Një nga këngët më të dashura të skenës të muzikës rok, “Moj e mira te Pojata”, që i dha zë Haki Misini dhe grupi MAK, ka një histori të veçantë të krijimit. Emisioni “Fjalë e Tinguj” në RTK jep dimensione të ndryshme kohore të rrugëtimit të kësaj kënge dhe të grupit përgjithësisht.
Grupi MAK u formuan në vitin 1973 në qytetin e Mitrovicës dhe njihet si grupi pionier i krijimtarisë së muzikës rok.
“Ia kemi lënë emrin MAK edhe një kohë nuk e kemi tregu domethënien e emrit,publiku në Mitrovicë e ndërlidhte ‘MAK’ me lulen me të njëjtin emër, e në fakt ne MAK e vu si ‘Muzicientët Ambicioz Kosovar’, që shprehet edhe ambiciet tona për muzikë,që më u bë të mirët në krejt Kosovën”, ka thënë Xhevdet Gashi, njëri nga pjesëtarët e grupit bashkë me Haki Misinin, Mehmet Tupellën, Rexhep Ismailin- Bulli, Haki Bajraktarin, Sedat Isufin.
Kompozitori Xhevdet Gashi në emisionin “Fjalë e Tinguj” ka dhënë detaje të krijimit të kësaj kënge, e cila ka dalë në dritë të publikut një vit pas krijimit.
“Këngën ‘Moj e mira te Pojata’ e kam bërë në konvikt në Prishtinë sa isha student në vitin 1975, e kemi pas një fazë të testimit të këngës, një herë e kemi luajt nëpër evente të ndryshme për ta parë si po e pret publiku. Është incizuar në produksionin e Radio Televizionit të Prishtinës në vitin 1976”, ka thënë ai.
Gashi tutje ka thënë se kjo këngë dhe krijimtaria e MAK-ut përgjithësisht ka pasur një ndikim të dukshëm kulturor.
“Në vitin 1976 ka qenë festivali ‘Rinia këndon’. Ishim në sallën 1 tetori, ish-25 maji, salla ka qenë e stërmbushur mbi 3 mijë veta. Aty e kemi parë reagimin e publikut tepër i ngrohtë, aty e kemi dalluar që kjo këngë e ka kryer misionin e vet”, tregon Gashi.
Feim Kurhasani njohës i muzikës rok shprehet se Xhevdet Gashi ka ditë të përcjellë sensin e kërkesën e audiencave në atë kohë.
“Kjo këngë ka qenë në top lista me javë të tëra”, ka thënë ai.
Inspirimi tekstual i kësaj kënge ka qenë folklori, ndërkaq inspirimi muzikor ishte “ Black night” e grupit Deep Purple.
Përtej këngës “Moj e mira te pojata”, edicioni i kësaj jave i emisionit “Fjalë e tinguj” ka trajtuar edhe segmente tjera të krijimtarisë së grupit MAK. Xhevdet Gashi tregon se si u inspirua nga poezia e Latif Berishës,
“U ndava i kënaqur me të po nuk m’u duk pak që bëra për ‘Tri gota’ si poezi, më vonë në vitet e 80-ta e komponova edhe një herë për korin miks të Radio Prishtinës. Profesor Rafet Rudi e realizoi shumë bukur, m’u duk që ia dhashë hakun”, thotë ai.
Rishtazi është bërë promovimi i librit “MAK Prijës i muzikës ROK” nga Naim Kurteshi/rtk