4.8 C
Prizren
E diel, 27 Nëntor, 2022

Historia magjepsëse e magjistares Circe

Circe është një figurë komplekse brenda mitologjisë greke. E frikshme dhe e dëshiruar në të njëjtën shkallë, Circe ishte perëndesha e magjisë, madje edhe sot vijon të jetë një nga hyjnitë më magjepsëse dhe vdekjeprurëse të panteonit grek, pavarësisht se luan një rol të vogël në shumë legjenda në shtëpinë e saj mitike në ishullin e Aiaia (Aeaea). Në shumicën e teksteve, mitologjikja Circe përshkruhet si vajza e Heliosit, hyjnisë diellore dhe oqeanikes Perse. Në mitologjinë greke, Circe përshkruhet me disa vëllezër e motra, përfshi Pasiphae, e cila u martua me mbretin Minos dhe lindi të famshmin Minotaur. Aeetes, i njohur si rojtari i Lëmshit të Artë, thuhej se ishte i vëllai. Gjithsesi, tekste të lashta sugjerojnë se në të vërtetë ajo ishte vajza e perëndeshës së fuqishme Hecate. Circe shfaqet në shumë tekste të famshme greke të lashta gjatë historisë si “Odiseja” e Homerit, “Teogonia” (“Krijimi i perëndive”) e Hesiodit, “Përshkrimi i Greqisë” nga Pausanias, “Gjeografia” nga Straboni dhe “Biblioteka e Historisë” nga Diodorus Siculus. Po ashtu përmendet edhe nga shkrimtarët e famshëm romakë si Virgjili, Ciceroni, Ovidi, Hyginus, Valerius Flaccus, Statius dhe Propertius. Por përse Circe u bë kaq e njohur për këta dhe shkrimtarë të tjerë? Edhe pse një personazh i vogël brenda mitologjisë greke, perëndesha Çirçe ka frymëzuar magjepsje përgjatë shekujve./Konica.al

Mbrojtëse e shtrigave dhe magjistare e mitologjisë greke: Magjia e Circes

Që nga fillesa, njerëzit kanë kërkuar zgjidhje përmes praktikave magjike dhe magjive. Prandaj, Circe (ose Kirke) u bë një nga gratë më tërheqëse në Greqinë e lashtë. Një mbrojtëse për shtrigat, personaliteti dhe atributet e Circe në mitologjinë greke përfshin gjithçka lidhet me magjinë. Perëndesha Circe kujtohet për njohuritë e pafundme të ilaçeve magjike. Si një specialiste në barërat mjekësore dhe njohuritë se si t’i përdorë ato për magji dhe shërim, mitologjia greke citon se ajo krijoi receta të shumta për ilaçet e njëhershme për t’u përdorur në ritualet magjike. Si rrjedhojë, shpesh në veprat e artit Circe përshkruhet me një skeptër ose shkop magjik. Por, kush është Circe në mitologjinë greke? Ajo ishte një magjistare hakmarrëse, me të cilën nuk duhej të kryqëzoheshe, prandaj mitet e Greqisë së lashtë gëlojnë nga tregimet e fuqive dhe mënyrave të saj dinake. Në një nga këto tregime, perëndesha greke bie në dashuri me Glaukun, perëndinë e detit. Fatkeqësisht, kur bëhej fjalë për dashurinë, Circe nuk pati kurrë shumë fat dhe, siç do të bëhej një aspekt i përsëritur i historisë së saj, dashuria e saj nuk u shpërblye, pasi Glauku ishte i dashuruar me nimfën Shila. Në një skenë të paharrueshme, interpretuar me madhështi në një pikturë nga John William Waterhouse, perëndesha e magjisë helmoi ujin, ku Shila do të lahej në një shpërthim xhelozie, duke e shndërruar nimfën në një përbindësh të tmerrshëm, me koka qeni që rriteshin nga beli. Ovidi tregon një version paksa të ndryshëm të historisë, ku Glauku i kërkoi Circe një ilaç dashurie për të fituar dashurinë e Shilës, duke shkëndijuar zilinë e Circes. Gjithsesi, rezultati ishte i njëjtë. Ky përbindësh do të shfaqej më vonë në “Odiseja” dhe Shila thuhej se kishte gllabëruar gjashtë marinarë. Autori latin Gaius Julius Hyginus shkruan: “Ndërsa Shila po lahej në det, xhelozja Circe derdhi një ilaç të helmatisur në ujin e detit, çka bëri që Shila të shndërrohej në një përbindësh të frikshëm me katër sy dhe gjashtë qafë të gjata gjarpri të pajisura me koka të tmerrshme, secila prej tyre me nga tre radhë dhëmbësh peshkaqeni. Në trup kishte 12 këmbë të ngjashme me tentakulat dhe bishti i një maceje, ndërsa gjashtë koka qeni i konturonin belin. Në këtë formë, ajo sulmoi anijet e marinarëve kalimtarë, duke kapur me secilën kokë një nga ekuipazhi”.

