11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Komuna e Prizrenit kërkon leje tek pas ndërhyrjes joligjore në Shtëpinë e Shehzades

Autoritetet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore kanë konstatuar se Komuna e Prizrenit ka bërë ndërhyrje të paautorizuar në Shtëpinë e Musa Shehzades në Prizren, aset ky që mbrohet nga shteti. Për këtë arsye, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nëpërmjet një vendimi të javës së kaluar, ka urdhëruar ndalimin e punimeve, duke obliguar organet komunale që për realizimin e tyre të marrin aprovim nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore. Zyrtarët komunalë të Prizrenit kanë pohuar se punimet kanë qenë të karakterit urgjent dhe se tani është në procedurë marrja e pëlqimit përkatës. Por, drejtuesit e QRTK-së kanë thënë se ky nuk është rasti i vetëm i ndërhyrjes së paautorizuar nga organet komunale dhe kanë kërkuar respektimin e dispozitave ligjore.

Drejtori i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka bërë të ditur se javën e shkuar ka njoftuar Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore të MKRS-së për punimet pa leje në Shtëpinë e Musa Shehzades. Ndërsa inspektorati përkatës, një javë më parë, ka nxjerrë vendimin për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në këtë shtëpi. Pos kësaj, ka obliguar Drejtorinë e Turizmit të Komunës së Prizrenit që për të gjitha ndërhyrjet në asetin e trashëgimisë kulturore të marrë aprovim nga QRTK-ja.

“Çdo ndërhyrje e paautorizuar në asetin e trashëgimisë kulturore është përcaktuar si kundërvajtje në bazë të dispozitave të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, si dhe bazuar në dispozitat e Kodit Penal të Kosovës, saktësisht në nenin 354, ‘dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës’, është përcaktuar si vepër penale”, thuhet në vendimin e Inspektoratit të trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës.

Samir Hoxha nga QRTK-ja ka vlerësuar se janë të patolerueshme ndërhyrjet e paautorizuara nga institucionet pa i ndjekur procedurat e përcaktuara me Ligjin për trashëgimi kulturore dhe Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit.

“Më të keq e bën këtë rast fakti kur Drejtoria e Turizmit, si një prej dikasterve të Komunës së Prizrenit që do të duhej të merrej me promovim, me investime në fushën e trashëgimisë kulturore, bën shkelje të tillë, gjë që paraqet një shqetësim serioz”, ka thënë ai. Sipas tij, kjo çështje duhet të trajtohet nga autoritetet komunale në mënyrë që të ndalen ndërhyrjet e paautorizuara.

“Këto veprime të paligjshme duhet të ndalen, sepse krijojnë precedent negativ, por edhe mund të shkaktojnë dëmtime të pariparueshme në monumentet e qytetit të Prizrenit”, ka deklaruar Hoxha.

Në anën tjetër, drejtoresha e Turizmit në Komunën e Prizrenit, Sevil Kazaz, ka pranuar fillimin e punimeve pa e marrë pëlqimin nga QRTK-ja, me arsyetimin se ka qenë intervenim emergjent.

“Punimet për meremetimin e kulmit kanë qenë urgjente, prandaj kemi intervenuar para se ta fillojmë procedurën për marrjen e pëlqimit me qëllim që mos të dëmtohen eksponatet. Tani është në procedurë kërkesa me marrë pëlqimin dhe i kemi ndërprerë punimet”, ka thënë Kazaz.

Drejtoria e Turizmit, gjatë kësaj jave, përmes Drejtorisë së Urbanizmit, ka dorëzuar në QRTK kërkesën për riparimin e pjesshëm në Muzeun Etnologjik, përkatësisht Shtëpinë e Musa Shehzades.

Për këtë çështje të enjten ka reaguar edhe organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, duke kërkuar që të marrë fund praktika e ndërhyrjes në aset të trashëgimisë kulturore pa pëlqimin e autoriteteve.

“’EC Ma Ndryshe’ i bën thirrje Komunës së Prizrenit që t’i japë fund praktikës së ndërhyrjes në asetin e trashëgimisë kulturore pa pëlqimin e autoriteteve të trashëgimisë kulturore, pasi ndërhyrja e tillë është e kundërligjshme. ‘EC…’ konsideron se kujdesi i institucioneve në raste të tilla duhet të jetë më i madh, ashtu që ndërhyrjet në asetet e trashëgimisë kulturore të jenë të autorizuara dhe në fund të prodhojnë rezultate më të qëndrueshme. Prandaj edhe njëherë përsërit kërkesën drejtuar të gjitha organeve shtetërore që të veprojnë në mënyrë serioze sa i përket mbrojtjes, ruajtjes dhe promovimit të aseteve të trashëgimisë kulturore”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Sipas të dhënave në Databazën e Trashëgimisë Kulturore të MKRS-së, shtëpia e Musa-Efendi Shehzades është ndërtuar në fund të shekullit XVIII dhe është restauruar në vitin 2013, për t’u vendosur aty Muzeu Etnologjik i Prizrenit.

Më Shumë

Qeveria reagon pas procesit të votimit: Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve

Qeverisë e Republikës së Kosovës ka reaguar në lidhje me procesin e djeshëm të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në...

Parashikimi i motit për pesë ditët në vazhdim

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se java e ardhshme parashihet të jetë me kushte të paqëndrueshme meteorologjike. Në njoftimin e IHMK-së bëhet...

Lajmet e Fundit