14.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

I jepet lamtumira e fundit Esat Stavilecit

Akademikut të njohur Esat Stavilecit të hënën i është dhënë lamtumira e fundit në vendlindjen e tij në Gjakovë.

Para varrimit, në sallën universale të Pallatit të Kulturës “Asim Voksh” në Gjakovë, është organizuar mbledhje komemorative, me ç’rast është përkujtuar vlera prej intelektuali dhe kontributi shumë i çmuar në lëmin e fushës juridike dhe atë kombëtare i akademik Esat Stavilecit.

Qindra qytetarë të Gjakovës, vendi në të cilin u lind dhe filloi hapat e parë të dijes, e nderuan me një minutë heshtje para arkivolit. Në këtë mbledhje komemorative vdekja e Stavilecit është vlerësuar si humbje e madhe për familjen, akademinë, studentët dhe gjithë kombin shqiptar.

Minir Dushi, i cili ka folur në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), ka thënë se idealet humane të Stavilecit nuk do të harrohen kurrë.

“Na ke tubuar këtu para fytyrës sate të zbehtë që të ndahemi gjithmonë nga trupi yt, por jo edhe nga idealet tua humane, njerëzore dhe bujare dhe nga angazhimi për punë e për përparim arsimor dhe kombëtar. I tillë ishte Esati nga shpirti dhe morali. Në këtë ndarje kaq të papritur dhe kaq të rëndë të gjithë e kemi vështirë. Në radhë të parë e kanë të vështirë anëtarët e familjes sate”, ka thënë Dushi, duke shtuar se Stavileci ka qenë njëri energjik, i cili me veprat e tij shkencore ka shkolluar rininë shqiptare.

Për akademikun ka folur edhe kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, nën përkujdesjen e së cilës është organizuar ceremonia lamtumirës.

“E veçanta e kësaj dite nuk mbeti vetëm tek dhimbja e ndarjes fizike të akademik Stavilecit, por edhe te krenaria që emri dhe vepra e tij i dhuroi Gjakovës”, ka thënë Kusari-Lila. /Epoka e Re/

Më Shumë

E rrahën një person dhe e futën me forcë në veturë, arrestohen katër burra në Prizren

Katër burra janë arrestuar në Prizren pasi që të njëjtit pas një zënke e kanë sulmuar fizikisht një person. Sipas policisë, të dyshuarit e kanë...

Policia shqipton mbi 1 mijë e 960 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1960 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar...

Lajmet e Fundit