Në mitologjinë greke, një nga tiparet më të paharrueshme ishte aftësia për t’i shndërruar armiqtë e saj në kafshë. Në veprat e artit shpesh përshkruhet, duke e bërë këtë me ndihmën e një spektri ose një shkopi magjik. Aftësia e saj magjike për ndryshim, u rrëfye në përrallën tragjike romake të Picus. Mbreti i Latiumit dhe bashkëshorti i dashur i një nimfe të njohur si Canens, Picus u shndërrua në qukapik, kur refuzoi Circen në vend të gruas së tij. Një nga tregimet më të njohura në mitologjinë greke u regjistrua në “Odisenë” e Homerit të shekullit të 8-të. Në brendësi të kësaj poeme epike, perëndesha Circe përshkruhet me flokë të endura, me të folur njerëzore dhe fuqi të pazakonshme, përherë e rrethuar nga ujqër dhe luanë të zbutur. Në këtë përrallë, Odiseja viziton Circe në ishullin Aiaia, teksa mundohet të kthehet në shtëpi nga Lufta e Trojës. Kur gjysma e ekuipazhit zbarkon për të eksploruar ishullin, ata u joshën në shtëpinë e saj. “Sa hap e mbyll sytë ata arritën te portat e shtëpisë së perëndeshës dhe, teksa qëndronin aty, nga brenda dëgjonin Circen, duke kënduar magjishëm teksa punonte në tezgjah për të endur një pëlhurë kaq të hollë, kaq të butë dhe me ngjyra kaq verbuese, sa s’kishte mundur perëndeshë tjetër ta thurë”, – përshkruan Homeri. Përshkrimi i Homerit e bëri atë të konsiderohej një nga figurat femërore më tërheqëse në mitologjinë e lashtë greke. Nga shtëpia e saj në Aiaia, Circe i ftoi në një banket, përpara se t’i drogonte dhe t’i kthente në derra, duke përdorur fuqitë e saj magjike. “Ata ishin si kokë derri, flokë e gjithçka, dhe rënkonin njëlloj si derrat; por shqisat e tyre ishin të njëjta si më parë dhe kujtonin gjithçka”. Me ndihmën e Hermesit, Odiseja arriti ta kalojë, duke hedhur në verë bimën molibden, që i dha imunitet ndaj magjisë së saj. E pamundur ta shndërronte në derr, Odiseja arriti ta detyronte atë ta rikthente sërish ekuipazhin në formë njerëzore. Odiseja dhe ekuipazhi kaluan një vit në ishull. Përfundimisht, Circe u dashurua me të dhe e ndihmoi të qetësonte perënditë dhe të kthehej në shtëpi. Në “Teogoni”, nga Hesiodi, ata patën tre djem së bashku, të njohur si: Agrio, Latinus dhe Telegonus, i fundit përfundoi duke vrarë të atin./Konica.al

