7.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

A kishte gisht UÇK’ja në vrasjen e Azem Hajdarit?

azem hajdariUÇK-ja nga një anë dhe FARK-u nga ana tjetër ishin dy organizime ushtarake që po operonin në atë kohë. Të dyja kishin lidhjet dhe ndikimet relative nga Tirana, si në konjukturë shërbimesh, por edhe në marrëdhënien e tregtisë së armëve. Hajdari dhe Berisha ishin të lidhur fort me linjën Bukoshi, një linjë që cilësohej nën ndikimin e shtetit serb nga ana e ushtarakëve të UÇK-së.
Në një intervistë të gjatë për Mira Kazhanin në DITA, Jaho Salihi, i dënuar me 101 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit pretendoi pafajësinë e tij, duke ofruar disa detaje orientuese mbi manipulimin e hetimit dhe pavlefshmërinë e provave të mbledhura nga prokurorët dhe të pranuara nga gjykata më pas në këtë çështje. Me një kthjelltësi të spikatur, Salihi la të nënkuptohej se mund të ofronte dhe shumë më shumë se kaq, por, me vetëm një kusht: Nëse hetimi merrej seriozisht.

Nëse bën një vështrim të dosjes Hajdari dhe sidomos të aplikimit juridik të Salihit në Strasburg, aplikim që Strasburgu ja rrëzoi, mund të gjesh detaje të pabesueshme mbi mangësitë bazike në hetimin e një çështje që për ironi është cilësuar si “vrasja e shekullit”. Përtej mangësive në hetim të cilat theksohen me forcë nga Salihi, që pozicionohet si i pafajshëm, ngjarja mbart dhe një tjetër valencë: Paralajmërimin e vrasjes. Në këtë pistë vlen shumë ajo që quhet ‘linja kosovare’ ose më saktë linja e UÇK-së. Për çudi askush nuk është investuar në verifikimin e disa të dhënave dhe zhvillimeve në muajt Gusht-Shtator të vitit 1998, që flasin për dijeninë dhe pritshmërinë e rangjeve të larta të UÇK-së mbi “vrasjen e një personi të rëndësishëm në Tiranë”. Ky shkrim nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të ofruar disa të dhëna të rëndësishme si për mangësitë në hetimin e vrasjes së deputetit Hajdari, por edhe për sinjalet paralajmëruese që erdhën për eliminimin e tij nga UÇK-ja.

Gafat me truprojën Zenel Neza

Pas atentatit ku mbeti i vrarë Azem Hajdari dhe truproja e tij Besim Çera, një tjetër truprojë i Hajdarit qëlloi fatlum. Ai është Zenel Neza dhe i mbijetoi i plagosur atentatit. Për këtë dëshmitar, Jaho Salihi në intervistë shprehet se ka ofruar për hetuesit dhe gjyqtarët të dhëna kontradiktore, duke theksuar se Neza në asnjë moment nuk ka lëshuar një deklaratë dhe dëshmi me shkrim, të firmosur. Ashtu rezulton vërtetë në fakt, zoti Neza, thjesht bëri një video-konferencë gjatë gjyqit dhe në finale rezulton se ai është shprehur se ishte dëmtuar rëndë nga plagosja me armë zjarri dhe se “me aq sa i kujtohej, Jaho Salihi edhe mundet të ishte vrasësi dhe personi që qëlloi mbi Hajdarin”. Pra, gjatë video-konferencës në gjyq, Zenel Neza në mënyrë të përmbledhur, kur është pyetur nëse ishte Jaho Salihi personi që ka qëlluar mbi Azem Hajdarin ka thënë thjesht një: EDHE MUNDET. Pra dëshmitari kryesor i asaj ngjarje, i mbijetuari i vetëm, ka dhënë një përgjigje që mund ta japë kushdo mbi këtë pyetje. Praktikisht, nuk ka dhënë përgjigje, nuk ka dëshmuar.

