3.2 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Këtë vit dialogu me ritëm më të ngadalshëm

Thaci_Dacic_Ashton5-21Takimi i 21-të në mes të kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve mes të dy shteteve pritet të mbahet më 17 janar.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojë edhe në vitin 2014. Ndërkohë që, opozita, e cila e ka përkrahur këtë proces, ka filluar të jetë skeptike. Madje zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka paralajmëruar për “Epokën e re” se ky proces mund të vazhdojë edhe në vitin 2015 nëse është nevoja dhe do të përmbyllet me një traktat paqeje në mes të dy shteteve. “Dialog do të ketë edhe në vitin 2014. Kosova nuk do ta pengojë dialogun. Dialog do të ketë edhe në vitin 2015. Dialogu nuk është një proces që fillon dhe mbaron me një datë të caktuar. Sa më shpejt që përfundon dialogu është mirë, por ky proces duhet të përfundojë me një traktat paqeje”, është shprehur Kuçi.
Kurse atyre që ka filluar t’u humbet durimi me këtë proces, Kuçi i ka porositur se politika kërkon durim dhe kondicion, duke shtuar se askush nuk ka pritur që dialogu me Serbinë do të përfundojë brenda pak ditëve apo javëve. “Duhet ta kemi parasysh se politika kërkon kondicion dhe politika nuk është për një javë apo dy javë. Po ashtu, duhet të dimë se dialogu është një proces, e jo një akt. Askush nuk e ka menduar se dialogu fillon sot dhe përfundon nesër. Është një proces i cili do të ndikojë dhe të vazhdojë. Dhe natyrisht se nuk duhet të kemi iluzion se do të përfundojë në këtë mandat, sepse ky proces do të vazhdojë edhe më tutje, pasi kemi të bëjmë me raporte shekullore të konfliktit”, ka thënë Kuçi.

Megjithatë, Kuçi ka deklaruar se ky proces nuk mund ta ketë të njëjtën vëmendje që ka pasur gjatë vitit që po e lëmë pas. Sipas tij, afrimi i zgjedhjeve dhe i fushatës elektorale mund ta zhvendosë vëmendjen më shumë te çështjet vendore. “Fushata elektorale në Kosovë, njëkohësisht fushata eventuale që mund të jetë në Serbi, do ta vë fokusin më shumë në çështje vendore sesa në ato ndërkombëtare. Dialogu nuk është një çështje me të cilën duhet të matet fuqia apo forca politike në Kosovë, por fuqia e kombit dhe e shtetit të Kosovës përballë të tjerëve”, është shprehur Kuçi. Ai ka thënë se ky proces i dialogut është një detyrë e cila duhet të përfundojë. “Mendoj se dialogu është detyrë që duhet ta kryejmë. Natyrisht se jemi falënderues për kontributin që e ka dhënë AAK-ja për këtë proces dhe për mbështetjen politike që i ka dhënë në Kuvend LDK-ja”, ka thënë Kuçi. Ai ka treguar se dialogu ka qenë një proces që ka dhënë rezultate të veçanta, sidomos në integrimin e veriut. “Ka qenë rruga më e mirë për integrimin e veriut në mënyrë paqësore dhe të dinjitetshme. Po ashtu, dua të shtoj se dialogu ka qenë edhe përmbyllje e kapitullit të konfliktit historik në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kuçi. Mirëpo AAK-ja në këtë proces ka filluar të mërzitet. Ajo tashmë haptas po shpreh pakënaqësi ndaj vazhdimit të dialogut.

Lideri i këtij subjekti politik, Ramush Haradinaj, ka deklaruar për “Epokën e re” se Qeveria duhet të tërhiqet nga ky proces dhe të fokusohet në zbatim të dialogut. “Mendojmë se dialogu efektet e tij i ka arritur më 19 prill, kur është arritur marrëveshja, ndërsa pjesa tjetër është riciklim. Nuk mund ta ndihmojmë vazhdimisht një proces që kalon në abuzim dhe i cili mund të sjellë humbje kohe, shpenzime dhe udhëtime të panevojshme. Po kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të fokusohet në implementimin e këtij dialogu. Nuk ka nevojë të shkohet vetëm duke ridiskutuar, por duhet të kalohet në instrumentet e tjera. E kemi ambasadorin tonë në Beograd, kurse Beogradi ka një zyrtar këtu dhe duhet të kalohet në raporte ndërfqinjësore”, është shprehur Haradinaj.

I pyetur se është duke menduar AAK-ja ta tërheqë Blerim Shalën nga ky proces, Haradinaj është përgjigjur: “Nuk po kërkojmë ta largojmë vetëm përfaqësuesin tonë, por po kërkojmë ta largojmë Kosovën nga një proces i cili po shkon drejt abuzimit. Pra, duam mos t’ua japim mundësinë e abuzimit me këtë proces as fqinjëve, as aktorëve që e përfaqësojnë Serbinë në Kosovë. Shembull, çfarë lezeti ka dialogu në Bruksel kur ura e lumit Ibër është me barrikadë. Pra, Kosova duhet të fillojë të kërkojë zbatim të dialogut e jo të kënaqet vetëm me biseda. Nuk do të jetë sukses për Kosovën heqja e mbështetjes së Aleancës, e cila mund të jetë opsion. Sukses për Kosovën do të jetë t’i shpjegohet palës ndërmjetësuese se me këtë proces kemi filluar ta humbim vullnetin, sepse nuk po i jep efektet e duhura”.

Për paralajmërimin e qeverisë, se ky proces do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti, LDK-ja ende nuk ka qëndrim. Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se nëse Qeveria ka vendosur kështu, atëherë duhet të mblidhen organet e partisë dhe të marrin një qëndrim lidhur me këtë çështje. “Nëse kjo është ashtu siç po thoni ju, normalisht se duhet të mblidhemi dhe ta diskutojmë në forumet e partisë. Nuk mund të jap një përgjigje të saktë për ketë çështje”, ka bërë me dije Gashi. Ndërsa lideri i lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, i cili prej fillimit ka kundërshtuar dialogun, ka thënë se ky proces Kosovës i ka sjellë vetëm të këqija. “Kjo marrëveshje nuk është fundi i kompromiseve, por është një marrëveshje për më shumë dialog, e cila do të ketë më shumë kompromise dhe vazhdimisht do të kemi interpretime dhe riinterpretime shtesë, ku zakonisht dominon Serbia dhe, kësisoj, gjithnjë do të mbetet më pak nga shtetësia e Kosovës dhe perspektiva për sovranitet e integritet territorial”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se bashkimi më i madh i partive në Kosovë ka ndodhur për marrëveshjen me Serbinë, në vend se kjo të jetë për sovranitetin e Kosovës apo për bashkimin kombëtar.

Më Shumë

Komuna dhe partnerët diskutojnë procesin e ndërtimit të teleferikut për në Kalanë e Prizrenit

Drejtues të Komunës së Prizrenit kanë takuar zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe ata të Swiss Contactit për të shqyrtuar...

Policia shqiptoi 1960 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1960 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Lajmet e Fundit