3.8 C
Prizren
E martë, 26 Nëntor, 2024

Jabllanoviç shkel në “mina”!

Agim MuhaxheriShkruan:Agim Muhaxheri

Për fyerjen e rëndë që ua bëri protestuesve gjakovarë duke i quajtur “divljaci” (egërsira), ministrin e Republikës së Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç mund ta kapë neni 147 i Kodit Penal të Kosovës për veprën penale – Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, për çka mund të ndëshkohet deri në 10 vjet burg. Tipi le t’i matë fjalët, të mos e quajë publikisht shtetin tonë “Kosovë e Metohi”. I pari i Kuvendit assesi, në asnjë mënyrë, nuk bën të lejojë që të shahet shteti, ndryshe ky e bart përgjegjësinë. Demokracia nënkupton sundimin e ligjit.

Nuk i bie pishman se i ka quajtur “divljaci” (egërsira) protestuesit gjakovarë, të cilët ngritën zërin përse në Gjakovë ia behën të dyshuarit për krime të luftës. Ministri në qeverinë Mustafa, Aleksandër Jabllanoviç, e bëri “fizkulturën” e tij politike. E ndërroi mendjen. Tha se egërsira i ka quajtur ata që kanë hedhur gurë në autobusin me pelegrinët serbë, se nuk i ka quajtur kështu “nënat gjakovare që i humbën të dashurit e tyre në luftë…”.

Për deklaratën e tij “të fortë” kanë shkruar gazetat. Kjo të kujton fjalën e urtë latine “verba volant, scripta manent” që i bie: Fjalët fluturojnë, e ajo, që është e shkruar, mbetet.

Paragrafi të kap edhe atëherë kur ndonjë veprim e bën nga pakujdesia.

Jabllanoviç me vetëdije apo pa vetëdije shkeli në “mina”, hyri në zonën kriminale. Tregoi shovinizmin, racizmin, urrejtjen që ka ndaj kombit shqiptar. E lëshoi fjalën si lopa bajgën.

Politikanët janë figura publike, duhet t’i matin fjalët edhe kur gjenden aty ku pihet rakia, ngase i kap shpata e drejtësisë.

Fjala vret, zotëri Jabllanoviç. Mund të kap Neni 147 i Kodit Penal të Kosovës që ka të bëjë me veprën penale – Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, dhe për këtë mund të ndëshkohesh deri në 10 vjet burg.

A e panë “raketën” e Jabllanoviçit prokurorët tanë? Ndoshta e kanë parë, por i kanë futur veshët në lesh dhe presin çfarë t’u thotë politika, “ta prekin sustën, apo jo”.

Tipi e di, apo s’e di, se hordhitë e Sllobodan Millosheviçit në anën e Gjakovë i fshin nga faqja e dheut 750 shqiptarë, ndërsa më tepër se 720 të tjerë janë të zhdukur.

Ai nuk i bie pishman përse shtetin tonë e quan ndryshe, i vë epitetin e “Kosovës e Metohisë”. Kjo për të na qenka “cikërrimë”, ngase siç thotë edhe vendlindjen e tij Leposaviqin e quajnë Albanik. Sipas kësaj logjike të mbrapshtë i jep vetes të drejtë që ta quajë ndryshe shtetin tonë.

Shprehja antikushtetuese “Kosovë e Metohi” për të na qenka normale!

Jabllanoviç ministër i kujt është, i Serbisë, apo i Kosovës? Nëse është i Kosovës duhet t’i përmbahet Kushtetutës dhe ligjeve tona.

Mbase Jabllanoviç shprehjen antikushtetuese “Kosovë e Metohi” mund ta përdorë edhe në Kuvend. Kuvendi ynë nuk është as kafe e rakisë, as “srpski vashar”.

Fjala “vashar” e ka kuptimin e pazarit, panairit, por edhe të kaosit.

Nëse ai i bie telit të “srpski vasharit”, të krijojë kaos, këtë politikë të tij nuk bën ta lejojë legjislativi ynë.

Nëse legjislativi ynë i mbyllë sytë dhe veshët, i lejon njerëzit e Jabllanoviçit të kërcejnë “pa brekë” në Kuvendin tonë, ta shajnë sa të munden shtetin tonë, atëherë vaj halli për këtë shtet.

