Pra, nga Ekipi Kulturor i Komitetit Shqiptar doli shoqëria e sotme kulturore artistike “Agimi”. Kryetar i parë u zgjodh Anton Çetta. Në këtë mënyrë u vendosën themelet e shoqërisë më të vjetër dhe shumëdegëshe ndër shqiptarët e Kosovës.

Kontribuues në ShKA “Agimi”, kanë qenë edhe kompozitorët si, Lorenc Antoni, Rexho Mulliqi, Engjëll Berisha dhe Mark Kaçinari, por edhe shumë intelektualë të tjerë tashmë të njohur të kulturës shqiptare, si Gazmend Zajmi, Qamil Nixha, etj. Në udhëheqje të Shoqatës janë dalluar Subhi Pasuli, Petrit Nushi, Dashnor Xërxa, Engjëll Çeta, Zef Delhysa, Kadri Skeja dhe emra të tjerë./Koha Ditore/

Më Shumë

Lajmet e Fundit