18.2 C
Prizren
E diel, 10 Gusht, 2025

Ja si festohet Festa e Shëngjergjit në Prizren

Festa e Shëngjergjit tradicionalisht në trojet shqiptare është konsideruar si festë e fiseve nomade. Pra, festa e Shëngjergjit që është 5 maji, në qytetin e Prizrenit shënohet më ndryshe se kudo tjetër në botë.

Sipas Kamber Kamberit, kjo traditë fillon herët në mëngjes ku fëmijët e vegjël me të zgjuar pastrohen me ujë ku aty vendosen lule të ndryshme, gjethe kryesisht ftoi dhe hithra, që këto paraqesin dëshirën e prindërve për fëmijët, për begati e jetë të lumtur dhe përkujtim të përhershëm ndaj familjes. Kamberi thekson se pas kësaj të gjithë fëmijët vishen me rroba të reja dhe ia mësyjnë Prizrenit, tek varrezat e vjetra osmane.

“Në këto hapësira gjenden dy varre, ku aty shumica e familjeve, e sidomos nënat, lënë “nezra” dhurata, kurse ajo që e karakterizon, aty shkojnë edhe ato nuse të reja që nuk arrijnë të lindin”, shprehet ai, shkruan gazeta Kosova Sot.

Legjenda për kapedan Karabashin

Refet Shala, nga Malësia e Vërrinit, tregon se festa e Shëngjergjit paraqet në njëfarë forme edhe “shpëtimin” nga dimri dhe fillimi i një jete të re.

“Bile në shumë vende vazhdimisht kanë thënë se cungun më të madh duhet ruajtur për Shëngjergj”, që do të thotë se deri më 5 maj nuk kanë pasur siguri, kurse nga kjo datë fillon siguria e verës”, shprehet ai. Ai shton se kjo festë simbolizon një sezon të ri dhe që është më lehtë për qytetarët nuk duhet ngrohje, pastaj hapen mundësi të punës dhe të tjera.

Në Prizren këtë festë e festojnë të gjithë, si shqiptarët e të gjithë konfeksioneve, pastaj romët, turqit, boshnjakët dhe të tjerët. Festa e Karabashit, siç e quajnë Shëngjergjin në Prizren, është festë e traditës dhe thuhet se kjo në forma të ndryshme në këto troje është festuar që nga paganizmi. Ekzistojnë disa nga gojëdhënat e kësaj feste, ku në njërën prej këtyre thuhet se ishte kapedan Karabashi, i cili bie në luftë të përgjakshme dhe i cili kishte qenë djalë i vetëm i nënës së tij.

“Ajo nga pikëllimi kishte dalë për ta kërkuar birin e saj në male e fusha. Në momentin e ardhjes në këto varre, gojëdhëna thotë se ai është ringjallur për të mos e pikëlluar të nënën e tij. Nga gëzimi nëna e tij, se e ka birin gjallë, thuhet se ajo ka vdekur. Pas kësaj, ai përsëri hyn nën rrasën të varrit dhe nga atëherë besohet se lutja në varrin e tij sjell besnikëri dhe pjellshmëri”, shprehet Shala.

Sipas tij, kjo është vetëm njëra nga gojëdhënat e shumta në popull, kurse thuhet se për Karabashin janë mbi 23 gojëdhëna të njohura deri më tani.

Një tjetër gojëdhënë që tregohej nga pleqtë e këtij qyteti është ajo për Karabash Babën dhe shqetësimin e tij në varrin ku prehej. Vërtetësia e fillimit të tregimit mund të vihet në pikëpyetje, por ajo çka ka ndodhur më pas thuhet se është dëshmuar nga disa të tjerë dhe kështu tregimi është përhapur shpejt në mesin e popullit dhe është treguar brez pas brezi. Ngjarja duhet të ketë ndodhur kah pjesa e fundit e shekullit XIX, atëherë kur Prizreni ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Një i ri prizrenas, i quajtur Fetah, i biri i Sylejmanit, që ishte lindur në vitin 1860, gjendej i burgosur në ishullin Malta. Familja e tij në Prizren, gruaja dhe fëmijët, bëheshin gati për të imgruar në brendësi të territoreve të Perandorisë Osmane, që tani njihet si Turqia. Fetahu në burg ishte shumë i mërzitur rreth fatit të familjes së tij, të cilët nuk kishin asnjë haber për të, bile as nuk dinin nëse ky ishte i gjallë apo i vdekur. Kështu, një natë Fetahu i burgosur zgjohet nga gjumi, pasi në ëndrrën e tij ishte paraqitur një njeri që veten e kishte prezantuar me emrin Karabash Baba. Karabash Baba, emër që përdoret në mesin e popullatës, i kishte treguar Fetahut se ai nuk ishte i qetë në varrin e tij në Prizren, sepse mu përmbi varr gjendej një farkëtar, i cili vendin e rrahjes së hekurit e kishte mbi kërthizën e trupit të tij të pajetë. Dhe, çdoherë kur farkëtari rrihte hekurin, dëshmori Karabash Baba ndiente dhimbje në kërthizën e tij, tregon gojëdhëna.

Festa konsiderohet si festë blegtorale

Etnologu Nexhat Çoçaj shpjegon se festa e Shëngjergjit është feste pagane që shpjegohet si një festë që ka karakter blegtoral dhe qëllimi i kësaj feste është ruajtur si një traditë e lashtë për dalje në verë. Ai thotë se njerëzit e moshuar të Prizrenit, sa herë përmendet emri i Karabash Babës, ata lëvizin nga vendi dhe fillojnë të bëjnë lutje fetare.

Ka shumë gojëdhëna që lidhen me këtë figurë të periudhës osmane. Sipas gojëdhënave, ai ka tri varre: njërin në Prizren, tjetrin në Stamboll dhe një të tretë në Bullgari. Pos kësaj, ky njeri njihet edhe për amanetet e tij, të cilat janë ruajtur deri në ditët tona.

Ndryshe, në Prizren ka edhe një festë me emrin e këtij njeriu, ditë kur qytetarë të moshave të ndryshme bëjnë lutje. Kjo ditë lidhet me fillimin e stinës së verës dhe prej shumëkujt kjo është një festë pagane e trashëguar nga kohërat më të hershme, e që vetëm më vonë i është atribuuar një personi të njohur me emrin Karabash Baba. Reshat Gashi nga Prizreni tregon se kësaj feste çdo vit e më shumë po i bie nami.

“Dikur këtu ka pasur dasmë, por tash po e shihni se po bie interesimi i njerëzve”, është shprehur ai. Shton se këtu dikur këndohej me surla e tupanë. (Kosova Sot)

Më Shumë

Rrahu motrën dhe vëllanë, prangoset i dyshuari në Rahovec

Një person është arrestuar në Rahovec nën dyshimet se i njëjti ka rrahur motrën dhe vëllain etij. Sipas raportit 24-orësh të policisë, ky rast i...

Malisheva drejt binjakëzimit me Staten Island në ShBA

Komuna e Malishevës po synon të lidhë partneritet me Bashkinë e Staten Island në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton PrizrenPress. "Sot, Kuvendi i Komunës...

Lajmet e Fundit