1.6 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

Inspektori i Komunës së Prizrenit: E kam kryer obligimin për ndërtimin në Zhur

Inspektori komunal i ndërtimit, Bashkim Krasniqi, të hënën, gjatë mbrojtjes së tij, të dhënë para trupit gjykues, ka deklaruar se ka kryer të gjitha veprimet ligjore që kërkohen prej tij. Krasniqi ka thënë se ka dëgjuar nga qytetarët se në hyrje të fshatit Zhur po ndërtohet një objekt pa leje, andaj ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është takuar me një person të quajtur Dibran Hoxha, i cili i është paraqitur si pronar, por i cili nuk ka pasur dokumentacionin.

Krasniqi tutje ka shtuar se Dibran Hoxhës, që është paraqitur si investues, i ka shqiptuar një dënim mandator prej 500 euro dhe i ka dhënë afat prej 30 ditësh për sjelljen e dokumentacionit të nevojshëm. Sipas tij, pasi ka kaluar afati prej 30 ditësh, ai ka marrë vendim me të cilin i ka ndaluar punimet në objekt. Por në ndërkohë është paraqitur i akuzuari Faton Hoxha, i cili ka dëshmuar se ai është blerësi i pronës dhe investitori në objektin në fjalë.

Tutje, Krasniqi ka thënë se ka marrë një vendim me të cilin e ka obliguar pronarin në fjalë që të rrënojë vullnetarisht objektin, brenda një muaji. Poashtu ka sqaruar se ndaj të njëjtit vendim, Faton Hoxha ka parashtruar ankesë në Ministrinë për planifikim Hapësinor dhe kjo ministri ende nuk ka vendosur për këtë çështje. Sipas tij, ankesa e pronarit, ka pezulluar ekzekutimin e vendimit.

I akuzuari tjetër, Ilaz Susuri, i cili akuzohet se ka uzurpuar pronën komunale, ka thënë se pronën në fjalë e ka trashëguar nga babi i tij dhe se që 50 vite e ka punuar pa penguar askush. Ai tutje ka thënë se në të njëjtën pronë e ka pasur një stallë dhe për atë vend ka paguar tatimin dhe të gjitha obligimet komunale. Susuri ka thënë se para një viti e gjysmë, ka kuptuar se ajo pronë është e evidentuar në emër të Komunës së Prizrenit dhe për një gjë të tillë  e ka njoftuar të akuzuarin Faton Hoxha, në momentin  shitjes.

Faton Hoxha ka thënë se nuk ka bërë kurrfarë uzurpimi të pronës, por se e ka blerë një pronë nga i akuzuari Ilaz, duke e ditur se prona është e tij, e një gjë të tillë është ditur nga i tërë fshati Zhur. Hoxha ka shtuar se në momentin e shitjes, Ilaz Susuri i ka treguar se nuk i ka dokumentet e tokës, por se brenda disa muajve do ta rregullonte këtë gjë.

Kryetari i trupit gjykues, Xhevdet Elshani, pas përfundimit të mbrojtjes së të akuzuarve, ka ndërprerë shqyrtimin dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për 17 mars 2017, duke filluar nga ora 09:00. Gjatë kësaj seancë palët pritet të paraqesin fjalët  e tyre përfundimtare, me ç’rast edhe do të përfundojë gjykimi për këtë rast.

Aktakuza e përfaqësuar nga prokurori Metush Biraj, i ngarkon të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Sipas aktakuzës, Bashkim Krasniqi, në cilësinë e inspektorit komunal për ndërtim, nuk ka vepruar për rrëzimin e objektit afarist-banesor të të pandehurit Faton Hoxha, të ndërtuar pa leje në pronë komunale.

I akuzuari tjetër Bedri Bytyqi akuzohet se duke qenë drejtor i Inspektoratit, megjithëse ka nënshkruar aktvendimin për rrënim të objektit, nuk ka vepruar për të realizuar atë, duke i mundësuar Faton Hoxhës që të vazhdojë ndërtimin.

Ndërsa i akuzuari, Ilaz Susuri akuzohet se ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën ku është ndërtuar objekti, ku të njëjtën, pa fletë-poseduese, ia ka shitur të pandehurit Faton Hoxha për 35 mijë euro.

Poashtu i akuzuari Faton Hoxha akuzohet se pa kontratë të vërtetuar dhe pa dokumentacionin përkatës ka blerë pronën në fjalë nga i pandehuri, Ilaz Susuri dhe më pas ka ndërtuar objekt afarist në atë pronë./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Vihet gurthemeli i Shtëpisë së Kulturës në Mamushë

Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe Ministrisë për Zhvillim Rajonal të Kosovës, sot në Mamushë u vu gurthemeli...

Gjykimi për vrasjen në lagjen “Tusus”, i akuzuari thotë se viktimën e kishte goditur me thikën e vëllait të të ndjerit

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari Haxhi Selmanaj ka deklaruar se tani të ndjerin Z.K. e kishte goditur...

Lajmet e Fundit