Por përtej dëshmisë në gjyq të Zenel Nezës, ai rezulton të ketë dhënë një tjetër dëshmi, të incizuar, fill pasi kishte dalë nga reanimacioni dhe këtë dëshmi e ka dhënë as më shumë e as më pak për vetë Berishën. Në disa pamje video, të transmetuara për herë të parë në emisionin “Xhungël” të Artan Hoxhës, duket qartë Berisha në spital që i rri tek koka Zenel Nezës dhe komunikon me të. Ky kontakt mes Berishës dhe Nezës është bërë vetëm pak orë pas vrasjes dhe mund të ndahet në dy episode. Episodi i parë është komunikimi mes Berishës dhe Zenel Nezës në prezencë të botuesit Ylli Rakipi, i cili duket qartë në pamje se mban një diktofon regjistrues në dorë. Episodi i dytë, është vetëm Berisha ‘kokë më kokë’ me Zenel Nezën, pa praninë e askujt tjetër.

Kaseta me incizimin e Zenel Nezës nuk dihet çfarë fati ka pasur. Por nuk ka asnjë diskutim se ajo kasetë ka pasur një vlerë të padiskutueshme dhe asnjëherë nuk është kërkuar të administrohej nga organi i akuzës. Zenel Neza ka qenë i sapo dalë nga reanimacioni, në një gjendje të rënduar dhe të tronditur dhe pikërisht tek kjo gjendje e rënduar e tij qëndron dhe vlera e kasetës dhe incizimit. Zenel Neza ka folur në konfidencë dhe shumë pak kohë pas ngjarjes, duke mos ditur se si do të ishte fati i shëndetit të tij apo duke mos ditur se si do i shkonte halli kësaj çështje. Në këto rrethana psikike, ai ka rrëfyer në mënyrë të dokumentuar ngjarjen për “sido të shkonte puna”. Ai ishte i mbijetuari i artë, ishte asi nën mëngë i zbardhjes së asaj ngjarje, për çdo hetues, ajo kasetë do të kishte një vlerë të paçmuar. Por çfarë ndodhi? Kaseta nuk dihet ku është apo nëse ekziston më, Zenel Neza në deklarimet zyrtare ka thënë vetëm një “Edhe mundet”, ndërsa Berisha, personi që i mori rrëfimin e rëndësishëm dhe që më pas disponoi incizimin, nuk u paraqit kurrë në gjykatë. Ku ndodhet sot kjo kasetë? Çfarë ka biseduar Berisha me Nezën? Çfarë di Berisha? Pse nuk u ekspozua kurrë transkripti i këtij incizimi? Pse leverdis që incizimi të mos bëhej publik dhe të mos i ofrohej organeve hetimore?

Të gjitha këto pyetje mbi këtë incizim delikat kanë mbetur pa përgjigje, prokuroria nuk është investuar fare mbi këtë detaj tejet të rëndësishëm të Berishës dhe të mbijetuarit-dëshmitar kryesor.

Dëshmitarët, Berisha, autopsia…

Interesante mbetet sidomos në të gjithë këtë çështje, dyllosja e dosjes pa i marrë Berishës një dëshmi të vetme. Berisha nuk shkonte në gjyq pasi i konsideronte “politike” prokurorinë dhe gjykatat. Berisha e kishte goditur politikisht procesin. Më pas, prokuroria tentoi në vitin 2001 me një lëvizje që ta impononte Berishën. Çoi në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për të interpretuar nëse një deputet si Berisha mund të merrej forcërisht për të dëshmuar ose jo. Gjykata Kushtetuese nuk dha kurrë një përgjigje për këtë çështje, nuk dihet madje sot e kësaj dite fati i kësaj kërkese të prokurorisë. Por… diku tjetër, ca vite më vonë, Berisha ka nisur një tjetër alibi që justifikonte refuzimin e tij për të dëshmuar. Kur Jaho Salihi aplikoi në Gjykatën e Strasburgut dhe e pretendoi si shkelje të procesit refuzimin e ‘personit kyç’ Berisha, shteti shqiptar, në vitin 2006 (Berisha ishte në pushtet), e justifikoi këtë mungesë të Berishës në gjyq me një arsye tjetër. Sipas Avokatit të Shtetit, Berisha nuk u paraqit asnjëherë në gjyq sepse “i rrezikohej jeta nga ndonjë atentat”. Duket e pabesueshme, asnjëherë Berisha apo të vetët nuk e kanë bërë publik këtë alibi të tyren në Shqipëri, por në letrat e Gjykatës së Strasburgut, ky është justifikimi i paraqitur dhe i shkruar e zezë në të bardhë.

