Çfarë kam shkruar më 1995 për “filozofin nga Kosova”
Për shkaqe koniunkturash politike tanimë të ditura, u punua me zell për t’i shkëputur shqiptarët nga Europa, me të cilën ata qenë të bashkuar nëpërmjet lidhjesh të thella, shumëfishe, që shpinin te rrënjët. Nuk po bëj fjalë për gati pesë shekujt e kaluar nën perandorinë që “e shikonte Europën me shikimin e njeriut ndaj shtazës” (Ali Bin Maksud). Kujtoj vetëm përpjekjet sistematike për t’i devijuar shqiptarët nga konstantja europiane nëpërmjet mbrujtjes së tyre me idetë së pari të projektuara nga Titoja, mandej nga Stalini, dikur nga Maoja, si edhe nga Hoxha vetë. Këto ide, të cilat i bashkonte antieuropianizmi i tyre, përbënin përligjjen historike të një ideologjie totalitare që synonte t’i shkëpuste shqiptarët nga popujt e tjerë europianë, çka kërkonte edhe një modifikim tërësor të mendësisë së tyre. Atyre që në të ardhmen do t’ua dojë puna të studiojnë seriozisht sistemin ideologjik të Hoxhës, do t’u qëllojë të vërejnë se si antieuropianizmi i diktatorit gërshetohej me një kompleks latent antikristian. E kam nënvizuar një herë mënyrën se si Hoxha në shkrimet e veta lartonte islamin duke denigruar krishterimin: “E vërteta është se Kur’ani është më i plotë dhe më i pastër se Bibla e izraelitëve dhe se Ungjilli i të krishterëve”: shprehje fundamentaliste që do të tingëllonin të pabesueshme në gojën e një marksist-leninisti “ateist”. Të mos habitemi po qe se gjurmë të këtij deformimi, në të cilin antieuropianizmin nga antikristianizmi nuk e ndan dot, ndeshen edhe sot e gjithë ditën ndër do shqiptarë “të shkolluar”, deri ndër “filozofë” revistash. Vetëm njëri prej tyre është Shkëlzen Maliqi, të cilin po e citoj drejtazi se si na paralajmëron në shkrimin e tij “Shqiptarët dhe Evropa”:
“Evropa për shqiptarët mund të paraqitet jo vetëm si shpresë, por edhe si rrezik për vdekje”.
Si e qysh e tek Europa mund të përbëkësh për shqiptarët “rrezik për vdekje”, Maliqi këtë nuk na e shpalon. Nuk na mbetet veç të përpiqemi ta deduktojmë “rrezikun për vdekje” prej atyre ideve hapërdarë sidokudo te “Shqiptarët dhe Evropa” […] I vetmi shpjegim që mund të nxirret prej përçartjeve të tij antieuropiane mbetet pasusi i mëposhtëm, një pasus vërtet magjistral, i denjë për një projekt strategjie mbarëkombëtare:
“Fati ynë ndoshta përsëri mund të kapë drejtimin e Orientit, por kësaj here jo si lidhje me Moskën/Pekinin, por si lidhje me Orientin e një tipi tjetër, që kohëve të fundit po shfaqet si fuqi e re planetare. Është kjo sfida e modelit të zhvillimit të shpejtuar të shteteve të Lindjes së Largët (Japonia, Tajvani, Koreja Jugore, Singapuri, Hong-Kongu, Malajzia) që parashihet se në të ardhmen jo fort të largët do të bëhen fuqi dominante ekonomike të botës, e ndoshta (me Kinën gjigante kapitaliste) edhe hegjemon i ri i saj”.
Se do të arrinte një “filozof” i fantaksur që, mbasi t’u kallte datën shqiptarëve me “rrezikun evropian”, t’u tregonte edhe rrugët e Tajvanit e të Malajzisë, të Kinës e të Koresë, jo: këtë nuk do ta kisha menduar. Në vend të maskarallonte paragrafët e librit të Plasarit, idetë e Kadaresë dhe citatet e Zavalanit, më mirë do të kishte bërë Maliqi të kishte heshtur se – për besë – për “filozof” më të madh do ta kishin mbajtur. Kot ua ka shkelur brezin autorëve të mësipërm. Kot së koti është rrekur me pyetje lakadredhase, si: “Cila është sot ideja e Evropës?”. “Cilët janë shqiptarët?”. “Çka e kanë ata Evropën dhe çka i ka Evropa ata?” etj. Këso pyetjesh të vejë e t’ua bëjë analistëve, eseistëve apo filozofëve aziatikë dhe nj’atyre që pandehin se integrimet e mëdha të bashkësive kombëtare e ndërkombëtare janë thjesht çështje teknologjie ose ekonomie, finance ose kontabiliteti.
Në Europë mendohet diç më ndryshe se në Lindjen e Largët. Ekonomisti emërmadh Jean Monnet, njëri nga ata që më së shumti patën kontribuar për ndërtimin e bashkësisë europiane mbi baza të ekonomisë e të teknologjisë, dëftoi në fund të jetës së tij një intuitë gati profetike duke deklaruar se, nëse puna duhej nisur nga e para, ai do t’ia fillonte nga kultura: “Si c’était à refaire, je commencerais par la culture”. Në fushat ekonomike, teknologjike etj. zotërojnë interesa vetjake, private. Kultura është ajo lidhje e fuqishme që mund të çojë jo te bashkimet sipërfaqësore, por te rrënjët e përbashkëta. Madje, edhe në çastet kur ne bjerrim kohë e djerrim letër me polemika, ndërsa një “filozof” nga Kosova zbavit halabakët e tij me riprodhime rëndomqare të sloganeve prej çajtoresh kosovare, si “Me kar në Evropë!” (“Shqiptarët dhe Evropa”, f. 9), europianët punojnë për t’iu kthyer rrënjëve të tyre kulturore më të thella. Dhe kurrfarë faji europianët “filozofëve” të tillë nuk u kanë, po qe se këto rrënjë nuk i gjejnë as në Hong-Kong e as në Singapur, as në Malajzi e as në Honolulu.
* Fragment nga Aurel Plasari, Europa nga rrënjët, në “Rilindja javore”, nr. 12, 13-19 gusht, 1995.