A do të lejonte këtë “demokraci” Serbia, Mali i Zi, por edhe Maqedonia që deputetët shqiptarë t’ua shajnë shtetin, ta quajnë ndryshe Serbinë…

Natyrisht, këso budallallëqe nuk i lejon asnjë parlament në botë, aty ku ka demokraci të mirëfilltë.

Kosova nuk bën të jetë përjashtim, ngase po u lejuan këta diversantë ta shajnë shtetin tonë, ta quajnë ndryshe, kësaj nuk i thonë demokraci, po anarki.

Zotëri Jabllanoviçi le ta bëjë këtë politikë në Beograd, jo në Prishtinë!

Prishtina nuk është “kishë” të kryqëzohet ai si të dojë vetë. Ka rregulla e ligje. Ligji e kap edhe këtë zotëri që e shan shtetin. Pastaj ai le të kujtohet. Ti thotë vetes: Jam në ëndërr, apo zhgjëndërr.

“Ne nuk e njohim pavarësinë e Kosovës, dhe pikë”, është shprehur në intervistat e tij Jabllanoviç. Kështu tha ai, kështu thonë “gazdallarët” e tij në Beograd. Jabllanoviq bën “politikë të lartë”, e përmend BE-në, Marrëveshjen e Brukselit për “normalizimin e marrëdhënieve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila nuk bën “t’i bëhet revizioni”, ngase sipas tij bëhet bërlloku.

Jabllanoviç nuk e shkel Kushtetutën e Serbisë. E di ai se kjo Kushtetutë e ka “nën sqetull” Kosovën, të cilën e quan “Kosovë e Metohi”. I përmbahet ai kategorisë kushtetuese të Serbisë. Ushqehet me këtë Kushtetutë. Le të ushqehet, por ta përçojë frymën e kësaj kushtetute në Kuvendin e Kosovës kjo është në kundërshtim jo vetëm me kushtetutën tonë, por edhe me ligjet në fuqi.

Bën ai politikë. E ka seriozisht, apo kështu i kanë fryrë në vesh të vetët? Në emër të demokracisë, kundër demokracisë. Në emër të ligjit, kundër ligjit. Kjo është logjika e Jabllanoviçit.

Kush është Jabllanoviç?

Jabllanoviç, i lindur më 1980, jurist nga Leposaviçi, ishte deputet i “Skupshtinës” së Serbisë, mandati i të cilit ishte i verifikuar më 16 prill 2014.

Tipi imiton shefat e tij në Beograd, por edhe papagajtë e tyre, të cilët pareshtur e quajnë shtetin tonë “Kosovë e Metohi”, “Kosmet”, “pokrajinë”, “srpska pokrajina”…

Më herët deputeten Rada (Trajkoviç) e kanë toleruar të shkarravitet në Kuvend, t’i ngrejë tre gishtërinj, t’i japë Kosovës epitetin “Metohi”. Nuk ia kanë zënë për të madhe kësaj zonje ta quajë ndryshe shtetin tonë, ndonëse ia kanë ngrehur “veshin” që të mos e përdorë termin antikushtetues.

Jo veç Jabllanoviçit, por edhe të tjerëve, nëse ua pi sorra mendtë dhe e shajnë shtetin tonë, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, apo nënkryetari Xhavit Haliti, nuk duhet të rrinë duarkryq, por t’i nxjerrin si zhelet jashtë sallës.

Nëse i pari i Kuvendit i toleron fjalëvrasësit, tërthorazi përgjegjësia bie mbi të.

Demokraci nuk i thonë që dikush të shkarravitet si në lloç, të shajë shtetin, t’i fyejë të tjerët. Ajo (demokracia) nënkupton sundimin e ligjit.

Më Shumë

Moti sot, kryesisht i vranët priten reshje shiu dhe bore

Mbi vendin tonë sot do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me riga shiu të intensitetit të mesëm deri të lartë. Në viset...

Nismë për përmirësimin e shërbimeve pronësore dhe fuqizimin e grave në biznes në Suharekë

Në Komunën e Suharekës u mbajt një takim mes përfaqësuesit të Aktivitetit të USAID-it “Qeverisja e Pronës”, Leotrim Gërmizaj, dhe përfaqësuesit të Shoqatës së...

Lajmet e Fundit