Nga ana tjetër, nëse lexon me vëmendje aplikimin që Jaho Salihi ka bërë në Strasburg, gjen referenca për një numër dëshmitarësh që prokuroria i ka marrë për bazë dhe i ka cilësuar si të rëndësishëm, ndërkohë që këta dëshmitarë në raste të përsëritura kanë kundërshtuar veten e tyre me detajet e dëshmive, për më tepër që dy prej tyre e jepnin dëshminë nga burgu. Ishin të dënuar për vepra të tjera edhe jashtë vendit.

Detaji i tretë pikant në hetimin e dosjes Hajdari është mungesa e autopsisë. Vrasja e Shekullit, nuk ka autopsi. Azem Hajdarit nuk i është bërë kurrë një autopsi zyrtare mjeko-ligjore. Pse?

I vetmi detaj është një deklarim ‘vullnetar’ e një mjeku-ligjor për prokurorët. Sipas dosjes, për prokurorinë u vetë-ofrua mjeku-ligjor B. Y që të jepte disa të dhëna. Sipas mjekut, ai natën e vrasjes, kishte bërë një ‘këqyrje private’, me iniciativë personale të kufomave të Hajdarit dhe truprojës së tij dhe ofroi ato detaje që ‘mbante mend’ për prokurorët. Menjëherë pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet në vitin 2005, zoti B.Y u emërua drejtues i Institutit Mjeko-Ligjor në Tiranë.

Një bisedë dhe 200 milionë dollarë…

Në aplikimin dhe dosjen që ka dorëzuar Jaho Salihi në Strasburg, i dënuari me burgim të përjetshëm për ekzekutimin e Azem Hajdarit, rrëfen një bisedë tepër interesante dhe të panjohur më parë të bërë mes tij dhe Fatmir Haklajt pas vrasjes. Në aplikimin e Jaho Salihit në Strasburg shkruhet tekstualisht:

“Disa ditë pas vrasjes, aplikanti Salihi vijoi punën në komisariatin e policisë në Tropojë, atje ai mësoi se z. Berisha e kishte cilësuar atë si vrasësin e Hajdarit. Të njëjtën ditë që mëson këtë fakt, ai takoi Fatmir Haklajn, nga ana e tij, Haklaj i tha Salihit se z. Berisha i kishte ofruar atij (Fatmir Haklajt), 200 milionë dollarë amerikanë, me qëllim që të mos rrëfehej mbi përfshirjen e tij (Haklajt) në vrasje. Pas një muaji, babai i Salihit dhe Fatmir Haklaj u vranë nga persona të panjohur dhe Salihi shkoi në Kosovë për t’u fshehur nga frika e ekzekutimit të tij. Ai i ka kërkuar zotit Berisha të paraqitej në gjyq dhe të shpjegonte marrëveshjen e tij prej 200 milionë dollarësh me Fatmir Haklajn”, shkruhet në aplikimin e Salihit në Gjykatën e Strasburgut.

Paralajmërimi i ardhur nga UÇK

Vrasja e Azem Hajdarit prek dhe një aspekt më të gjerë se thjesht akti i ekzekutimit të tij. Prek sidomos ekuilibrin e forcave dhe nëntokën e lojës së shërbimeve inteligjente me atë që po ndodhte në Kosovë. UÇK-ja nga një anë dhe FARK-u nga ana tjetër ishin dy organizime ushtarake që po operonin në atë kohë. Të dyja kishin lidhjet dhe ndikimet relative nga Tirana, si në konjukturë shërbimesh, por edhe në marrëdhënien e tregtisë së armëve. Hajdari dhe Berisha ishin të lidhur fort me linjën Bukoshi, një linjë që cilësohej nën ndikimin e shtetit serb nga ana e ushtarakëve të UÇK-së.