Një heroinë e shkencës dhe letërsisë

Historitë nga literatura e lashtë i magjepsën aq shumë shkencëtarët, saqë filluan të kërkonin shpjegime shkencore brenda tyre. Gjinia Circaea, e njohur si magjistarja e helmarinës, u emërua pas Circe për shkak të shkathtësive që ajo kishte për të përdorur barishte dhe ilaçe kundër armiqve të saj. Botanistët e shekullit të 16-të besonin se Circe i kishte përdorur për këto qëllime. Enzimologu William Jencks u përpoq të shpjegonte mitin e Circe, ndërsa bënte kërkime në fushën e tij. E përfundoi punën me një reagim enzimatik të quajtur “Efekti Circe”. Po ashtu u njoh edhe në mesin e shkencëtarëve. Botanisti Carl Linnaeus emëroi një gjini të molusqeve të Venusit, në nder të perëndeshës greke, ndërsa astronomi francez Jean Chacornac e quajti asteroidin e errët (34 Circe) falë saj. Fama e Circes, nuk u zbeh me zhdukjen e besimeve të lashta. Gjatë mesjetës, ajo u shndërrua në simbol të rëndësishëm në tregimet e Xhovani Bokaçios. Në “Për gratë e famshme” ( “De mulieribus claris” ), Bokaçio shkruan se jetonte në Itali dhe komenton jetën e saj. U shfaq gjithashtu edhe në tekstin monumental prej 600 faqesh të shkruar nga Georg Rollenhagen në 1595, “Bretkosat dhe minjtë” (“Froschmeulseler”), ku Rollenhagen përshkruan historinë e Odisesë ose Uliksit dhe Circes. Në vitin 1624, spanjolli Lope de Vega e prezantoin në “Circe – rima dhe poezi të tjera”, ku shkruan një tjetër version të mitit grek. Çirçe ishte një motiv popullor gjatë shekullit të 19-të, në libra që lidhen me tema mistike dhe mitike gjithashtu

Circe e mitologjisë greke në kohët moderne

Në “Gratë dhe përbindëshat e tjerë”, Xhes Zimerman argumenton, se brenda letërsisë së lashtë gratë që jetonin përtej çdo gjëje që konsiderohej normale apo femërore, portretizoheshin si monstruoze, tiparet e tyre të përforcuara brenda mitologjisë greke. Për Zimermanin, përbindëshat shpesh femra të mitologjisë greke, të shkruara nga autorë meshkuj të epokës së tyre, mund të na tregojnë shumë për besimet kulturore dhe përfaqësojnë “historitë para gjumit, që tregon vetë familja patriarkale”. Madje, ajo arrin të vërë në dyshim monstruozitetin e tyre, duke i kërkuar lexuesit të shohë tiparet e tyre si pika të forta. Në ditët e sotme, Circe është një nga figurat më të njohura nga sfera e magjisë dhe mitologjisë greke. Personazhi i saj shfaqet në seriale televizive, filma, lojëra dhe libra me fantazi, duke përfshirë portretizimin si armike e Wonder Woman brenda DC Universe dhe në filmin “Të përjetshmit” të vitit 2021, ku ajo, frymëzoi personazhin e Sersit. Në këto përshkrime të ditëve moderne, ajo ende derdh magjinë e saj dhe llahtaris burrat, të cilët, nuk dinë se nga t’ia mbajnë – duhet të ikin nga sytë këmbët, apo të admirojnë bukurinë e saj? Në ditët e sotme, Circe është simbol i fuqisë femërore, për gratë dhe i kotësisë, për burrat. Pavarësisht sesi interpretohet, ajo është ende një nga femrat më me forcë tërheqëse në mitologjinë greke./Konica.al

Më Shumë

Ermal Fejzullahu e zbulon se si është njohur me bashkëshorten e tij

Artisti i njohur dhe mjaft i dashur për publikun, Ermal Fejzullahu, ka qenë i ftuar në emisionin “Më lër të flas”. Këngëtari ka treguar...

Situata në veri heq nga agjenda liberalizimin e vizave, e zhvendos më 30 nëntor

Propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024, u...

Lajmet e Fundit