Komuna e Malishevës përmes një njoftimi ka treguar se Gjykata Speciale e ka arrestuar ish-kryetarin e komunës, Isni Kilaj. Kjo komunë i ka bërë thirrje Speciales ta lirojë Kilajn dhe gjithë ish-udhëheqësit e UÇK-së që ndodhen në Hagë.
“Komuna e Malishevës është e shqetësuar për arrestimin e ish kryetarit të komunës Isni Kilaj
Komuna e Malishevës, me shqetësim të madh ka marrë informacionin se EULEX-i mbrëmë ka arrestuar ish kryetarin e Komunës së Malishevës, z.Isni Kilaj”, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati.
Sipas njoftimit, paraprakisht, policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë Kilajt, e rrjedhimisht ka shkaktuar edhe panikë dhe shqetësim të të gjithë qytetarëve.
“Ne si komunë, besojmë dhe jemi thellë të bindur se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë luftë e pastër dhe mbi të gjitha ka qenë luftë çlirimtare, madje lufta e popullit të Kosovës, është lufta më e pastër që ka ndodhur ndonjëherë në histori të njerëzimit”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Në këtë njoftim i është bërë thirrje Gjykatës Speciale të merret me ndjekjen, arrestimin dhe dënimin e autorëve të vrasjes së afër 400 civilëve të Komunës së Malishevës gjatë viteve 1998-1999 nga ushtria dhe policia e shtetit të Serbisë.
Një ditë më parë, krytari i OVL-UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu kishte konfirmuar bastisjet e Speciales në shtëpinë e Isni Kilajt. Ai kishte thënë se po targetohen grupi më i afërt i ish-Presidentit Thaçi që ndodhet në Hagë.
Ndërkohë, në fillim të kësaj jave ZPS ka bastisur pronat edhe të tre ish-këshilltarëve të Thaçit që lidhet me veprat kundër administrimit të drejtësisë.
Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara se janë kryer kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./BetimipërDrejtësi