Por brenda radhëve të FARK-ut të Bukoshit, ekzistonte një ushtarak i lartë që bënte lojë të dyfishtë.

Pak është shkruar për këtë temë, por sot në arkivën e UÇK-së gjenden dokumente mirëfilli që flasin për paralajmërimet e kësaj strukture ushtarake për vrasjen që do të ndodhte në Tiranë.

B.H ishte një ushtarak karriere që i shkoi në vitin 1997 Ali Ahmetit(Drejtues i Zonës së Dytë Operative të UÇK-së) dhe i’u ofrua për t’iu bashkuar lëvizjes. Por Ali Ahmeti ishte “dhelpër” dhe i caktoi ushtarakut B.H një detyrë tepër interesante.

“Na duhesh më tepër në radhët e FARK-ut të Bukoshit, që t’i kemi nën kontroll ata. Do shkosh atje të ofrohesh dhe do jesh lidhja jonë atje brenda në Shtabin e tyre”, – einstruktoi Ahmeti. Këtë rol, ushtaraku B.H e mori zyrtarisht, duke firmosur madje dhe dokumentin e infiltrimit në prani të krerëve më të lartë të UÇK-së asokohe. Sido që të shkonte puna, diku ekzistonte një dokument që vërtetonte përkatësinë e tij me UÇK-në, ndonëse shërbente formalisht pranë FARK-ut të Bukoshit.

Është pikërisht ushtaraku kosovar B.H që informoi dhe dha alarmin në Gushtin e vitit 1998, një muaj para vrasjes së Azem Hajdarit, për atë që në fakt ndodhi më 12 Shtator.

“Pranë shtabit të FARK-ut të Bukoshit, erdhi një informacion që opozita në Shqipëri, PD, së bashku me disa struktura të FARK-ut, po përgatitnin ngjarje të pazakonta në Shqipëri, që mund të sillnin edhe përmbysjen e situatës. Ishte periudha pik e sulmit të forcave serbe, sidomos në zonën operative të Dukagjinit, dhe një situatë e tillë, e jashtëzakonshme në Shqipëri, do të ishte një goditje e rëndë për UÇK-në. Prandaj, ishte i natyrshëm interesimi i mëtejshëm. Informacioni i ardhur në të njëjtën rrugë sillte të dhëna konkrete për ngjarje të rënda që mund të ndodhnin në Shtator 1998, sidomos për një lëvizje që mund të sillte përmbysjen e pushtetit, që drejtohej nga socialistët. Ky informacion, së bashku me të dhënën se po organizohej një skenar i ngjashëm me atë që kishte ndodhur disa dekada më parë në Shqipëri, me vrasjen e Avni Rustemit, ishte shumë tronditës, dhe për këtë, përmes ambasadorit të Shqipërisë në Gjermani, Bashkim Zeneli, personalitet i lidhur ngushtë me lëvizjen çlirimtare, iu dërgua edhe strukturave të larta të shtetit shqiptar. Fakt është se lëvizja për përmbysjen e pushtetit do të kishte një drejtim të kundërt me atë të ndodhur disa dekada më parë,ajo do të vinte nga veriu, dhe kjo ishte dyfish e rrezikshme, pasi atje ndodheshin edhe portat e dërgimit të logjistikës për UÇK-në. Ngjarjet e më pasme, vrasja e Azem hajdarit dhe dhuna e 14 shtatorit, dëshmoi se gjithçka kishte qenë e saktë. “, – dëshmon për DITA një nga krerët e organizatës politike të UÇK-së që disponon të gjithë dokumentacionin arkivor që vërteton këtë fabul.

Më Shumë

Dramë e madhe në Suharekë – super derbi me katër gola

Ballkani dhe Drita ka luajtur një ndeshje të madhe duke barazuar me rezultat 2-2 në kuadër të derbit të javës së 30-të të Superligës...

Shkolla ‘Bajram Curri’ në Romajë të Hasit, drejt një fushe sportive të re

Shkolla fillore “Bajram Curri” në Romajë të Hasit, shumë shpejt do të bëhet me fushë të sportit. Drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit...

Lajmet e Fundit