15.7 C
Prizren
E shtunë, 15 Mars, 2025

Ish-drejtoresha e një shkolle në Suharekë ankohet se u largua për motive politike

Edona Bytyqi, për 10 vjet, ishte e angazhuar në arsim si mësimdhënëse e lëndës së fizikës dhe kimisë.

Katër vitet e fundit, ajo u përzgjedh në pozitën e drejtoreshës së Shkollës Fillore të Mesme të Ulët, në Reshtan të Suharekës, raporton KTV.

Ndërkaq, pa paralajmërim, në zyrën e saj, i erdhi aktvendimi nga kryetari i kësaj komune, përmes së cilit u njoftua se i ndërpritet marrëdhënia e punës.

E vlerëson si një padrejtësi të madhe ndaj saj, pasi që në vendim nuk janë cekur fare arsyet e largimit, derisa beson se kjo është bërë për inate politike.

Për këtë është ankuar në Komisionin për Ankesa të kësaj Komune, i cili ka dalë në anën e saj duke e urdhëruar Kryetarin e Komunës që ta sistemojë atë në sistemin arsimor, ashtu siç e përcakton Udhëzimi Administrativ.

Vendimin e Komisionit të Ankesave nuk e ka respektuar Kryetari, i cili e ka lënë atë pa punë.

Ish kolegët e Edona Bytyqit thonë se ajo ka treguar një performancë jashtëzakonisht të mirë në punën e saj si drejtoreshë, për çka është dashur ta vazhdojë punën si mësimdhënëse.

Drejtori i Arsimit, Remzi Bytyqi, fajin për mossistemimin e kësaj mësimdhënëseje së cilës thotë se i ka përfunduar kontrata si drejtoreshë, ia hedh qeverisjes së kaluar.

Sipas tij, mësimdhënësja në fjalë, kur është avancuar në pozitë, nuk i është lëshuar vendim për ruajtjen e vendit të punës, derisa mohon se ka ndikuar pozicioni politik që ka ajo.

Pavarësisht kësaj, i pari i arsimit në këtë komunë thotë se po angazhohet gjatë gjithë kohës që e njëjta mësimdhënëse të punësohet sërish, pasi siç thotë, veç Udhëzimit Administrativ, si drejtori obligohen edhe me kontratë kolektive.

Sidoqoftë, kjo mësimdhënëse tashmë ka bërë edhe padi në Gjykatën Themelore të Prizrenit, dega në Suharekë, kundër Komunës, lidhur me këtë çështje.

Më Shumë

‘Bubullimë te Shkëmbi i Kavajës’

Nazmie Hoxha është këngëtare e njohur shqiptare e muzikës popullore. Ajo lindi më 25 tetor 1952 në Gjonaj të Hasit të Prizrenit. Fillet e para...

Policia shqiptoi 2061 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 2061 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Lajmet e Fundit